Papa Leoni XIV dhe Patriarku Ekumenik i Konstandinopojës Bartolomeu I (@Vatican Media) Papa Leoni XIV dhe Patriarku Ekumenik i Konstandinopojës Bartolomeu I (@Vatican Media)

Leoni XIV, në udhët e unitetit e të paqes

Udhëtimi i parë apostolik i Papës Leoni, që do të nisë nesër dhe do ta çojë së pari në Ankara, Stamboll dhe Iznik, pastaj në Bejrut, për një rastësi të veçantë përfaqëson pothuajse sintezën gjeografike të dy boshteve kryesore, dalë këto muaj të parë të papnisë së tij. Dhe është shtegtim i paracaktuar ta shënojë këtë papni, ashtu siç ka qenë për të gjithë paraardhësit.

R.SH. / Vatikan

Andrea Tornielli

Ashtu si ishte rasti për Benediktin XVI me Ditën Botërore të Rinisë, në Këln, në vitin 2005, dhe rasti për Françeskun me Ditën Botërore të Rinisë në Rio de Janeiro, në vitin 2013, shtegtimi i parë i Papës Leoni zhvillohet gjithashtu me një destinacion të përcaktuar nga paraardhësi i tij: në Iznik të Turqisë (Türkiye), ndalesë e detyrueshme për të përkujtuar 1700-vjetorin e Koncilit I të Nikesë; dhe në Libanin e munduar, për të përmbushur një premtim të bërë nga vetë Françesku, të cilin lufta dhe sëmundja e patën penguar ta mbante.

Udhëtimi i parë apostolik i një Pape është i destinuar të shënojë papninë e tij: ky ishte rasti për Palin VI, i cili në janar 1964 bëri një shtegtim historik në Tokën Shenjte, duke përqafuar Patriarkun e Kostandinopojës, Atenagorën. Ishte e njëjta gjë për Gjon Palin II dhe shtegtimin e tij në Puebla të Meksikës. E e njëjta gjë, edhe për Françeskun, me përqafimin e miliona të rinjve në Brazil. Nga një rastësi e veçantë, shtegtimi që fillon në orët e ardhshme, duke e çuar Leonin fillimisht në Ankara, Stamboll dhe Iznik, pastaj në Bejrut, përfaqëson një lloj sinteze gjeografike të dy temave kryesore, që dolën në këto muaj të parë të papnisë së tij: unitetin dhe paqen.

Uniteti është në zemër të fazës së parë, për të përkujtuar një koncil, që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kishës, duke shpallur besimin e fesë në Jezu Krishtin, Birin e Zotit. Nuk mund ta mohojmë: duhet të shikojmë nga takimi i Nikesë dhe, në të njëjtën kohë, nga plaga e Kishës së ndarë, e cila vazhdon të rrjedhë gjak - e që në vitet e fundit pa të lindin përçarje të reja. Kthimi me kujtime të gjalla në një kohë kur Kishat ishin të bashkuara, në një koncil që kremtohej edhe për të unifikuar datën e Pashkëve, është shenjë shprese.

Uniteti i Kishës, uniteti ndërmjet Kishave, dialogu ekumenik, kthimi në rrënjët e Ungjillit, të Etërve, të këshilleve të hershme, është një mënyrë për t'u prekur nga fjalët e Jezusit: "që të gjithë të jenë një; e që, ashtu si ti, Atë, je në mua, edhe unë në ty, ashtu edhe ata të jenë në ne, e bota të besojë se ti më dërgove". Uniteti i besimtarëve në Krishtin është me vlerë të pallogaritshme, jo vetëm për shpalljen e Ungjillit. Edhe për paqen botërore.

Kjo paqe ende mungon në tokën ku Jezusi e jetoi jetën e tij tokësore, mungon në tokat izraelite dhe palestineze, mungon në Liban, i bombarduar nga ushtria izraelite për t'iu kundërvënë militantëve të Hezbollahut.

Pjesa e dytë e shtegtimit e çon Leonin XIV në një rajon të prekur nga konfliktet, që kanë marrë një numër marramendës jetësh njerëzore, veçanërisht civilë, veçanërisht fëmijë. Papa, i cili iu paraqit botës me fjalët e para të thëna nga Jezusi pas ringjalljes: "Paqja qoftë me ju të gjithë!", në fillim të papnisë së tij, shkon për të prekur plagët e një populli që nuk ka njohur paqe për dekada të tëra. Ai shkon për të dhënë dëshminë e tij të pafuqishme, aty ku edhe në ditët e fundit jehoi gjëmimi i kobshëm i bombave, për t'i thënë jo pashmangshmërisë së luftës, urrejtjes dhe dhunës. Ai shkon për të ngushëlluar të krishterët që jetojnë në atë vend dhe në vendet e tjera fqinje dhe që tundohen ta braktisin atmen, për të kujtuar sa e çmuar është prania e tyre dhe dëshmia e vëllazërisë dhe e bashkëjetesës paqësore, me ndjekësit e feve të tjera.

26 nëntor 2025, 15:36