Selia e Shenjtë: çrrënjosja e varfërisë, detyrim moral të cilit duhet t'i përgjigjemi
R.SH. / Vatikan
“Varfëria nuk është e pashmangshme” dhe çrrënjosja e saj, ashtu si ajo e urisë, “është një detyrim moral që duhet përmbushur”. Megjithatë, zgjidhjet e nevojshme për të arritur këtë objektiv bien në kundërshtim “me mungesën e vullnetit politik”. Kjo është thirrja e imzot Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, drejtuar komunitetit ndërkombëtar, gjatë debatit kushtuar “Çrrënjosjes së varfërisë”, zhvilluar më 15 tetor në Nju Jork.
Imzot Caccia thekson “kundërshtinë e papranueshme” që dhjetë vjet pas miratimit të Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, dhe “edhe pas një dekade progresi teknologjik dhe ekonomik, më shumë se 800 milionë njerëz vazhdojnë të jetojnë në varfëri dhe një në 12 persona ende vuan nga uria”. Të dhëna “tronditëse”, i quan ai, të cilat, duke qenë numra, “nuk pasqyrojnë vuajtjen e thellë njerëzore të shkaktuar nga varfëria dhe uria te njerëzit, familjet dhe komunitetet”.
Mbrojtja e dinjitetit njerëzor
Varfëria dhe uria janë “një fyerje e rëndë ndaj dinjitetit të njeriut të krijuar nga Zoti”, denoncon sërish Vëzhguesi Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, të cilat “dëmtojnë të drejtat themelore të njerëzve” e janë gjithashtu edhe “një dështim i komunitetit ndërkombëtar”. Imzot Caccia citon Dilexi te, nxitjen apostolike me të cilën Papa Leoni XIV thekson nevojën për të respektuar dinjitetin e çdo personi, për të treguar se përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar “për të çrrënjosur varfërinë dhe urinë duhet të bazohen në imperativin e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor dhe ndjekjes së zhvillimit të plotë njerëzor për të gjithë”.
Promovimi i mirëqenies ekonomike
Selia e Shenjtë thekson se “varfëria nuk është e pashmangshme”, por është “rezultat i shkaqeve strukturore që duhet të identifikohen dhe të trajtohen për t'u eliminuar”. Për të arritur këtë nevojiten “bashkëpunim dhe koordinim ndërkombëtar, solidaritet global dhe masa konkrete për të krijuar kushte që u mundësojnë njerëzve të lulëzojnë në çdo dimension të jetës së tyre”. Nga këtu duhet të fillojnë investimet në “arsimin cilësor”, në krijimin e “mundësive për punë të denjë” dhe në disponimin e “sistemeve të plota të mbrojtjes sociale”. Zgjidhje që mund të promovojnë “mirëqenie ekonomike dhe zhvillim të plotë njerëzor”, por në vend të kësaj zëvendësohen nga dështimi i politikës ndërkombëtare dëshmuar nga “alokimi tragjikisht i gabuar i burimeve globale”.
Paradokset e dhimbshme
Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së imzot Caccia e përshkuan qartë shqetësimin e shprehur disa herë nga Papa Leoni XIV, duke konfirmuar se “pavarësisht ekzistencës së fondeve të nevojshme për të çrrënjosur varfërinë dhe urinë, ka pasur një devijim në rritje të këtyre fondeve drejt ‘instrumenteve të vdekjes’, armëve, në vend të instrumenteve të zhvillimit të plotë njerëzor”. Këtu qëndron “paradoksi i dhimbshëm” i të parit të burimeve “që duhet të përdoren për të ushqyer, edukuar e shëruar” dhe që “në vend të kësaj shkaktojnë dhimbje dhe vuajtje të mëtejshme”. Kjo “përmbysje e prioriteteve”, përveç zgjatjes së vuajtjes së atyre që jetojnë në varfëri, “ushqen konfliktin dhe paqëndrueshmërinë”. Çrrënjosja e varfërisë dhe urisë, në përfundim, është një “detyrim moral” që mund të realizohet vetëm falë zbatimit “të masave konkrete për të siguruar që angazhimet, politikat dhe prioritetet të ripërcaktohen për të vendosur personin njerëzor në qendër të të gjitha aktiviteteve”.