Mesha e kremtuar nga Kardinali Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, në Bruksel për 800-vjetorin e Katedrales Mesha e kremtuar nga Kardinali Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, në Bruksel për 800-vjetorin e Katedrales

Kardinali Parolin: paqja vjen nga njohja e tjetrit e jo nga ekuilibri i frikës

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, i dërguar i Papës në Bruksel për tetëqindvjetorin e Katedrales, kremtoi Meshën e hapjes së kremtimeve. Duke parë Evropën, iu drejtua realitetit aktual të pushtuar "nga brishtësia, frika dhe përçarjet, jo vetëm politike e sociale, por edhe të brendshme", e më pas theksoi se në këtë kontekst, "Krishterimi nuk ofron zgjidhje teknike; përkundrazi, propozon vlera themelore njerëzore". Kisha nuk duhet ta humbasë "guximin e saj ungjillor".

R.SH. - Vatikan

"Ju sjell përshëndetjet e përzemërta dhe afërsinë shpirtërore të Shenjtërisë së Tij, Papës Leoni i cili, me këtë rast, dëshiroi të shprehë, në një mënyrë të veçantë, bashkimin e tij me këtë Kishë e me këtë vend, duke më emëruar legat papnor". Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, iu drejtua Kishës së Mechelen-Brukselit, familjes mbretërore belge, ipeshkvijve të vendit dhe të gjithë besimtarëve me këto fjalë, në predikimin e tij dje, më 11 janar, në Bruksel, gjatë Meshës të hapjes së kremtimeve për tetëqindvjetorin e Katedrales së Shën Mëhillit dhe të Shën Gudulës.

Historia e Katedrales së Brukselit

Kardinali Parolin kujtoi historinë e gjatë të vendit të kultit - fillimisht kapelë kushtuar Shën Mëhillit, më pas Kishë romanike dhe, në shekullin e 13-të, ndërtesë e madhe gotike - dhe theksoi se "Kisha nuk lind nga një akt i vetëm, i izoluar, ose nga një projekt i realizuar në një çast të vetëm, por nga besnikëria që përfshin breza". Për 800 vjet, Katedralja e Brukselit "e dëshmoi dhe e shoqëroi jetën e krishterë" të kryeqytetit belg dhe të kombit "përmes periudhave thellësisht të ndryshme", shtoi Kardinali Parolin, duke theksuar se "Shën Mëhilli na thërret për vigjilencë dhe dallim, ndërsa Shën Gudula na kujton se besimi rritet përmes besnikërisë së përditshme", duke ftuar kështu Kishën "ta jetojmë së bashku të vërtetën dhe shërbimin, vendosmërinë dhe butësinë".

Evropa dhe brishtësitë e saj sot

Nga Katedralja, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin e zgjeroi shikimin e tij së pari në qytetin e Brukselit - "një nga vendet ku Evropa po kërkon të rimendojë dhe të rindërtojë veten: udhëkryq popujsh, gjuhësh dhe kulturash, i karakterizuar nga një traditë dialogu dhe ndërmjetësimi" - i cili "na kujton se Evropa lind nga takimi dhe aftësia për të kapërcyer dallimet". Pastaj, duke e shtrirë shikimin në Kontinentin e Vjetër, Sekretari i Shtetit të Vatikanit u përqendrua në "periudhën" që e dallon, "të prekur nga brishtësia, frika dhe përçarjet, jo vetëm vështirësitë politike dhe sociale, por edhe të brendshme e kulturore, që e minojnë në rrënjë". Në këtë "kontekst, Krishterimi nuk ofron zgjidhje teknike". Përkundrazi,  "propozon", në një mënyrë "të matur, por vendimtare", duke kërkuar të mos "imponohet" dhe "të ndriçojë ndërgjegjet". Ai "kujton se dinjiteti i personit i paraprin çdo llogaritjeje, se drejtësia rritet duke përfshirë dhe jo duke ndarë, se paqja lind nga njohja e të tjerëve dhe jo nga balancimi i frikës".

T’ia hapim portat Krishtit

Për Kardinalin Parolin, është më aktuale se kurrë thirrja e nisur në Santiago de Compostela nga Shën Gjon Pali II, më 9 nëntor 1982: "Nëse Evropa do t’ia hapë përsëri dyert e saj Krishtit dhe nuk do të ketë frikë t'ia hapë fuqisë së tij shpëtuese kufijtë e shteteve të saj, sistemet e saj ekonomike dhe politike, fushat e gjera të kulturës, të qytetërimit dhe të zhvillimit, e ardhmja e saj nuk do të mbetet e dominuar nga pasiguria e frika, por do të hapet për një stinë të re jete, si të brendshme, ashtu edhe të jashtme, të dobishme dhe vendimtare për të gjithë botën, gjithmonë të kërcënuar nga retë e luftës dhe uragani i mundshëm i holokaustit atomik". Ky vizion mori formë konkrete falë burrave Robert Schuman, Konrad Adenauer dhe Alcide De Gasperi, "të cilët qenë në gjendje ta imagjinonin kontinentin jo thjesht si  aleancë interesash, por si bashkësi të themeluar mbi pajtimin dhe përparësinë e personit dhe të së mirës së përbashkët". Ata e kuptuan se sa e nevojshme ishte, "pas përplasjeve të historisë", të "rindërtoheshin jo vetëm strukturat, por edhe besimi reciprok".

Kisha nuk duhet ta humbasë guximin e saj ungjillor

Në situatën aktuale evropiane, Kisha "po përballon një nga sfidat më vendimtare", theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin: të mos humbasë "guximin e saj ungjillor". “Kisha ligshtohet kur pushon së qeni kripa që jep shije, drita që ndriçon, tharmi që jep rritje”, vazhdoi kardinali, duke shpjeguar se “Kisha nuk e sundon historinë, as nuk bashkohet thjeshtësisht me të; përkundrazi, kalon përmes saj si prani që shoqëron, që dallon, që shërben” dhe, siç na mësojnë Etërit, “Kisha është e shenjtë për shkak të dhuratës që merr, por e brishtë, për shkak të kufizimeve të anëtarëve të saj. Për këtë arsye, ajo nuk jeton me përsosmëri, por me hir; as me vetëmjaftueshmëri, por me bashkim”.

E “në këtë shtegtim”, Fjala e Zotit nuk pushon së dëgjuari, “një zë që hyn në jetën tonë, na prin dhe i sfidon pyetjet tona më të thella, pa u trembur”. E meqenëse “në Pagëzim u zhytëm në Krishtin dhe u përfshimë në një realitet më të madh se vetja jonë”, sqaroi Kardinali, ne “jemi gurët që përdor Zoti”, e “Kisha rritet kur dallimet bëhen burim pasurie e kur dashuria është lidhja që e mban të bashkuar”. Na mëson Maria, përfundoi kardinali Pietro Parolin, se fekonditeti nuk lind nga fuqia e strukturave, por nga hapja veprimit të Zotit; as nga dukja e menjëhershme, por nga besnikëria durimtare”.

12 janar 2026, 14:46