Logoja e Ditës Botërore të Rinisë Seul 2027 (Dikasteri Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën) Logoja e Ditës Botërore të Rinisë Seul 2027 (Dikasteri Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën)

Lutja e Ditës Botërore të Rinisë në Seul: ftesë për ta jetuar Ungjillin me guxim

Në Solemnitetin e Krishtit Mbret, të dielën më 23 nëntor, u publikua lutja, që do t'i shoqërojë të rinjtë gjatë Ditës Botërore të Rinisë, planifikuar për 3-8 gusht 2027, në Kore

R.SH. / Vatikan

Frymëzohet nga vargu i Ungjillit të Gjonit"Keni guxim! Unë e munda botën", lutja zyrtare që do t'i shoqërojë të rinjtë dhe gjithë bashkësinë kishtare në shtegtimin drejt Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, në Seul 2027, e planifikuar për 3-8 gusht. Dje, më 23 nëntor, në Solemnitetin e Krishtit Mbret, Komiteti Organizativ Lokal i Ditës Botërore të Rinisë publikoi lutjen. Ajo synon - siç thuhet në një deklaratë - të jetë "ftesë për të rinjtë, që të besojnë në fitoren e amshuar të Krishtit dhe ta jetojnë Ungjillin e shpresës, të unitetit dhe të mëshirës, në një kohë të përshkuar nga sfida dhe ndryshime të thella".

Temat e Lutjes

Pesë janë temat e lutjes: mirënjohja për thirrjen universale të Zotit dhe për dashurinë e tij të pakushtëzuar për çdo të ri; besimi ndaj Atit që mbledh bijtë e tij në bashkësi dhe unitet; fitorja përfundimtare e Krishtit, i cili e thërret çdo njeri të jetojë me guxim dhe vetë-dhurim, duke njohur në Kryq ngadhënjmin e dashurisë e të faljes; thirrja e Shpirtit Shenjt, "Flakë e Dashurisë", kujtesë e gjallë e zanafillës së Kishës në Kore, e martirizimit dhe fryteve të paqes, dashurisë e së vërtetës, që plazmuan historinë e saj; impenjimi për shtegtim si Kishë sinodale, shtegtare në dëgjim, dallim dhe bashkëpërgjegjësi.

Lutja përfundon me ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, Pajtore Qiellore e Koresë dhe shenjtorëve pajtorë të DBR-së, Seul 2027.

Një lutje sinodale

Njëra nga risitë e tekstit ka të bëjë me origjinën e tij: fillimisht nisi nga ipeshkvijtë vendas, por më pas u zhvillua në një shtegtim të përbashkët dëgjimi, lutjeje e njohjeje. Ushtrimet shpirtërore dy-ditore, përgatitur gjatë dy muajve nga vullnetarë, meshtarë, anëtarë të stafit dhe të rinj të huaj që jetojnë në Seul, përfshinin katekizëm tematik, adhurim eukaristik, lectio divina, kohë lutjeje personale dhe të përbashkët, si dhe seanca të përgatitura shkrimi dhe rishikimi.

Në këtë ngjarje morën pjesë shtatëdhjetë e shtatë persona, përfaqësues të ndryshëm të Kishës në Kore: të rinj të dërguar nga dioqezat dhe institutet rregulltare, të rinj nga kultura të tjera, priftërinj, burra dhe gra, rregulltarë dhe anëtarë të komitetit organizues. Pas shqyrtimit të një varianti paraprak, teksti iu dorëzua Konferencës së Ipeshkvijve Koreanë e, më pas, u miratua nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën.

Rizbulimi i Sinodalitetit

DBR Seul 2027 do të kremtohet në një kohë kur Kisha është e thirrur të rizbulojë “sinodalitetin e vërtetë", pohon Kryeipeshkvi Peter Soon-taick Chung, kryetar i Komitetit Organizativ Lokal. "Koreja, me historinë e saj  gjithnjë në kërkim të së vërtetës, dashurisë dhe paqes, u ofron të rinjve një vend të privilegjuar që ta pyesin veten lidhur me guximin e nevojshëm për t’i dëshmuar këto vlera në solidaritet".

Kardinali Kevin Farrell, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, kujtoi rastësinë e veçantë të botimit të lutjes në Solemnitetin e Krishtit Mbret. "Kjo - theksoi kardinali Farell - është dita në të cilën të gjitha Kishat e veçanta festojnë çdo vit DBR-në në nivel lokal. Prandaj i ftoj të rinjtë të bashkohen në takim, në komunitetet e tyre dhe me ipeshkvijtë e tyre, duke lartuar së bashku brohorinë e paqes, të vëllazërisë dhe të shpresës, për të cilën bota ka kaq shumë nevojë".

Lutja e DBR-së Seulit 2027

Zot i dashur i gjithë të rinjve,

Të falënderojmë që na thirre në dashurinë dhe mëshirën tënde të pambaruar.

Ati ynë, besojmë në Ty.

Të rinjtë në mbarë botën u ngushëllofshin në përqafimin e Kishës sate

dhe u ngazëllefshin thellësisht në gëzimin e bashkimit dhe të unitetit.

O Zot Jezu Krisht, ti Ngadhënjyes i botës, sot e përgjithmonë!

Çdo njeri e zbuloftë shpresën, që është në thirrjen tënde për guxim, duke kuptuar se kryqi i dashurisë dhe i faljes është fitorja e vërtetë mbi botën.

O Shpirti Shenjt, Flakë e Dashurisë,

me dorën tënde të mrekullueshme,

ti mbjell farët e besimit në Kore.

Ndize në zemrat tona flakën e besimit të martirëve koreanë,

na bëj dishepuj që jetojnë Ungjillin e paqes, të dashurisë dhe të së vërtetës.

O Zot, lutemi që nëpërmjet këtij shtegtimi të DBR-së,

të mund ta dëgjojmë njëri-tjetrin, duke ndjekur vullnetin tënd

dhe të bëhemi Kishë sinodale,

duke ecur së bashku me të gjithë popullin e Zotit. Amen.

Zonja jonë e mëshirës dhe e paqes,

lutu për ne!

Shenjtorët Mbrojtës të Ditës së Re të Seulit 2027,

lutuni për gjithë të rinjtë!

24 nëntor 2025, 15:00