Sinodi mbi Sinodalitetin, punimet në Sallën e Shën Palit VI në tetor 2024 Sinodi mbi Sinodalitetin, punimet në Sallën e Shën Palit VI në tetor 2024

Sinodi, publikohen Raportet e ndërmjetme të Grupeve të Studimit

Të themeluara nga Papa Françesku në mars 2024, Grupeve të Studimit kanë dorëzuar raportet e punës së kryer deri më tani, duke filluar nga përfundimi i Sinodit mbi sinodalitetin. Data e dorëzimit të raporteve përfundimtare Papës Leonit XIV është caktuar për 31 dhjetor. Ndër temat e trajtuara janë misioni dixhital, roli i grave, ekumenizmi, poligamia, liturgjia, shërbesa e nuncëve, zgjedhja e ipeshkvijve.

R.SH. – Vatikan

Njëzet muaj pas themelimit të tyre me vullnetin e Papa Françeskut – i cili dëshironte një bashkëpunim më të ngushtë midis Dikastereve të Kuries Romake dhe Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit – dhjetë Grupet e Studimit të thirrura për të thelluar temat e dala në sesionin e dyfishtë të Sinodit mbi Sinodalitetin e Kishës, publikuan sot, më 17 nëntor, Raportet e tyre të ndërmjetme. Një hap përpara, pas prezantimit të raporteve të para gjatë sesionit të dytë të asamblesë (tetor 2024).

“Shpërndarja e këtyre Raporteve të ndërmjetme është e përshtatshme sepse puna e Grupeve kërkon një kohë më të gjatë se sa ishte parashikuar”. Kështu shkruan kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, duke prezantuar tekstet e përditësuara të dhjetë Grupeve të studimit së bashku me Raportet e Komisionit kanonik dhe atij të Secam-it mbi poligaminë.

Dokumentet, të hartuara ndërmjet verës dhe vjeshtës, ilustrojnë gjendjen e punës dhe metodën që i udhëheq, të bazuar në dëgjimin reciprok, krahasimin me episkopatet, analizën e kontributeve dhe kërkimin e përbashkët të hapave që duhen ndërmarrë në bindje ndaj Shpirtit Shenjt.

Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit kujton se Grupet lindin nga Sesioni i Parë i Asamblesë së XVI dhe janë themeluar nga Papa Françesku në mars 2024, në lidhje me Dikasteret e Kuries Romake, të cilave u bashkohet puna e dy Komisioneve. Në të njëjtën kohë prezantohet Grupi i ri i studimit mbi liturgjinë në perspektivë sinodale, i autorizuar nga Papa Françesku dhe i konfirmuar nga Papa Leoni XIV, themelimi i të cilit u bë publik më 7 korrik 2025 dhe që u mblodh për herë të parë më 29 korrik. Sekretaria e Sinodit të Ipeshkvijve informon se të gjitha Raportet janë publikuar në italisht dhe anglisht, me treguesin e gjuhës origjinale.

17 nëntor 2025, 15:33