Hyrja në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit (© Ralib Victor Alyase - Radio Vatikan/Vatican News) Hyrja në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit (© Ralib Victor Alyase - Radio Vatikan/Vatican News)

Kodiku i Palatinëve latinë, në Bibliotekën e Vatikanit

Dorëshkrimi i rëndësishëm u ble kohët e fundit në një librari të Vjenës. Kodiku përmban jetët e pesë shenjtorëve dhe Historinë Langobardorum, vepër e Diakonit Paolo

R.SH. / Vatikan

Javët e fundit, në librarinë “Inlibris” të Hugo Wetscherek, në Vienë, Biblioteka Apostolike e Vatikanit - njofton një komunikatë - mundi të blejë kodikun që fillimisht i përkiste njërit nga fondet ku ruhej, atij të Palatini latini. Vëllimi tërhoqi vëmendjen e drejtorit të Bibliotekës Universitare të Heidelbergut, Dr. Jochen Apel, që, më pas, ia dorëzoi Prefektit të Bibliotekës së Vatikanit, Don Mauro Mantovani.

Një dorëshkrim letre me 115 fletë (plus dy fletë të vogla), që përmban pesë jetë shenjtorësh (Cyriacus, Gallus, Maurus Abbot, Goar, Burchard, Ipeshkëv i Worms) dhe Historinë Langobardorum, nga Diakoni Paul. Kodiku, kushtuar jetës së shenjtorëve, dallohet për tekstin tejet të rrallë që përmban. Vepër e disa shkruesve, u realizua në Gjermani - ndoshta në Worms, ku duket se gjurmohet zgjedhja e teksteve hagjiografike - në fillim të shekullit të 16-të. Dy kapakë me portretin e Zgjedhësit Palatin Ottheinrich mbeten nga lidhja, e datuar në vitin 1556. Rëndësia e kësaj blerjeje ka të bëjë kryesisht me faktin se kodiku është i identifikueshëm, si ai në Bibliotekën e Vatikanit,  i shënuar Pal. lat. 851, i cili, së bashku me të tjerët, mungonte nga rishikimi i vitit 1798. Mbërriti atje në vitin 1623, pas një udhëtimi të mundimshëm të koordinuar nga Leone Allacci, Scriptor Graecus i Bibliotekës së Vatikanit, së bashku me dorëshkrime të tjera nga Biblioteka Palatine, dhuruar nga Maksimiliani I i Bavarisë Papës Gregori XV, në shenjë mirënjohjeje për ndihmën e tij gjatë Luftës Tridhjetëvjeçare.

Akti i dhurimit, arsyet dhe rregullimi i hapësirave për ta vendosur,  regjistrohen në një epigraf, ende i dukshëm në Galerinë e Urbani VIII, tani në Muzetë e Vatikanit. Historia e bibliotekonomisë së Palatinëve, që nga mbërritja e saj në Vatikan, e deri në sistemimin përfundimtar, mund të rindërtohet përmes inventarëve, të cilët konfirmojnë identifikimin e Pal. lat. 851. Për më tepër, në fletët e vogla, nënshkrime dhe pllaka të ndryshme librash dëshmojnë për transferimet dhe shitjet ndër koleksionistë të ndryshëm, nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë, deri në ditët e sotme (Frederick North, Konti i pestë i Guilford, Sir Thomas Phillips, Maurice Burrus).

Një operacion kulturalisht dhe shkencërisht i rëndësishëm, u përfundua vetëm në pak ditë, falë punës së të gjithë atyre që u përfshinë - Biblioteka e Universitetit të Heidelbergut, Biblioteka e Vatikanit dhe libraria Inlibris - të cilët punuan së bashku menjëherë, në harmoni dhe profesionalisht, të shtyrë nga dëshira e përbashkët për ta bërë dorëshkrimin të gatshëm për studiuesit në një bibliotekë, konkretisht atë të koleksioneve të dorëshkrimit.

Bashkëpunimi ndërmjet Bibliotekës Gjermane dhe Bibliotekës së Vatikanit nuk është i ri, por i ripërtërirë vazhdimisht me kalimin e kohës përmes festimeve dhe projekteve shkencore: që nga nisma e Leonit XIII, i cili në vitin 1886, me rastin e 500-vjetorit të themelimit të Universitetit të Heidelbergut, dërgoi katalogët e parë Palatinë, botuar posaçërisht si dhuratë për Heidelbergun, deri te festimet 100 vjet më vonë, kur një numër i madh vëllimesh të Vatikanit u huazuan për t'u vendosur në ekspozitën e realizuar në Heiliggeistkirche, deri në vitin 2010, kur Biblioteka e Vatikanit nisi fushatën e dixhitalizimit të dorëshkrimeve (digi.vatlib.it). Projekti pilot ishte pikërisht ai i ndarë me Bibliotekën Universitare të Heidelbergut (Bibliotheca Palatina-dixhitale: https://digi.ub.uni-heidelberg.de/de/bpd/index.html), me qëllim mbrojtjen e dëshmive të çmuara të së kaluarës, duke i bërë ato edhe më të arritshme sot e duke i ruajtur për të ardhmen. Histori, të cilat vazhdojnë të takohen në shërbimin që kryen Vatikani për Njerëzimin.

26 janar 2026, 11:00