Papa do të takojë botën e kinemasë, nga aktorët te regjisorët
R.SH. / Vatikan
Miqtë e tij të hershëm në qytetin e tij të lindjes në Çikago thonë se Robert Francis Prevost gjithmonë i pëlqente të shikonte filma. Në vitin e Jubileut, Papa Leoni XIV dëshiron të thellojë dialogun me botën e kinemasë, dhe në veçanti me aktorët dhe regjisorët, duke eksploruar mundësitë që krijimtaria artistike i ofron misionit të Kishës dhe promovimit të vlerave njerëzore. Papa do të presë kështu një përfaqësi të "artit të shtatë" të shtunën, më 15 nëntor, në orën 11:00, në Pallatin Apostolik në Qytetin e Vatikanit. Në prag të takimit, thekson në një komunikatë Dikasteri për Kulturën dhe Edukimin, Leoni XIV do të ndajë në një video-mesazh disa tituj domethënës për të frymëzuar nga disa filma si : Jeta është e mrekullueshme (1946) nga Frank Capra; Të gjithë së bashku me pasion (1965) nga Robert Wise; Njerëz të zakonshëm (1980) nga Robert Redford; Jeta është e bukur (1997) nga Roberto Benigni.
Takimet e Françeskut me artet figurative dhe humoristët
Takimi promovohet nga Dikasteri i Vatikanit për Kulturën dhe Edukimin në bashkëpunim me Dikasterin për Komunikimin dhe Muzetë e Vatikanit, në vazhdën e takimeve të Papa Françeskut me përfaqësuesit e arteve figurative, në qershor 2023, të humorit, në qershor 2024 dhe në vazhdimësi me Jubileun e fundit të Artistëve dhe Botës së Kulturës, të kremtuar shkurtin e kaluar.
Nga Amelio te Gus Van Sant, disa nga regjisorët dhe aktorët e pranishëm
Bota e kinemasë do të përfaqësohet nga shumë protagonistë ndërkombëtarë. Midis atyre që tashmë kanë dhënë pëlqimin e tyre, përmenden: Gianni Amelio, Roberto Andò, Judd Apatow, Francesca Archibugi, Marco Bellocchio, Monica Bellucci, Wang Bing, Catherine (Cate) Élise Blanchett, Stéphane Brizé, Sergio Castellitto, Liliana Cavani, Maria Grazia Cucinotta, Abel Ferrara, Dante Ferretti dhe Francesca Lo Schiavo, Matteo Garrone, Dag Johan Haugerund, Emir Nemanja Kusturica, Spike Lee, George Miller, Gaspar Noé, Ferzan Özpetek, Paweł Aleksander Pawlikowski, Giacomo Poretti, Stefania Sandrelli, Albert Serra, Giuseppe Tornatore dhe Gus Van Sant. Të premten, më 7 nëntor, gjithmonë në Pallatin Apostolik në Vatikan, Leoni XIV kishte pritur në audiencë Robert De Niro-n, aktorin amerikan 82-vjeçar me origjinë italiane, dy herë fitues i çmimit Oscar.