Dhimbja e Papës për viktimat e zjarrit në Hong Kong
R.SH. / Vatikan
Papa, në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, shpreh trishtimin e tij për zjarrin e tmerrshëm që përfshiu shtatë rrokaqiej në lagjen Tai Po të Hong Kongut pasditen e së mërkurës, më 26 nëntor, duke shkaktuar të paktën 55 viktima, përfshirë një zjarrfikës, 279 të zhdukur dhe dhjetëra të plagosur.
Në mesazhin e tij, në anglisht, drejtuar Kardinalit Stephen Chow Sau-yan, ipeshkvit të Hong Kongut, Leoni XIV siguron "solidaritetin e tij shpirtëror me të gjithë ata që vuajnë nga efektet e kësaj katastrofe, veçanërisht të plagosurit dhe familjet e pikëlluara". Ati i Shenjtë gjithashtu ia beson shpirtrat e të ndjerëve "mëshirës së Plotfuqishmit Zot" dhe lutet "për punonjësit e shpëtimit që vazhdojnë të ofrojnë ndihmë mjekësore dhe të kërkojnë ata që janë ende të zhdukur". Për të gjitha, Papa lutet duke kërkuar prej Zotit bekimin hyjnor të forcës, ngushëllimit dhe paqes.
Bilanci i parë i tmerrshëm i katastrofës u bë nga autoritetet e ish-kolonisë britanike, tani një Rajon i Veçantë Administrativ i Kinës. Zjarri me sa duket u nxit nga skelat prej bambuje që rrethonin kompleksin e ndërtesave në rinovim. 2,000 apartamentet janë të banuara nga 5,000 njerëz dhe për fat të keq, numri i të vdekurve ka shumë të ngjarë të rritet.