Flamuri i Shtetit të Qytetit të Vatikanit Flamuri i Shtetit të Qytetit të Vatikanit

Arqipeshkvi Salvatore Pennacchio: Ndërtimi i paqes në një botë konflikti është misioni i Selisë së Shenjtë

Kryetari i Akademisë Papnore Kishtare ilustron punën diplomatike të Selisë së Shenjtë, rëndësinë e nunciaturave dhe rolin e përfaqësuesve papnorë në këtë epokë të karakterizuar nga ndryshimet e papritura, tensionet dhe nga një «realitet gjithnjë e më i globalizuar dhe i ndërlikuar». Një konferencë mbi këtë temë mbahet sot, më 17 janar, në Pallatin Apostolik, ku do të marrë pjesë kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit.

R.Sh. Vatikan

«Ndërtimi i urave të paqes dhe drejtësisë, rivendosja e lidhjeve dashamirëse dhe promovimi i një qytetërimi të themeluar te dashuria dhe respekti për dinjitetin e çdo personi.» Kështu e përmbledh imzot Salvatore Pennacchio, kryetar i Akademisë Papnore Kishtare, misionin dhe veprimin diplomatik të Selisë së Shenjtë përballë sfidave të reja dhe të shumëfishta me të cilat përballet bota sot. Kjo është tema e një konference që zhvillohet sot, më 17 janar, në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Kësaj do t’i paraprijë një përshëndetje nga Papa Leoni XIV. Konferenca ka në rend të ditës, më pas, një fjalim nga kancelari i madh i Akademisë Papnore Kishtare, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kard. Pietro Parolin. Më pas do të vijojë një pasqyrë historike rreth akademisë nga prof. Silvano Giordano dhe një tjetër rreth reformës së institutit nga prof. Vincenzo Buonomo, drejtor shkencor. Në fund, konferenca do të përfshijë një fjalim nga ambasadori i Qipros, Georges Poulides, dekan i Trupit Diplomatik në Selinë e Shenjtë. Vetë Imzot Pennacchio do të çelë konferencën me një lutje dhe përshëndetje.

Ndërsa rreth temave qendrore të konferencës, imz. Pennacchio u shpreh duke pasur parasysh ngjarjet aktuale.

Imzot Pennacchio, cili është veprimi diplomatik i Selisë së Shenjtë përballë sfidave të reja dhe të shumta të botës së sotme?

Shërbimi diplomatik i Selisë së Shenjtë është një shërbim bashkimi që merr forcë te Krishti dhe Ungjilli dhe shprehet te afërsia, dëgjimi i vëmendshëm i tjetrit dhe dialogu i vazhdueshëm. Sot, në një botë të shënuar nga konflikti, ndryshimet gjeopolitike, ndryshimet kulturore dhe mjedisore, diplomacia e Vatikanit është e thirrur të përballet çdo ditë me një realitet gjithnjë e më të globalizuar dhe të mpleksur. Misioni i saj është t'i përgjigjet një nevoje të ngutshme: ndërtimit të urave për paqen dhe drejtësinë, të rivendosë lidhje dashamirësie dhe të promovojë një qytetërim të themeluar mbi dashurinë dhe respektin për dinjitetin e çdo personi. Për ata që bashkëpunojnë me Pasardhësin e Pjetrit është thelbësore zhvillimi i një këndvështrim të vëmendshëm, largpamës dhe veprues. Duhet të jenë të aftë për të dëgjuar zërin e Hyjit dhe për ta zbatuar atë në veprime konkrete, veçanërisht në shërbim të më të vegjëlve.

Çfarë vlere ka prania e gjerë e Nunciaturave Apostolike në pesë kontinente në këtë epokë të plagosur nga konfliktet?

Prania e Nunciaturave Apostolike në vende të ndryshme në të gjithë botën, disa të plagosura keq nga konflikti dhe përçarja, shpreh vëmendjen e posaçme e të vazhdueshme të Papës ndaj Kishës universale dhe Kishave vendore, duke nxjerrë në pah vullnetin e mirë që nuk gjendet larg, por është i rrënjosur në viset ku jetojnë njerëzit e përfshirë në luftë. Shërbimi diplomatik, siç theksoi Sekretari i Shtetit Kardinal Pietro Parolin në kuadrin e Vitit Jubilar të Akademisë Kishtare Papnore, është pjesë jetësore e shërbimit petrin. Nëpërmjet saj Papa shfaq afërsinë e tij që arrin tek të gjithë, duke dëshmuar fytyrën e një Kishe që është nënë e vëmendshme dhe e mëshirshme. Angazhimi i Përfaqësuesve Papnorë, pra, është të konsolidojnë dëgjimin e drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm të situatave në secilin vend, duke e lejuar Selinë e Shenjtë të luajë një rol ndërmjetësimi fisnik dhe të durueshëm, për ta drejtuar veprimin e saj drejt paqes, dialogut dhe respektit për dinjitetin e personit njerëzor.

