Në foto: Kryqi Olimpik dhe Paralimpik në Romë, janar 2026. Në foto: Kryqi Olimpik dhe Paralimpik në Romë, janar 2026.

«Athletica Vaticana» do të çojë Kryqin Olimpik në Milano për Lojërat Dimërore 2026

Më 29 janar, «Athletica Vaticana» do të dorëzojë Kryqin Olimpik dhe Paralimpik në një Meshë në Bazilikën e San Babilës. Kjo do të shërbejë si «Kisha e Atletëve» gjatë gjithë Lojërave Dimërore.

R.Sh. Vatikan

Qysh prej Lojrave Olimpike të Londrës 2012, Kryqi Olimpik dhe Paralimpik i ka shoqëruar atletët pandërprerje. Lojërat e ardhshme Dimërore Milano-Kortina do të vijojnë në këtë traditë.

Kështu, të enjten, më 29 janar, në orën 18:30, «Athletica Vaticana» – e cila është shoqata sportive zyrtare e Selisë së Shenjtë – do të dorëzojë Kryqin gjatë një Meshe në Bazilikën e San Babilës në Milano.

Arqipeshkvi i Milanos, imzot Mario Delpini do të kryesojë në këtë kremtim me ipeshkvin Paul Tighe, sekretar i Dikasterit për Kulturë dhe Arsim. Po ashtu, do të jenë të pranishëm edhe kryetari dhe nënkryetari i «Athletica Vaticana».

«Kisha e Atletëve»

Mesha shënon pragun e Armëpushimit Olimpik, i cili – sipas rezolutës së miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 19 nëntor – do të fillojë një javë para Lojërave Olimpike, më 6 shkurt, deri javën pas Lojërave Paralimpike. Ceremonia e mbylljes do të mbahet më 15 mars.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, Bazilika e San Babilës do të shndërrohet në “Kishën e Atletëve”, dhe do të presë kremtime e ngjarje të ndryshme që lidhen me Lojërat.

Kryqi u përshkua nëpër Portën e Shenjtë

Kryqi i Atletëve iu besua shoqatës «Athletica Vaticana» më 14 qershor gjatë Jubileut të Sportit me Papën Leoni XIV. Është një simbol shpirtëror në qendër të të gjitha displinave sportive të botës.

Thomas Bach, kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar së bashku me kardinalin José Tolentino de Mendonça, prefekt i Dikasterit për Kulturë dhe Arsim, e përshkuan Kryqin nëpër Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit.

«Athletica Vaticana» e mori më pas Kryqin nga një delegacion prej Parisit, i cili ishte dërguar posaçërisht për Jubileun, në lidhje me Lojërat e vitit 2024. Momenti i lutjes shënoi fillimin e shtegtimit të Jubileut nga Piazza Pia përgjatë Udhës së Pajtimit, në Romë, deri te Porta e Shenjtë e Bazilikës së Shën Pjetrit.

Një kryq me drunj nga e gjithë bota

Kryqi i Atletëve u prodhua nga artisti anglez Jon Cornwall posaçërisht për Lojërat e Londrës 2012. Kjo u bë me kërkesë të bashkërendimit të nismave katolike në Joshua Camp, një takim ndërkombëtar olimpik katolik.

Kryqi përbëhet nga pesëmbëdhjetë copa të ndryshme druri – përfshirë podiumin që e mban. Çdo copë është zgjedhur me kujdes nga vise prej të gjithë botës si Toka e Shenjtë, Kina, Rusia, Afrika e Veriut, Afrika e Jugut, India, Australia, Brazili, Argjentina, Xhamajka, Amerika e Veriut dhe Mbretëria e Bashkuar.

Nga Londra në Milano

Kur u mbyllën Lojrat e Londrës 2012, Kryqi iu besua arqidioqezës së Rio de Janeiros për Lojërat Olimpike dhe Paralimpike 2016.

Gjatë Ditës Botërore të Rinisë 2013 në Brazil, Papa Françesku e bekoi Kryqin. Më vonë, Kryqi ishte i pranishëm në Kupën Botërore të FIFA-s 2014 në Rio.

Për shkak të pandemisë COVID, nuk u zhvilluan veprimtari për Lojërat Olimpike të Tokios 2020. Kështu që Kryqi u soll në Lisbonë për Ditën Botërore të Rinisë para se të vendosej në Paris te "Altari i Atletëve" në kishën e Shën Marisë Madalenë.

28 janar 2026, 08:49