Në foto: kard. Michael Czerny gjatë leximit të mesazhit për Ditën Botërore të të Sëmurëve 2026. Në foto: kard. Michael Czerny gjatë leximit të mesazhit për Ditën Botërore të të Sëmurëve 2026.

Dita botërore e të sëmurëve, kard. Czerny: mikpritje dhe përkujdes me gjuhën e zemrës

Kardinali Michael Czerny, prefekti i dikasterit të Vatikanit për Zhvillimin Njerëzor paraqiti mesazhin e Papës për Ditën e XXXIV Botërorer kushtuar të Sëmurëve. Imzot Daubanes: në Lourdes, «të gjithë ne kuptojmë se jemi të plagosur». Giulia Civitelli, vullnetare në klinikën «Caritas» në stacionin hekurudhor Termini: «Lidhja» është çelësi i mbështetjes. Marina Melone, vullnetare në Shtëpinë «Il Gelsomino»: mikpritje do të thotë «të gjendesh aty».

R.Sh. Vatikan

Nëse «shërimi është detyra e mjekësisë», këtu po flasim për «shërimin» si diçka «më të gjerë dhe më të thellë sesa thjesht mjekim i sëmundjeve». Kjo gjë «kërkon guxim», duhet ta «lexojmë me kujdes dhe ta marrim seriozisht, me mendje të hapur dhe zemër të hapur», sepse pastaj «nuk mbetesh më ai». Me këto fjalë, të martën e kaluar, më 20 janar, kardinali Michael Czerny, prefekt i dikasterit të Selisë së Shenjtë për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, paraqiti në Zyrën e Shtypit të Vatikanit, mesazhin e Papës Leoni XIV për Ditën e 34-të Botërore të të Sëmurëve që kremtohet më 11 shkurt të ardhshëm.

Sa rëndësi ka takimi me të sëmurët?

«Si i trajtojmë të sëmurët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe të varfrit që janë në mesin tonë?». Kjo është pyetja themelore së cilës i përgjigjet një letër papnore e cila jo vetëm «na kthen te zanafilla», theksoi kard. Czerny, por është e vërtetë «për të gjithë», si për të krishterët ashtu edhe për jo të krishterët. Më pas, kard. Czerny ilustroi tri pjesët kryesore të kësaj përkujdesjeje: takimi, «i rëndësishëm jo vetëm për të sëmurët, por për të gjithë»; dhembshuria, «pa të cilën nuk ka shërim» dhe, e treta, dashuria e vërtetë. Asnjëherë më parë, në botën e sotme – e ndërlidhur sa s’ka më – nuk është folur kaq shumë për «izolimin, vetminë dhe mungesën e shpresës», nënvizoi kard. Czerny. «Të gjithë kanë nevojë për «një vesh që dëgjon», prandaj takimet me të sëmurët duhet të jenë «të vërteta, jo sentimentale, të shkurta, elektronike». Një takim «i vërtetë», «i guximshëm», «gjithëpërfshirës», sipas shembulltyrës së Samaritanit të Mirë të ungjillit, që propozon Papa Leoni XIV në mesazhin e tij, është një shembull «jo për t’u admiruar, por për t'u imituar».

Njerëzimi si trup i vetëm

Ndonëse i drejtohet punonjësve katolikë të kujdesit shëndetësor dhe meshtarëve, mesazhi papnor i këtij viti, vazhdoi kard. Czerny, «i drejtohet të gjithëve, sepse ne jemi një trup i vetëm, një njerëzim i vetëm. Jemi vëllezër dhe motra, dhe kur dikush është i sëmurë dhe vuan, të gjitha kategoritë tjera – të cilat krijojnë ndarje – fillojnë e bjerrin rëndësinë e tyre». Në fund të mesazhit të Papës është pastaj, pjesa që i kushtohet «dashurisë së vërtetë» dhe tri tipareve të saj «thelbësore dhe të pandashme»: dashuria për Zotin, dashuria për të afërmin dhe dashuria për veten. Nëse e para është «e pakuptueshme» dhe e treta «e pakapshme», dashuria për të afërmin tonë – kur mendojmë për këdo që ka nevojë për ne – është «brenda mundësive të secilit prej nesh», përfundoi kardinali Michael Czerny.

Si përceptohet afërsia me të sëmurët në Lourdes, Francë

Rektori i Shenjtnores së Zojës së Lurdë, imzot Michel Daubanes foli për përvojën e tij në këtë bazilikë, vend lutjeje dhe shprese për të sëmurët. Ai tregoi se si mesazhi i Papës «ushton fort» dhe përputhet me përvojën e përditshme të kapelanëve që mikpresin shtegtarët, veçanërisht «ata që janë plagosur në rrugëtimin e jetës». Kur i mirëpret ata, u shpreh ai, «është një gëzim i madh», ashtu siç është «gëzim për ta kur mbërrijnë te këmbët e Zojës Sonë, te shpella e Masabielës».

