COP30, Selia e Shenjtë: ta njohim "fytyrën njerëzore" të krizës klimatike

Në fjalimin drejtuar ministrave të ambientit nga mbarë bota, nunci në Brazil, Imzot Giambattista Diquattro, zëvendëskryetar i delegacionit të Selisë së Shenjtë, pjesëmarrës në Konferencën e OKB-së, që zhvillohet në Belém, theksoi se gratë dhe vajzat preken në mënyrë disproporcionale nga çështjet ambientale. Bëri, më pas, thirrje për "multilateralizëm koheziv" për të zgjidhur një problem, që nuk njeh kufij.

R.SH. / Vatikan

Ta njohim "fytyrën njerëzore" të një krize klimatike, që nuk njeh pengesa, as kufij, dhe pikërisht për këtë arsye kërkon përpjekje kolektive, duke e bërë të domosdoshme zgjidhjen e "multilateralizmit koheziv"! Këto ishin fjalët e Nuncit Apostolik në Brazil, Imzot Giambattista Diquattro, zëvendëskryetar i delegacionit të Selisë së Shenjtë, pjesëmarrës në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Belém, Brazil -  mbajtur në fjalimin e 18 nëntorit, para ministrave të mjedisit nga mbarë bota.

Dinjiteti njerëzor, në qendër

Segmenti i dytë politik i COP30, i cili nisi të hënën, u përurua me mbërritjen e udhëheqësve të klimës nga secili vend, dhjetë ditë pas pjesëmarrjes së krerëve të shteteve dhe qeverive në Brazil. Nunci Apostolik në vendin e Amerikës së Jugut e paraqiti fjalimin e tij, duke nisur me citimin e mesazhit të Papës Leoni XIV drejtuar pjesëmarrësve në Konferencën e OKB-së, lexuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin më 7 nëntor, i cili kujtoi se sfidat e paraqitura nga ndryshimet klimatike "rrezikojnë jetën e të gjithëve në këtë planet dhe, për këtë arsye, kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar e multilateralizëm koheziv dhe të orientuar drejt së ardhmes që vë në qendër shenjtërinë e jetës dhe dinjitetin e çdo qenie njerëzore dhuruar nga Zoti për dhe të mirën e përbashkët ".

Multilateralizëm e tranzicion i drejtë

Imzot Diquattro vazhdoi duke përshkruar çështjet kryesore për delegacionin e Selisë së Shenjtë. "Para së gjithash, është themelore të forcohet multilateralizmi koheziv dhe i orientuar drejt së ardhmes", deklaroi ai. "Ndryshimi i klimës nuk njeh kufij dhe, për këtë arsye, kërkon përpjekje kolektive", shtoi, duke pohuar se vetëm multilateralizmi, "i çmuar dhe i pashmangshëm", mund të "zgjidhë problemet reale të njerëzimit, duke kërkuar mbi të gjitha respekt për dinjitetin e njerëzve, në mënyrë që etika të mbizotërojë mbi interesat lokale ose të kushtëzuara". Nunci Apostolik në Brazil imzot Diquattro, më pas, kujtoi fjalët e Papës Françesku në Nxitjen Apostolike Laudate Deum, botuar pak para COP28, në Dubai. Pikërisht në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike 2023 shtetet nënshkruese ranë dakord për heqje graduale të lëndëve djegëse fosile. Një tranzicion i mbështetur nga Selia e Shenjtë, por që duhet të shoqërohet me drejtësi dhe barazi, "duke pasur parasysh se pasojat e ndryshimeve klimatike prekin veçanërisht më të varfrit dhe më të ligshtët", saktësoi prelati.

Gratë dhe vajzat, në vijën e parë përballë efekteve të ndryshimeve klimatike

Zëvendëskryetari i delegacionit të Selisë së Shenjtë në Belém përshkroi, më pas, "fytyrën njerëzore të krizës klimatike". Në këtë kontekst, Selia e Shenjtë shpreson se Gender Action Plan (Plani i Veprimit Gjinor) duhet të pranojnë se gratë dhe vajzat preken në mënyrë disproporcionale nga ndryshimet klimatike, veçanërisht në vendet e Jugut, dhe se luajnë një rol të rëndësishëm në luftimin e këtij fenomeni. Në këtë kontekst, vazhdoi Imzot Diquattro, "është themelore të kërkojmë një gjuhë dhe një konsensus të përbashkët, duke lënë mënjanë interesat egoiste dhe duke ruajtur një vetëdije të gjallë për përgjegjësinë tonë ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj brezave të ardhshëm".

Rëndësia e arsimit

Së fundmi, përballë shkallës së sfidave klimatike, Nunci Apostolik në Brazil pranoi se "burimet ekonomike dhe operacionale janë të nevojshme, por jo të mjaftueshme". "Ne nuk mund t'i arrijmë qëllimet e Marrëveshjes së Parisit, nëse zgjidhjet politike dhe teknike nuk shoqërohen nga një proces arsimor që propozon stile të reja jetese të qëndrueshme, të cilat respektojnë Krijimin", deklaroi prelati. "Është themelore të forcohet roli ndërsektorial i arsimit për të siguruar arritjen e qëllimeve të zbutjes, për të adresuar sfidat e përshtatjes, për të forcuar mjetet e zbatimit, për të parandaluar humbjet dhe dëmet dhe për të arritur përparimin", shtoi ai, duke theksuar shenjat inkurajuese nga shtete të shumta që kanë  aktivizuar elementë të lidhur me arsimin në Kontributet e tyre të Përcaktuara Kombëtarisht (NDC), përditësuar në Belém. Kryeipeshkvi imzot Diquattro përfundoi me ftesën për t'u rikthyer në zemër, siç dëshironte Papa Leoni XIV: "Vetëm duke u rikthyer në zemër, mund të vijë ndryshimi i vërtetë ekologjik”.

19 nëntor 2025, 15:41