Mons. Russo: diplomatët e Selisë së Shenjtë, jo funksionarë, por barinj në shërbim të popujve

Në Jubileun e Personelit Diplomatik të Selisë së Shenjtë, sekretari i Seksionit për Personelin Diplomatik thekson rrënjën meshtarake të shërbimit të Përfaqësive Diplomatike Papnore: “Çdo dosje, notë verbale apo negociatë përgatitet me një vështrim baritor: kërkojmë paqen, mbrojtjen e të cenueshmëve, lirinë fetare, jo interesin e një Shteti”

R.SH. / Vatikan

Jo “funksionarë” dhe jo vetëm “ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare”, por mbi të gjitha “barinj” që “shërbejnë bashkimin e Kishës dhe paqen mes popujve”. Kështu monsinjor Luciano Russo, sekretar i Seksionit të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit për Personelin Diplomatik, përshkruan profilin e diplomatëve të Selisë së Shenjtë me rastin e Jubileut që u është kushtuar atyre. Një ditë pas audiencës me Papa Leonin XIV, prelati thekson për media të Vatikanit “vështrimin baritor” në rrënjën e çdo veprimi apo zgjedhjeje të Përfaqësive Diplomatike Papnore dhe rithekson rëndësinë e lutjes, dëgjimit, shqyrtimit dhe jetës autentike të bashkimit për një mision të besueshëm dhe besnik ndaj Kishës.

Shkëlqesi, diplomati i Selisë së Shenjtë është para së gjithash një meshtar dhe një bari. Si ndërthuren konkretisht dimensioni diplomatik dhe fryma baritore në jetën e përditshme të një Nunci dhe të personelit të Përfaqësive Diplomatike Papnore?

E jona është një thirrje unitare. Ne nuk jemi meshtarë në disa kontekste dhe diplomatë në të tjera: në çdo situatë mbetemi barinj. Dimensioni pastoral nuk është një shtesë “e devotshme” ndaj punës diplomatike, është ajo që i jep kuptim. Nëse e humbim, bëhemi thjesht funksionarë, dhe kjo do të ishte e kundërta e asaj që na mëson Magjisteri i Kishës. Konkretisht, kjo do të thotë se dita e një përfaqësuesi diplomatik të Selisë së Shenjtë fillon dhe mbaron si meshtar: kremtimi i Eukaristisë, lutja, dëgjimi i Fjalës së Zotit. Çdo dosje, çdo notë verbale apo çdo negociatë përgatitet me një vështrim naritor: kërkojmë gjithmonë paqen, mbrojtjen e më të cenueshmëve, lirinë fetare, dinjitetin e çdo personi, jo interesin e një Shteti. Diplomati i Selisë së Shenjtë nuk përfaqëson vetëm një institucion, por Pasardhësin e Pjetrit dhe, me të, afërsinë e Kishës. Për këtë arsye nuk mund të mbyllet në Nunciaturë as të kufizohet në dimensionin protokollar: duhet të njohë vendin, të vizitojë komunitetet, të dëgjojë plagët dhe shpresat e njerëzve. Kur kujtojmë se shërbimi ynë lind nga altari dhe nga Ungjilli, atëherë edhe aktet më teknike – një raport, një firmë, një ndërmjetësim – rigjejnë shpirtin e tyre dhe bëhen një rast për dëshmi ungjillore.

Cili është, sipas jush, qëndrimi njerëzor dhe shpirtëror që ndihmon më shumë për ta jetuar mirë këtë shërbim?

Të jetosh shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë do të thotë të kujtosh se misioni zhvillohet gjithmonë brenda situatave konkrete, ndonjëherë të shënuara nga distanca dhe nga sfida të papritura. Janë prova reale, që vënë në pikëpyetje si ekuilibrin njerëzor ashtu edhe fenë. Është normale të kalosh momente lodhjeje, vetmie apo përshtatjeje kulturore; është pjesë e shërbimit tonë. Megjithatë, pikërisht në këto situata kuptojmë më qartë se nuk jemi vetëm dhe se ajo që bëjmë nuk është një vepër individuale. Përballë këtyre situatave, besoj se ekzistojnë tre qëndrime vendimtare. I pari është ndjenja e vëllazërisë. Është thelbësore të mbahet mend se ecet së bashku: të bashkëndash jetën e përditshme, të mbështesësh njëri-tjetrin, të krijosh një klimë besimi me Nuncin dhe me personelin lokal. Vëllazëria bëhet forma e parë e pranisë pastorale. E dyta është disponueshmëria e brendshme. Në disa kontekste, duhet të mësosh të lejosh veten të edukohesh nga realiteti: nga kultura shumë të ndryshme, nga ritme të ndryshme, nga situata politike apo kishtare komplekse. Jo gjithçka është menjëherë e kuptueshme, por një zemër e disponueshme mundëson transformimin e çorientimit në mësim. E treta, natyrisht, është besimi te Zoti. Në vendet më të largëta perceptohet me qartësi të madhe se shërbimi ynë nuk mbahet vetëm me forcat njerëzore. Zoti shoqëron ata që i besojnë misionin e tyre dhe ofron një dritë të veçantë pikërisht në distanca dhe vështirësi. Detyra jonë mbetet gjithmonë një shërbim ndaj Kishës dhe njerëzimit, sepse kur e kujtojmë këtë, edhe vështirësitë marrin një kuptim tjetër.

18 nëntor 2025, 11:52