Kardinali Victor Manuel Fernández, prefekt i Dikasterit për Doktrinën e Fesë (foto arkivore) Kardinali Victor Manuel Fernández, prefekt i Dikasterit për Doktrinën e Fesë (foto arkivore)

Kard. Fernández: sot ka shumë dënime "ex cathedra" në internet, duhet më shumë përvujtëri

Kardinali Fernández hap me meditimin e tij plenaren e Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, të cilin e drejton si prefekt: “Të ruajmë të gjallë ndërgjegjësimin për kufijtë dhe nevojën për Zotin, për të mos rënë në të njëjtin mashtrim që solli në ekstremet e Inkuizicionit, në Luftërat Botërore, në Shoah, në masakrat në Gaza”.

R.SH. – Vatikan

Ndërgjegjësimi për kufijtë, së pari, për nevojën për Zotin, në mënyrë që “të mos biem në një mashtrim të tmerrshëm, të njëjtin që ka çuar në ekstremet e Inkuizicionit, në Luftërat Botërore, në Shoah, në masakrat në Gaza”. Po ashtu, një “realizëm i shëndetshëm”, ai që propozojnë të mëdhenjtë dhe mistikët, përballë tendencës – karakteristike të kësaj periudhe – të “blogeve” në internet ku “kushdo, edhe nëse nuk ka studiuar shumë teologji, shpreh mendimin e tij dhe dënimin sikur të fliste ex cathedra”. Është një ftesë për “përvujtërinë” intelektuale dhe shpirtërore meditimi me të cilin kardinali Viktor Manuel Fernández hapi punimet e asamblesë plenare të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë, të cilin e drejton si prefekt. Takimi, i cili fillon sot më 27 janar dhe zgjat deri të enjten më 29, ka më shumë se 70 pjesëmarrës të mbledhur në Vatikan.

Të analizosh realitetin dhe të dëgjosh të tjerët

Një moment lutjeje, reflektimi dhe bashkëndarjeje, thekson Fernández në fjalimin e tij në hapje të plenares, ku nxiti të “mendojmë, të analizojmë realitetin”, por “duke dëgjuar të tjerët, duke pranuar perspektivat e tyre që na lejojnë të perceptojmë aspekte të tjera të realitetit të njëjtë, duke u hapur ndaj pikëpamjeve të tjera”. Në këtë drejtim, është e dobishme “të jemi të vëmendshëm ndaj ‘periferive’ nga ku shihen gjërat ndryshe”, tha kardinali Fernández.

Dhe mbi të gjitha, është e dobishme të kujtojmë fjalët e fundit të Papës Leoni XIV mbi faktin se “askush nuk e ka të gjithë të vërtetën, të gjithë duhet ta kërkojmë përvujtërisht, dhe ta kërkojmë së bashku”. “Një Kishë që nuk mbyllet në vetvete, por mbetet në dëgjim të Zotit për të mundur të dëgjojë gjithashtu të gjithë”, është propozimi i Papës, që e rimerr prefekti i Dikasterit të Doktrinës së Fesë, duke theksuar se këto fjalë janë edhe më të vërteta për sa i përket të vërtetave të fesë së krishterë: “Sot – thotë kard. Fernández – një teolog zakonisht ka njohuri të kufizuara në një disiplinë teologjike ose në një temë të izoluar, ndërsa misteret e fesë janë të ndërthurura në një hierarki të çmuar, ku e gjithë kjo ndriçohet veçanërisht nga ato të vërteta qendrore që përbëjnë zemrën e Ungjillit”.

Realizëm i shëndetshëm

“Sigurisht, në një vend si ky – shton kardinali argjentinas, duke iu referuar Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë – ku kemi mundësinë të japim përgjigje me autoritet, të shkruajmë dokumente që bëhen pjesë e magjisterit të zakonshëm të Kishës, dhe madje të korrigjojmë dhe dënojmë, rreziku i humbjes së gjerësisë së perspektivave është më i madh”. Por çështja është më serioze: “Sot, në çdo blog, kushdo, edhe nëse nuk ka studiuar shumë teologji, shpreh mendimin e tij dhe dënimin sikur të fliste ex cathedra. Kjo është arsyeja pse duhet të rikthejmë në të gjithë Kishën atë realizëm të shëndetshëm që propozojnë të mëdhenjtë dhe mistikët e Kishës”.

Një aftësi mendimi universale, por jo përfundimtare

Zoti i ka dhënë njeriut “aftësinë e mendimit” me një “kapacitet universale”, por ky kapacitet “nuk do të thotë që njerëzit kanë aftësinë e përfundimit, të perceptimit të plotë të realitetit”, vë në dukje prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë. “Edhe me ndihmën e teknologjive më të fuqishme të mundshme, është e pamundur për një mendje njerëzore të jetë e vetëdijshme për realitetin në tërësinë e tij dhe në çdo aspekt të tij”. Kjo është e mundur vetëm për Zotin.

Dhe kështu, “ne nuk mund të kemi një kuptim të plotë as edhe të një pjese të vogël të kësaj bote”, sepse ajo pjesë mund “të kuptohet plotësisht vetëm në dritën e totalitetit në të cilin është integruar”, thotë kardinali Fernández, duke cituar shën Tomën e Akvinit, i cili shpjegonte se “pasuria e pafundme e Zotit shprehet më mirë në pasurinë e tërësisë”. Po ashtu, Papa Françesku në Laudato si’ theksonte se “ne kemi nevojë të kapim larminë e gjërave në lidhjet e tyre të shumta”.

Mashtrim i tmerrshëm

Kjo ndërgjegjësim “për kufijtë”, thotë kardinali Fernández, duhet të mbahet “i gjallë” sidomos në këtë kohë zhvillimi të shkencave dhe teknologjive, në mënyrë që “të mos biem në një mashtrim të tmerrshëm, të njëjtin që ka çuar në ekstremet e Inkuizicionit, në Luftërat Botërore, në Shoah, në masakrat në Gaza, të gjitha situata që justifikohen me argumente të pasakta”. “Problemi është se e njëjta mund të ndodhë në jetën e secilit prej nesh. Në fakt, e përsërisim atë mashtrim duke jetuar shumë të sigurt për atë që dimë”, vë në dukje kardinali Fernández.

Të heshtësh për të dëgjuar Zotin

Dy, pra, janë çështjet. Së pari, që “për të kuptuar çdo gjë plotësisht duhet të lëmë të na ndriçojë Zoti, duhet ta thërrasim Atë, të lutemi, ta dëgjojmë, ta lëmë të na udhëheqë në mes të hijeve”. “Feja na siguron që mund ta bëjmë këtë vërtet, dhe është vërtet e mundur që Ai të na ndriçojë për të parë më mirë”. Pastaj, ftesa për heshtje. Kardinali Fernández citon Shën Bonaventurën, i cili, në dritën e studimeve të tij mbi shkencën e Krishtit, pohonte se “mohimet janë më të përshtatshme se pohimet, superlativët janë më të përshtatshëm se pohimet pozitive” dhe se “për ta përjetuar këtë kontribuon më shumë heshtja e brendshme sesa fjala”. Kjo është, pra, nxitja përfundimtare e meditimit të kard. Fernández: të mblidhemi në heshtje, sepse “është më mirë t’i lutemi Zotit, që të na dhurojë përvojën për të cilën flasim”.

27 janar 2026, 13:21