Mrekullia e mikpritjes

Plagët në Lourdes janë «të shumta dhe të dukshme» dhe nuk ka «asnjë përpjekje për t’i fshehur ato. Kush i ka në trup nuk turpërohet sepse janë plagë të vërteta». Por nga ana tjetër, të sëmurë apo jo, «të gjithë kuptojmë se jemi të plagosur dhe për këtë arsye, në të njëjtën kohë, të gjithëve na shëron Krishti, Samaritani Hyjnor», ​​vazhdoi prelati francez që mbarështon Bazilikën e Zojës së Lurdë që nga viti 2022. Këtu çdo ditë ndodh mrekullia e fjalëve «Mirë se të pruni Zoti!», i kushtohet kohë dëgjimit dhe vëllazërisë së vërtetë me të sëmurët. Kjo ndodh edhe me shumë të rinj, të cilët në Lurdë ndjekin «shkollën madhështore të njerëzimit dhe të krishterimit». Të gjithë janë «samaritanë të gëzuar dhe të tjerët preken prej tyre. Zemrat e këtyre të rinjve hapen gjithnjë e më shumë për të sëmurët». Gjendja patologjike nuk ka rëndësi, gjuhët dhe kombësitë nuk janë pengesa të mëdha, sepse «gjuha e përdorur është ajo e bamirësisë». Modeli si funksionon ekonomia këtu, përfundoi imz. Michel Daubanes, bazohet te «bujaria», «vullnetarizmi» dhe «shërbimi pa interes».

«Shërimi nis me mikpritjen»

Klinika ambulatore dioqezane «Caritas» në Romë gjithashtu vepron falas, frymëzuar nga motoja «Mikpritja është shërim qysh tashti». Kështu shprehet Giulia Civitelli, mjeke dhe misionare laike skalabrine, e cila drejton klinikën që gjendet brenda stacionit hekurudhor Termini – klinikë që u shërben njerëzve të lënë krejtësisht mënjanë nga shoqëria, përfshirë të pastrehët dhe të huajt pa leje qëndrimi. E themeluar në vitin 1983 nga Atë Luigi Di Liegro, klinika vepron falë punës së 150 vullnetarëve, të cilët në vitin 2025 ndihmuan 2,500 vetë nga mbi 100 vende të ndryshme. Këtyre grave dhe burrave shpesh u mungon përkujdesi shëndetësor, por gjejnë një vesh që i dëgjon dhe mbështetje në klinikën mjekësore. «Sëmundja, tha Giulia Civitelli, «shpesh ndërthuret me histori dramatike dhe braktisje shoqërore, diskriminim dhe shfrytëzim, dhunë dhe arratisje, trauma dhe prap trauma».

Histori vuajtjesh me marrëdhëniesh njerëzore

Një barrë dhimbjesh, vuajtjesh, poshtërimi dhe prap poshtërimi. Të gjitha këto acarohen «nga shpërfillja e atyre që hasin të sëmurët», vazhdoi mjekja, duke theksuar se nevoja më e madhe e të gjithëve është të « kenë marrëdhënie» me të tjerët, të kenë pranë tyre një prani. Përgjegjësja e klinikës tregoi pastaj historinë e një gruaje shqiptare në prag të vdekjes, e cila, në muajt e fundit të jetës së saj, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj peruvian, të cilin e kishte njohur në fjetoren e «Caritas»-it, kërkoi sakramentet e krishtera dhe të martohej në kishë.

«Të gjendesh aty», edhe në ditët më të këqija

Në fund të këtij takimi që të martën e kaluar u mbajt në Sallën e shtypit të Selisë së Shenjtë, foli edhe Marina Melone, anëtare e Komisionit të Bamirësisë dhe Mikpritjes së famullisë romake të Shën Gregorit VII dhe vullnetare në Shtëpinë «Il Gelsomino». Pikërisht, kjo shtëpi, që prej vitit 2017, strehon prindër dhe fëmijë që mjekohen në spitalin bediatrik «Bambino Gesù». Është një «shtëpi larg shtëpisë» e cila lindi falë një projekti të përbashkët dhe vullnetarëve të famullisë. Të gjithë këta i janë përkushtuar mikpritjes, gjë që do të thotë, para së gjithash, «të gjendesh aty, edhe në ditët e liga», kur lajmet prej spitalit janë të këqija dhe «askush nuk del nga dhoma e vet dhe nuk dëshiron të flasë» – tha znj. Marina Melone. Ky është një angazhim që nuk është i lehtë, veçanërisht kur një fëmijë nuk ia del mbanë, dhe më pas zemërimi dhe pikëllimi i prindërve bëhen pothuajse të pakontrollueshëm. Në raste të tilla, ashtu sikurse gëzohemi kur ndokush shërohet, «ndihemi pjesë e një trupi të bashkuar dhe më të madh», - vijoi Melone

Pyetjet e gazetarëve

Në fund të fjalimeve që u mbajtën, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kardinali Czerny sqaroi se mesazhi i Papës për ditën e ardhshme botërore të të sëmuarve nuk u kërkon thjesht «njerëzve të shëndetshëm të ndihmojnë të sëmurët, sepse secili prej nesh vuan në mënyra të ndryshme», kështu që mënyrat e ndryshme të dashurisë nuk na pengojnë të ndihmojmë të tjerët. Lidhur me dhunën e dhimbjen, kur zgjatja e dorës mund të jetë diçka e vështirë, kardinali Czerny tha se «çdo qytetar mund të ofrojë mbështetje dhe, shpresojmë që shumë gjeste si ai i Samaritanit, do të shndërrohen në politika më të mira». Pyetjes në lidhje me vetëvrasjen e planifikuar me asistencë mjekësore si përgjigje e dhembshurisë, prefekti i dikasterit të Vatikanit për Zhvillimin Njerëzor, kardinali Michael Czerny iu përgjigj se «dhembshuria është diçka e ndryshme» Kjo na nxit që «veprimet tona të flasin në vend të fjalëve». Fjalët e tij i mbështeti edhe atë Michel Daubanes i cili vuri në dukje se «dhembshuri do të thotë të jesh aty, deri në frymën e fundit të të sëmurit.» Braktisja, përsëriti ai, «nuk është kurrë dhembshuri».

 

22 janar 2026, 09:50