Në foto: Kardinali Kurt Koch Në foto: Kardinali Kurt Koch

Kardinali Koch: «Ekumenizmi, mjet për paqen në botë»

Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, kard. Kurt Koch në një intervistë për media të Vatikanit me rastin e Javës së Lutjes për Unitetin e të Krishterëve, u përqëndrua tek udhëzimet e Papa Leonit në lidhje me ekumenizmin, trashëgiminë e Reformës luterane dhe rrugëtimin ekumenik drejt Vitit Jubilar 2030.

R.Sh. Vatikan

Pas fillimit të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, e cila përfundon të dielën e ardhshme, më 25 janar, me kremtimin e Mbrëmjes së Dytë në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve, të kryesuar nga Papa, kardinali Kurt Koch, në një intervistë për mediat e Vatikanit, kujtoi thirrjen e Papës Leonit XIV për të ecur «krah për krah» në  rrugën e bashkimit dhe angazhimit për paqen botërore.

Prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve theksoi rolin e posaçëm të Kishave, sepse «ekumenizmi mund të jetë ndihmë për shoqërinë atëherë kur nuk pasqyron copëtimin e vetë shoqërisë, por paraqitet si shenjë uniteti». Në një botë të përshkuar nga rryma në kundërshtim me njëra-tjetrën, detyra e madhe është të jetosh i bashkuar me të tjerët «si një shpirt i vetëm», pavarësisht dallimeve. «Nëse vetë të krishterët janë të përçarë dhe grindavecë,» pohoi kardinali Koch, «atëherë këta nuk mund t'i japin shumë shoqërisë».

Thirrje e thekshme nga Lindja

Tekstet e leximit për Javën e Lutjes së këtij viti, të përgatitura nga Kisha Apostolike Armene, janë marrë nga Letra drejtuar Efesianëve – Një trup dhe një shpirt». Kjo është «një zgjedhje shumë simbolike,» nënvizoi kardinali Koch. Në fakt, bëhet fjalë për një kushtrim për bashkim, drejtuar Efesianëve nga Shën Pali. «Duke pasur parasysh që Pali e shkroi këtë letër kur gjendej në burg, kuptohet se sa shumë e kishte për zemër çështjen e bashkimit. Në burg nuk shqetësohesh për gjëra pa peshë».– vijoi kardinali Koch.

Viti 2033 nuk është afat por kohë për reflektim

Me vështrimin drejt 500-vjetorit të «Confessio Augustana» – librit themelor të të gjitha Kishave protestante – botimi i të cilit do të përkujtohet në vitin 2030, kardinali Koch nuk dha afate. «Në ekumenizëm,» vuri në dukje ai, «unë nuk caktoj data. Shpirti Shenjt është Ai që cakton afatet, jo ne». Megjithatë, viti 2030 është një «çast reflektimi» i rëndësishëm për të menduar si t’i kapërcejmë përçarjet. Në vijim, kardinali Koch citoi teologun Wolfhart Pannenberg, sipas të cilit ndarja e Kishave ishte «dështimi» i Reformës së Martin Luterit, sepse ky synonte përtëritjen e të gjithë Krishterimit. «Jezusi donte një Kishë,» theksoi kardinali Koch, «jo shumë Kisha».

Çfarë e pengon pranimin e «Confessio Augustana»-s.

Lidhur me idenë e Papës Joseph Ratzinger për njohjen e «Confessio Augustana» si «Katolike», problemi qëndron në pranimin e saj nga të gjitha Kishat Ungjillore. Ndërsa Kisha Luterane e njeh plotësisht këtë tekst, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për Kishën Ungjillore në Gjermani, në përgjithësi.

Perspektiva e së ardhmes: nga Nikea në Jeruzalem

Në përfundim, kardinali Kurt Koch, prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve theksoi rëndësinë e Koncilit të Nikesë, 1700-vjetori i të cilit u kremtua kohët e fundit. Bashkimi i të krishterëve mund të gjendet vetëm te feja e përbashkët. «Sfida që na përcjell Koncili i Nikesë mbetet e rëndësishme.» – tha në mbyllje kardinali Kurt Koch.

20 janar 2026, 12:12