Në prill të vitit 2025, Papa Françesku miratoi ​​një dokument kirograf që përditësonte programet për studentët e Akademisë Papnore Kishtare, e cila njihet zakonisht si «Shkolla e Nuncave». Si e ka ndryshuar kjo reformë trajnimin e përfaqësuesve të ardhshëm papnorë? Dhe çfarë ndihme apo shtytjeje të re ka ofruar?

Me këtë dokument papnor, Papë Françesku e strukturoi Akademinë si institut të arsimit të lartë për shkencat diplomatike, duke e përshtatur atë me vizionin e propozuar nga Kushtetuta Apostolike «Veritatis Gaudium» dhe me standardet ndërkombëtare të studimeve universitare. Fillimi i vitit akademik 2025-2026 nisi me zbatimin e reformës, duke u mundësuar studentëve të rinj programe arsimore të hartuara për të kombinuar trajnimin e nevojshëm kanonik dhe shkencat diplomatike me historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, stilin diplomatik, të drejtën dhe praktikën ndërkombëtare, dhe, së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, studimin e gjuhëve moderne. Kjo ripërtëritje, megjithatë, nuk kufizohet vetëm te një qasje thjesht teknike, që synon vetëm përvetësimin e njohurive teorike, por një program gjithëpërfshirës dhe kompleks, i cili nxit formimin e plotë të akademikëve. Ne mbetemi të bindur se akademiku duhet, mbi të gjitha, të jetë njeri i Zotit, i aftë të veprojë si instrument i bashkësisë kishtare, me tagrin për të shoqëruar udhëtimin e dioqezave vendore dhe të të gjithë të pagëzuarve. Prandaj, ai ose ajo duhet të jetë një përfaqësues i kualifikuar, në gjendje t'i qaset detyrës që e pret me ndjenja njerëzore, ndjeshmëri institucionale dhe kompetencë të sprovuar.

Akademia Kishtare krenohet me një histori shekullore. Si ka arritur ti kapërcejë ndryshimet e epokave dhe epokat e ndryshimeve?

Viti Jubilar që Akademia Papnore Kishtare po feston këtë vit është, para së gjithash, mundësi për të falënderuar Hyjin për udhëtimin e ndërmarrë në vitin 1701 me vullnetin e Papë Klementit XI. Ky përvjetor i rëndësishëm nuk është vetëm kohë për të festuar ngjarjet e kaluara, por edhe rast për të treguar gatishmërinë e gjithmonshme të Kishës, «semper reformanda»  gjithnjë për t’u reformuar, duke përshtatur dhe përditësuar trajnimin e meshtarëve të paracaktuar për shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë. Ky përvjetor nuk është vetëm një cak kohor i rëndësishëm por gjithashtu fton secilin prej nesh në një përkushtim të ripërtërirë të Akademisë ndaj misionit të saj. Po jetojmë një kohë kujtese dhe falënderimi që, nga njëra anë, ngushëllon dhe mbështet institucionin, dhe nga ana tjetër, na nxit të angazhohemi për risitë e kohës sonë. Ne besojmë se forca e Akademisë në udhëheqjen e diplomatëve të ardhshëm qëndron pikërisht te besnikëria e saj ndaj Ungjillit. Është nëpërmjet kësaj besnikërie që institucioni mund t'i shërbejë Papës dhe Kishës, duke gjetur gjithmonë mjete bashkëkohore për të lexuar dhe interpretuar historinë me sytë e  besimit.

Me rastin e Jubileut të Bashkëpunëtorëve të Përhershëm në Përfaqësitë Papnore, Papa Leoni XIV dha udhëzime të vlefshme për shërbimin diplomatik dhe e nxiti atë të çojë shpresë edhe në vende konfliktesh dhe lufte. Si mund të arrihet kjo?

Gjatë takimit, Papa Leoni XIV theksoi nevojën e ngutshme për paqe, jo vetëm për Kishën, por për mbarë botën. Për diplomatët e Selisë së Shenjtë ky angazhim është i rrënjosur në virtytin e shpresës, në besimin se paqja lind mbi të gjitha si dhuratë nga Hyji. Është detyra e Përfaqësuesit Papnor ta ushqejë këtë shpresë në dritën e Krishtit, me një jetë shpirtërore të bazuar te dëgjimi i përditshëm i Fjalës së Zotit dhe tek urata. Siç kujtoi Papa, diplomacia e Vatikanit nuk është thjesht teknike – ajo lind nga Ungjilli, i cili e frymëzon, e udhëzon dhe e mbështet atë. Edhe në zonat e konflikteve ose aty ku është më vështirë të ndërtohen ura paqeje, diplomatët janë të thirrur të dëshmojnë dashurinë e Atit, duke u qëndruar pranë atyre që vuajnë dhe duke u kujdesur për më të varfrit dhe më të braktisurit në shoqëri. Siç pati theksuar Shën Pali VI, «është një shërbim i pashoq dhe i privilegjuar, shpesh i errët dhe i panjohur», që lejon farat e shpresës të mbijnë edhe në situatat më të vështira.

17 janar 2026, 00:17