Konferenca kushtuar "Mistikës, Fenomeneve Mistike dhe Shenjtërisë" në Universitetin Papnor Urbaniana, Romë Konferenca kushtuar "Mistikës, Fenomeneve Mistike dhe Shenjtërisë" në Universitetin Papnor Urbaniana, Romë

Konferencë mbi mistikën: praktikat e krishtera, në dialog me fetë e tjera

"Mistika: Fenomenet Mistike dhe Shenjtëria", kjo tema e konferencës së organizuar nga Dikasteri i Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve në Universitetin Papnor Urbanian. Profesor Abate: Mistiku hebraik bëhet "kanal i përhapjes hyjnore". Atë Salman: “Përvojat e mbinatyrshme i tejkalojnë kufijtë e fesë së jashtme". Atë Kanakappally: ngjashmëritë ndërmjet poezive hinduiste dhe himneve biblike. Atë Borriello: shenjat hyjnore nuk vijnë "me porosi"

R.SH. / Vatikan

Në thellësitë e praktikave mistike shtrihen vende takimi ku besime të ndryshme duket se e njohin njëri-tjetrin "në frymë respekti të ndërsjellë, larg konfliktit dhe konfrontimit". Kjo ndodh në Sufizmin Islamik, që shpall dashuri dhe mirësi ndërmjet besimtarëve; e ndodh edhe në Judaizëm, kur njeriu i pastër bëhet "kanal i rrezatimit qiellor". E rishtas  tingëllon në vargjet e poetëve hindu Aḷvār, dashuria e të cilëve për Zotin kumbon, siç e kanë njohur disa historianë, me të njëjtin intensitet dhe të njëtën temë, si ajo e Këngës së Këngëve dhe Këngës Shpirtërore të Shën Gjonit të Kryqit. Këto ishin disa nga konceptet e shqyrtuara sot, më 12 nëntor, në ditën e tretë të konferencës "Misticizmi: Fenomenet Mistike dhe Shenjtëria", organizuar nga Dikasteri i Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve, në Aula Magna të Universitetit Papnor Urbaniana, në Romë. Nesër, audienca me Papën Leoni XIV.

Abate: teurgjia dhe summers në Judaizëm

Pas një çasti fillestar lutjeje, Profesoresha Emma Abate e Universitetit të Bolonjës, bashkëpunëtore e Qendrës "Agostino Bea" në Universitetin Gregorian, preku temën e teurgjisë dhe të ekstazës, në misticizmin hebraik. Profesoresha fillimisht sqaroi natyrën e dy termave, duke shpjeguar se i pari ka të bëjë me veprimin njerëzor, që ndikon në botën qiellore, ndërsa i dyti, me përvojën e takimit dhe të bashkimit me hyjnoren. "Kush është, pra, mistiku hebre?" pyeti Abate. "Njeriu i mençur, njeriu i devotshëm dhe i pastër, i aftë të sodisë format shpirtërore të Krijimit, duke u bërë kanal i emanacionit hyjnor". Në të vërtetë, përfundoi profesoresha, në Qabbalah figura e mistikut përkon me atë të ṣadikut, ose atë që "ruan lidhjen ndërmjet Zotit dhe botës e, përmes jetës së tij, realizon pamjen hyjnore tek njeriu".

Salman: dashuria dhe bashkimi me Absolutin, në sufizmin islamik

Në vijim foli Atë Wasim Salman, dekan i Institutit Papnor për Studime Arabe dhe Islamike, që thelloi temën "shtigjet e dashurisë dhe të bashkimit me Absoluten në disa pasazhe të Sufizmit Islamik". Ky i fundit përkufizohet si "misticizëm i vërtetë i Islamit", rrugë shpirtërore e pastrimit, dashurisë dhe njohjes së drejtpërdrejtë të Zotit. Përvoja mistike, shpjegoi Atë Salman, "i kapërcen kufijtë e fesë së jashtme", ligjit të Sheriatit, të kuptuar si respektim i ligjit, duke dalluar zbatimin e tij të përditshëm nga "ai shpirtëror dhe universal, i cili i bashkon të gjithë njerëzit, madje edhe të besimeve të tjera". Në përgjithësi, shtoi meshtari, sufizmi predikon dashurinë dhe mirësinë ndërmjet besimtarëve dhe mund ta bëjë këtë dashuri "të pakufizuar", gjuhë përmes së cilës takohen qytetërimet e Lindjes dhe të Perëndimit, "në frymë respekti të anasjelltë, larg konfliktit dhe konfrontimit".

Kanakappally: poezitë mistike të poetëve hindu

Atë Benedikt Kanakappally, profesor në Fakultetin e Misiologjisë të Universitetit Papnor Urbaniana, preku kontekstin e diskutimeve kushtuar dialogut ndërmjet misticizmit të krishterë dhe traditave të tjera fetare. Hinduizmi, deklaroi ai, i dha jetë formave të ndryshme të misticizmit përmes poetëve Āḷvār, titull shpirtëror që do të thotë "ai që është fundosur", duke iu referuar soditjes së Zotit. Atë Kanakappally shpjegoi se si këta autorë, që vijnë nga kastat më të ulëta, dëshmojnë për kapërcimin e këtij sistemi shoqëror dhe besimin se "përballë përvojave shpirtërore dhe mistike, kasta dhe statusi shoqëror nuk kanë rëndësi". Kompozimet e tyre u krahasuan me tekstet biblike, veçanërisht me Këngën e Këngëve dhe Këngën Shpirtërore të Shën Gjonit të Kryqit, e gjetën ngjashmëri, veçanërisht me këtë të fundit, në përshkrimin e rrugës drejt bashkimit me Zotin përmes përshkrimit të "kërkimit të pasionuar të një gruaje, për të dashurin e saj".

Borriello: kriteret për t’i dalluar fenomenet mistike

Pas pushimit, konferenca ndoqi fjalën e Atë Luigi Borriello-n, Profesor Nderi  i teologjisë shpirtërore dhe mistike, i cili analizoi kriteret për dallimin e fenomeneve të misticizmit. Ato përbëjnë një "realitet të vënë në provë, të eksperimentuar dhe eksperimatues” në jetën e Kishës, por duhet të interpretohen nga perspektiva të ndryshme: duke verifikuar autenticitetin e tyre, duke shqyrtuar njerëzit që i jetojnë dhe duke vënë në pikëpyetje kuptimin, që u atribuohet.

12 nëntor 2025, 13:33