John Allen, gazetari që shpjegoi Vatikanin me kompetencë dhe humor
R.SH. / Vatikan
Andrea Tornielli
Vdiq pasi luftoi për katër vjet me kancerin, pa u dorëzuar kurrë dhe duke vazhduar punën deri sa forcat ia lejuan. John Allen Jr., 61 vjeç, ishte themeluesi dhe drejtori i Crux, faqes së internetit të specializuar për të treguar mbi Selinë e Shenjtë dhe Kishën në botë për lexuesit anglishtfolës, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E kam njohur John-in kur mbërriti në Romë 26 vjet më parë, si korrespondent i National Catholic Reporter, duke iu përkushtuar informacionit mbi Papën dhe Selinë e Shenjtë, si dhe duke ndjekur shtegtimet apostolike të Gjon Palit II. Prej tij kujtoj mbi të gjitha buzëqeshjen dhe mënyrën e hapur e të përzemërt të hyrjes në kontakt me njerëzit.
Në vitin 2000, Papa Wojtila, i prekur nga sëmundja, po jetonte Jubileun e madh, një etapë domethënëse të papnisë, dhe po realizonte udhëtime të destinuara për të mbetur në histori. Prej vitesh qarkullonin zëra dhe spekulime mbi "papabilët" e Konklavës së ardhshme (disa prej të cilëve, madje, u thirrën në Shtëpinë e Atit në amshim përpara Papës polak); mijëvjeçari i ri po fillonte me shpresa të mëdha dhe hapje nën iluzionin e "fundit të historisë" pas rënies së komunizmit: "dushi i ftohtë" i përfaqësuar nga atentatet e 11 shtatorit 2001 dhe luftërat e mëpasshme në Afganistan e Irak e ndryshuan rrënjësisht atë perspektivë.
John-i diti të tregojë dhe të interpretojë si ngjarjet e brendshme të Vatikanit dhe të Kishës (mendoj, për shembull, për shfaqjen e skandalit të abuzimeve ndaj të miturve), ashtu edhe rolin e Selisë së Shenjtë dhe diplomacisë së saj në ngjarjet ndërkombëtare, veçanërisht ato ku protagonistë ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në çdo artikull të tij, John-i ndërthurte rigorozitetin dhe vëmendjen ndaj burimeve me çelësa leximi, analiza dhe kontekste; ai këmbëngulte në përdorimin e citimeve "të hapura", gjithmonë të shoqëruara me emra dhe mbiemra. Një aspekt tjetër që e ka karakterizuar gjithmonë punën e tij ishte të mos marrurit e asgjëje si të mirëqenë dhe, rrjedhimisht, të mos shkruarit vetëm për njerëz që ishin tashmë ekspertë të fushës: ai dinte t'i fliste publikut të tij, i cili nuk përbëhej vetëm nga katolikët dhe as vetëm nga besimtarët. Edhe kur nuk ishe dakord me përfundimet e analizave të tij, ia vlente gjithmonë t'i lexoje, sepse John-i e shpjegonte realitetin kompleks të Selisë së Shenjtë pa e banalizuar atë.
Në vitin 2014, John-i u largua nga National Catholic Reporter për të themeluar Crux, fillimisht si pjesë e Boston Globe dhe më pas si medie më vete. Në një kohë të informacionit të masivizuar dhe të thjeshtëzuar, ai e kishte kuptuar se informacioni profesional dhe i specializuar ishte një vlerë, sepse lexuesit – të bombarduar nga lajme shpesh të përafërta – kishin dëshirë dhe nevojë të kuptonin. John Allen tregoi dinamikat e konklavave, i kishte kushtuar Joseph Ratzinger-it një biografi (Cardinal Ratzinger: The Vatican's Enforcer of the Faith) pesë vjet para se ai të bëhej Benedikti XVI, ndoqi papninë e tij dhe zgjedhjen e Françeskut. Ai pati gëzimin të shihte të zgjedhur si Pasardhës të Pjetrit të parin shtetas amerikan në historinë e Kishës Katolike, të cilin ai e njihte dhe e takonte edhe falë Elise-s, vatikaniste, me të cilën u martua gjashtë vjet më parë dhe autore e një biografie të Leonit XIV, e cila u kujdes për të në këtë periudhë të vështirë të sëmundjes.
Prej tij, i cili ishte i apasionuar pas kuzhinës romake dhe tifoz i madh i Romës, do të dëshiroja të kujtoja edhe katër karakteristika: aftësinë e tij për të krijuar marrëdhënie dhe kontakte me shumë njerëz në çdo nivel të Kishës, dëshirën e tij për të mos u ndalur kurrë te përshtypjet e para duke kërkuar të kuptojë arsyet e tjetrit, sensin e tij të humorit dhe aftësinë e tij të jashtëzakonshme si ligjërues, i aftë për të mbajtur pezull çdo auditor duke gërshetuar analizat e sofistikuara me anekdota dhe shaka.