Kardinali Fernando Filoni: Diplomacia e Vatikanit, një shembull i mënyrës së sinodit
R.Sh. Vatikan
Shpresohet dhe pritet gjithmonë diçka nga diplomacia e Vatikanit, veçanërisht në ato vende ku ka luftë dhe konflikte. Shpesh përsëritet se kjo punë zhvillohet larg syve të njerëzve, në heshtje dhe vetëpërmbajtje. Por cilat janë vlerat që udhëheqin përfaqësuesit e Papës në shtete të ndryshme? «Para së gjithash, ato të Ungjillit», përgjigjet kardinali Fernando Filoni, Mjeshtër i Madh i Urdhrit të Kalorësve të Varrit të Shenjtë të Jeruzalemit, i cili ka qenë në vijën e parë të diplomacisë për shumë vite. Përpara Papës Leonit XIV, kardinali ka shërbyer, për tri papni, në të gjithë botën si në Sri Lanka, Iran, Brazil, Hong Kong, Jordani dhe Irak. «Përtej vlerave shpirtërore, ekzistojnë edhe vlerat e realitetit në të cilin futesh», thekson ai, duke reflektuar mbi rolin e diplomatit dhe të nuncit apostolik, i cili – saktëson diplomati – nuk kërkon të shkojë në një vend të caktuar, por dërgohet atje.
Studimi i gjendjes në vend
Në letrën e fundit të Leonit XVI drejtuar Akademisë Papnore Kishtare – institucionit që formon diplomatë për Selinë e Shenjtë – lexojmë se detyra e diplomacisë është të rindërtojë «lidhje të vërteta». «Konkretisht, detyra jonë ka të bëjë me marrëdhëniet midis shteteve dhe Selisë së Shenjtë», thotë kardinal Filoni, i cili ndoqi studimet në këtë akademi në vitet pas mbylljes së Koncilit të Dytë të Vatikanit. Për të ndërtuar këto marrëdhënie – me institucione shtetërore, ndërkombëtare dhe rajonale të pranishme në terren – është e nevojshme të fillohet me një studim të thelluar të historisë së vendit dhe të Kishës vendore.
Papa: diplomacia kërkon shtigje pajtimi aty ku ngrihen mure dhe mosbesim.
Themeli i bashkimit
«Siç na mësonte Pali VI,» shpjegon kardinali, duke cituar Sollicitudo omnium ecclesiarum, që shqip do të thotë «Shqetësimi i të gjitha Kishave», «ne jemi të thirrur të hyjmë në Kishat e secilit vend, jo për të zëvendësuar ipeshkvijtë, por për të bërë të ditur atë që dëshiron Papa nga Kishat vendore dhe atë që Kishat vendore presin nga ne.» Fusha e zgjedhur është pikërisht mbështetja e ipeshkvijve dhe institucioneve kishtare të secilit vend, e cila kërkon bashkëpunim të jashtëzakonshëm në shumë nivele. Dhe gjithçka është përgjegjësi e nuncit. «Kjo është forma më e mirë e sinodit,» thotë kardinal Filoni, i cili thekson rëndësinë e konsultimeve në zgjedhjen e figurave më të përshtatshme për këtë qëllim. «Nëse kjo mungon, ne kemi humbur identitetin tonë.» vazhdon kardinali, duke përsëritur se kjo qasje është e nevojshme për të «hyrë në dinamikën e të kuptuarit pse dhe si Kisha mund të thotë një fjalë shprese».
Vendimi për të qëndruar në Irak
Kardinali ka shërbyer në vende të ndryshme. «I kam dashur të gjithë,» rrëfen ai, «sepse në secilin prej tyre kam gjetur cilësi që më kanë pasuruar jo vetëm nga ana kulturore, por edhe «sidomos në nivel shpirtëror». Shumë vëzhgues kujtojnë dhe përmendin vendimin e kardinal Filonit për të mos e braktisur Bagdadin gjatë Luftës së Dytë të Gjirit, ndryshe nga shumë ambasadorë të tjerë të pranishëm në kryeqytetin irakian. Pas konsultimeve me Patriarkun e Kaldeasve dhe ipeshkvij të tjerë, u mor ky vendim nga kjo Kishë e vogël, që përfaqëson një pakicë të popullsisë. Dhe kështu, kardinali sjell ndërmend pikërisht këtë vendim: «Ne po qëndrojmë këtu. Ne jemi barinj të grigjës. Nuk mund të mungojmë dhe nuk duhet të kemi frikë. Frika e popullit është e jona. Por ne duhet t’u përcjellim njerëzve edhe shpresën që kemi.»
Tkurrja e numrit të të krishterëve në Lindjen e Mesme
Duke parë gjendjen e sotme, është e pamundur të mos mendosh për të krishterët që jetojnë në të gjithë Lindjen e Mesme. «Për njëqind vjet ka pasur një rënie të vazhdueshme të numrit të të krishterëve në këto vise.» –pohon kardinali. «Kjo është tragjedia që duhet të na shqetësojë të gjithëve: ne e duam Tokën e Shenjtë, por e duam edhe Lindjen e Mesme sepse është djepi i jetës së Kishës.»