Turqia, Imzot Bizzeti: Papa do ta nxisë dialogun ekumenik e ndërfetar
R.SH. / Vatikan
"Në muajt pas tërmetit të tmerrshëm në Turqi, dy vjet më parë, Caritas duhej të zgjeronte me shpejtësi veprimtarinë e vet. Ndaj ne të gjithë punuam së bashku, katolikë dhe myslimanë, duke shembur muret tradicionale të ndarjes dhe duke dëshmuar se si dialogu më i thellë ndërfetar, siç tha Papa Françesku, është ai i jetës, veçanërisht i ndihmës së të varfërve".
Imzot Paolo Bizzeti, kryetar i Caritasit të Turqisë nga viti 2019 e deri pak ditë më parë, vijon ta vlerësojë bashkëpunimin ndërfetar të katolikëve me myslimanët në emër të atyre që u prekën nga tërmeti, parë si një nga përvojat më të çmuara të qëndrimit të tij të gjatë në Turqi. Prelati, i cili ishte Vikar Apostolik i Anadollit që nga viti 2015 - deri në vitin 2024 dhe që ka njohuri të thella për këtë rajon, shprehu mendimet dhe përshtypjet e tij për shtegtimin e ardhshëm apostolik të Papës në Turqi - me median e Vatikanit. Nga 27 deri më 30 nëntor, Papa Leo XIV do të bëjë udhëtimin e tij të parë apostolik në Turqi.
Do të jetë në Turqi, ku të krishterët janë pakicë. Sipas mendimit tuaj, çfarë rëndësie ka kjo vizitë për ta?
Të vizitosh personalisht grigjën dhe t’i afrohesh Bariut të Mirë: ky është qëllimi i këtyre udhëtimeve papnore. Turqia është vend tejet i rëndësishëm jo vetëm për të kaluarën - Krishterimi, siç e dimë lindi në Antioki mbi Oronte. Një herë e një kohë ishte kryeqytet i provincës romake të Sirisë, tani i Turqisë - e shquhej për rëndësinë bashkëkohore të jetës së krishterë. Turqia është laborator në të cilin edhe Kisha Latine duhet të jetë e pranishme në mënyrë aktive e përvujtërisht.
E pastaj është përvjetori i Koncilit të Nikesë...
Vizita e Papës është edhe rast i jashtëzakonshëm ekumenik, ndaj përvjetori i Nikesë do të shërbejë për të ringjallur atmosferën, që i frymëzoi Etërit e Koncilit: duke shprehur besimin e tyre në terma dhe kategori të reja, duke kërkuar atë që bashkon, siç tha Shën Gjoni XXIII. Kjo është detyrë që duhet të ripërtërihet gjithmonë.
A mund ta përshkruani, në përgjithësi situatën shoqërore, ekonomike, fetare dhe humanitare, që Papa Leoni XIV do të gjejë kur të arrijë në Turqi?
Turqia është vend magjepsës si për gjeografinë e saj të larmishme, ashtu edhe për shpirtrat e saj të shumtë etnikë, kulturorë dhe fetarë. Populli turk është shumë i sjellshëm dhe delikat, por ka edhe ashpërsi, mendjengushtësi dhe paragjykime. Shoqërisht dhe politikisht, Turqia ka kaluar nga demokracia, në dukje e stilit perëndimor, e imponuar nga Mustafa Kemal "Ataturku" - në mbylljen ekonomike, që zgjati deri në fund të shekullit të kaluar - në një sërë grushtesh shteti dhe qeverish të korruptuara, në një liberalizëm të pakufizuar, që nxiti zhvillimin e jashtëzakonshme të vendit, jo pa kontradikta dhe spekulime masive me pasurinë e paluajtshme. Nën Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdoganit, është bërë fuqi rajonale shumë e respektuar. Nga ana shoqërore, nuk duhet harruar se ka mirëpritur me bujari miliona refugjatë.
Po panorama fetare në Turqi?
Përsa i përket fesë, është mozaik i Islamit politik, Islamit tradicional fetar, lëvizjes shpirtërore sufiste, lëvizjes alevite, agnosticizmit ose teizmit të shumë njerëzve, e edhe i pakicave të rëndësishme të krishtera. Por kujdesi baritor katolik është i kufizuar rëndë nga ligjet dhe praktikat që pengojnë ndërtimin e kapelave, qendrave rinore dhe qendrave kulturore. Gjithçka zhvillohet në disa famulli, të themeluara sipas Traktatit të Lozanës, një shekull më parë.
Më 6 shkurt 2023, një tërmet me magnitudë 7.8 goditi zonat kufitare ndërmjet Sirisë dhe Turqisë, duke shkaktuar mbi 50,000 të vdekur. Përgjigja e Caritas Turkey, pavarësisht vështirësive të panumërta, ishte masive, e përkushtuar dhe efektive. Si ishte përvoja për Caritas në tërësi?
Numri aktual i viktimave besohet të ketë qenë shumë më i lartë, ndërsa të zhvendosurit ishin qindra-mijëra. Prandaj, ishte tragjedi e madhe, përballë së cilës të gjithë zbuluam brishtësinë tonë, me pasoja që ende rëndojnë mbi grupet më të varfra lokale edhe sot. Për ne në Caritas, ishte sfidë, që na detyroi të rriteshim me shpejtësi, jo pa vështirësi dhe gabime. Por ishim shumë të lumtur që dhamë kontributin tonë, që bashkëpunuam me organizatat lokale dhe kombëtare të ndihmës, dhe që u ftuam dhe u falënderuam zyrtarisht në Ankara. U njohëm, diçka që nuk e kemi parë kurrë më parë - si organizatë që i ndihmon njerëzit me vetëmohim, pa dallim. Si katolikë, jemi krenarë që dhamë kontributin tonë të vogël, duke shfrytëzuar sa më shumë ndihmën që vjen bujarisht nga të katër anët e botës.
Pra mund të themi se puna e Caritas Turkey, e përqendruar pa diskriminim te myslimanët dhe të krishterët, pati edhe efekte pozitive në marrëdhëniet ndërmjet dy grupeve fetare?
Në muajt pas tërmetit, të gjithë punuam së bashku, duke shembur muret tradicionale të ndarjes dhe duke dëshmuar se si dialogu më i thellë ndërfetar, siç tha Papa Françesku, është ai i jetës, veçanërisht në ndihmën e të varfërve.
Çfarë efekti mendoni se do të ketë kjo vizitë apostolike e Papës te punonjësit e Caritasit të Turqisë dhe te mjedisi në të cilin vepron organizata bamirëse?
Sigurisht që do të jetë mundësi e mrekullueshme për të gjithë punëtorët që e ndjejnë veten pjesë e Popullit të Zotit, të bashkuar në shërbimin dhe kujdesin për më të prekshmit, gjë që e karakterizon gjithmonë Krishterimin, në gjurmët e Jezusit, shërbëtor i të gjithëve.