Arkivat Apostolike të Vatikanit (© Arkivat Apostolike të Vatikanit) Arkivat Apostolike të Vatikanit (© Arkivat Apostolike të Vatikanit)

U gjet një formular që daton nga periudha e Gregorit XVI

Manuskripti (Dorëshkrimi i shkruar me dorë) që ishte vjedhur nga Arkivi i Ceremonierëve Papnorë do t'i dorëzohet Arkivit Apostolik të Vatikanit të martën e ardhshme, më 11 nëntor. Dorëshkrimin e kanë gjetur Karabinierët për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

R.SH. / Vatikan

Një "F.71" e stampuar me ar. Kjo ishte shenja, absolutisht autentike, që bëri të sigurt dhe të padiskutueshme identifikimin e një vëllimi të shkruar me dorë që ishte marrë nga Arkivi i Ceremonierëve Papnorë, tani në Arkivin Historik të Zyrës së Kremtimeve Liturgjike të Papës. Bëhet fjalë për një formular, që daton nga koha e papnisë së Gregorit XVI (1831-1846), i përdorur nga Papa për caktimin e titujve kardinalor gjatë Koncistorit. Shkurtesa i referohej një katalogu të vitit 1864 në të cilin mungonte pikërisht ky manuskript.

Një detaj i manuskriptit

Një detaj i manuskriptit
Një detaj i manuskriptit

Manuskripti u gjet pas një sinjalizimi të ardhur në Zyrën e Eksportit të Mbikëqyrjes Speciale të Arkeologjisë, Arteve të Bukura dhe Peizazhit të Romës, Komanda e Karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Të martën e ardhshme, më 11 nëntor, në orën 10, në Arkivin Apostolik të Vatikanit, në Sallën e Meridianeve të Kullës së Erërave, manuskripti do të dorëzohet nga Koloneli Paolo Befera, Komandant i Repartit Operativ të njësisë së Karabinierëve, prefektit të Arkivit Papnor, At Rocco Ronzani, të cilit sipas ligjit të Vatikanit për arkivat, i takon detyra të promovojë kërkesën për trashëgiminë arkivore të Selisë së Shenjtë pranë autoriteteve kompetente të huaja.

Ndër ndërhyrjet e parashikuara janë ato të imzot Giovanni Cesare Pagazzi, Arkivist dhe Bibliotekar i Kishës së Shenjtë Romake; imzot Gian Franco Saba, ipeshkëv Ordinar Ushtarak për Italinë, don Giovanni Tanca, sekretar i veçantë. Të pranishëm janë gjithashtu doktoresha Daniela Porro, Mbikëqyrëse e Mbikëqyrjes Speciale të Arkeologjisë, Arteve të Bukura dhe Peizazhit të Romës, doktoresha Antonella Bonini, drejtore e Zyrës së Eksportit, dhe doktor Alessandro Mascherucci, zyrtar i Mbikëqyrjes Speciale.

 

04 nëntor 2025, 10:07