Sekretari i Shtetit të Vatikanit Kardinali Parolin Sekretari i Shtetit të Vatikanit Kardinali Parolin

Kardinali Parolin: Dhuna në Minneapolis e papranueshme

Klima e tensionit të lartë në Minesota, qëndrimi i Selisë së Shenjtë për Bordin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe bisedimet diplomatike në Danimarkë mbi çështjen e Groenlandës. Këto ishin disa nga çështjet e shqyrtuara nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin këtë mbrëmje, më 28 janar, në Universitetin Lumsa, ku iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në kuadër të një takimi rreth etikës dhe ekonomisë.

R.Sh. Vatikan

"Qëndrimi i Selisë së Shenjtë është gjithmonë të shmangë çdo lloj dhune, natyrisht, dhe për këtë arsye ne nuk mund të pranojmë episode të këtij lloji. Thjesht kaq, e dini." Kardinali Pietro Parolin iu përgjigj kështu një pyetjeje në lidhje me ngjarjet ku u përfshinë agjentët e policisë kundër emigracionit (ICE) në Minesota, Shtetet e Bashkuara, ngjarje që çuan në vrasjen e dy qytetarëve amerikanë. "Vështirësitë, problemet, kontradiktat zgjidhen në mënyra të tjera", shtoi Sekretari i Shtetit, duke i bërë jehonë deklaratave të ipeshkvijve amerikanë, të cilët e quajtën situatën "të papranueshme".

Bordi i paqes, ka "pika kritike"

Kardinali Pietro Parolin iu përgjigj gazetarëve në takimin "Etika dhe Ekonomia", të organizuar nga Departamenti GEPLI i Universitetit LUMSA në Romë, në bashkëpunim me Lëvizjen e Shkollave të Etikës dhe Ekonomisë në të gjithë botën. Sekretari i Shtetit të Vatikanit më pas komentoi letrën e hapur që kishte marrë dje nga Rrjeti i Meshtarëve kundër gjenocidit, duke i kërkuar Selisë së Shenjtë të mos marrë pjesë në Bordin e Paqes për rindërtimin e Gazës, i cili po formohet nën drejtimin e Trump-it. Kur u pyet nëse Vatikani e kishte shqyrtuar qëndrimin e vet për këtë çështje dhe nëse do të merrte pjesë apo jo, kardinali u shpreh: "Gjithmonë duhet të përgjigjeni pas një minuti... le të mendojmë për një moment", u përgjigj Parolin, duke shtuar se i kupton shqetësimet e tyre. Ai më pas përsëriti atë që kishte deklaruar për shtypin për të njëjtën çështje, disa ditë më parë. Më pas sqaroi: "Kishte me të vërtetë pika kritike në lidhje me këtë propozim që duheshin marrë në konsideratë dhe që do të shqyrtoheshin në përgatitje të një përgjigjeje. Përgjigja nuk është dhënë ende, por besoj se aspektet kritike të këtij plani nuk mund të anashkalohen."

Më pas ai u pyet për rrezikun e mbërritjes së ekipeve të policisë amerikane kundër emigracionit (ICE) në Itali për Lojërat Olimpike Dimërore të ardhshme. "Po, po, i lexova lajmet, por e di që ka edhe rreth këtyre polemika. Le të mos hyjmë në këtë çështje," deklaroi ai.

Groenlanda, duke shkuar drejt një zgjidhjeje

Parolin, i cili u kthye para dy ditësh nga Danimarka ku qe për kremtimet e ungjillëzuesit të parë, Shën Ansgarit, të shekullit të 9-të, konfirmoi se u takua me ministrin e jashtëm Lars Løkke Rasmussen, siç ishte planifikuar, i cili e kishte informuar posaçërisht për situatën në lidhje me Groenlandën. "Ai më tregoi për kontaktet e tij në Uashington, të cilat u vlerësuan shumë. Dëgjova gjithashtu komente nga të tjerë, veçanërisht nga ipeshkvijtë luteranë, të cilët thanë se publiku danez ishte shumë i kënaqur me qëndrimet e mbajtura. Pa hyrë në imtësi, besoj se po shkojmë drejt një zgjidhjeje, një marrëveshjeje. Nuk i di kushtet e sakta tani për tani," theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit kard. Parolin, "por më dukej se ministri i jashtëm ishte gjithashtu mjaft pozitiv pas këtyre diskutimeve. Le të shpresojmë kështu."

«Casa Sollievo della Sofferenza», mirëkuptim për krizën e punëtorëve

Një gazetar më pas i kërkoi sqarime në lidhje me «Casa Sollievo della Sofferenza», në San Giovanni Rotondo (FG), në pronësi të Selisë së Shenjtë. Atij iu kujtua deficiti i spitalit, i cili u shoqërua nga një krizë e rëndë e punëtorëve: "Po bëjmë gjithçka që mundemi për të zgjidhur problemin dhe për të ndihmuar spitalin të kapërcejë vështirësitë në të cilat ndodhet", u përgjigj kard. Parolin. Lidhur me kritikat për mungesën e transparencës financiare, kardinali Parolin premtoi se do të konsultohej me kryetarin e bordit të drejtorëve për të "kërkuar më shumë informacion" dhe përsëriti angazhimin e tij për t'iu përgjigjur shqetësimeve të punëtorëve.

29 janar 2026, 06:21