Lamtumirë Angelo Gugel, në shërbim të tre Papëve
R.SH. / Vatikan
Me maturi e besim, për gjysmë shekulli, ndërmjet fundit të shekullit të njëzetë dhe agimit të mijëvjeçarit të ri, Angelo Gugel u shërbeu tre Papëve si ndimës dhome. Gugel vdiq mbrëmë në Romë, në moshën nëntëdhjetë vjeç, i rrethuar nga dashuria e familjes. Nga papnia e shkurtër i venecianit Gjon Pali I, i cili e thirri bashkëkombësin e ri të atëhershëm ndërmjet bashkëpunëtorëve të tij laikë, deri te papnia shumë e gjatë e Gjon Palit II, për të cilin qe dëshmitar i heshtur për gati njëzet e shtatë vjet e deri në fillimin e atij të Benediktit XVI, me të cilin e përfundoi shërbimin në moshën shtatëdhjetë vjeç.
I lindur më 27 prill 1935, në Miane (Treviso), Itali, i martuar me Maria Luisa Dall'Arche që nga viti 1964 e baba i katër fëmijëve, Raffaella, Flaviana, Guido dhe Carla Luciana Maria, Gugel ishte një nga të fundit që e jetoi nga afër - Ndihmësit e dhomës janë pjesë integrale e Familjes papnore - periudhën e shkurtër të mbretërimit të Lucianit si Pasardhës i Apostujve, duke dëshmuar më vonë në procesin, që e çoi në lumnim; periudhën shumë më të gjatë të Wojtyłës në krye të Barkës së Pjetrit, në krah të tij edhe gjatë atentatit më 13 maj 1981; e edhe gjatë periudhës fillestare kur Papa polak u pasua nga Ratzinger.
Nga një familje fshatare me dy vjet përvojë në seminar, në vitin 1955 u rekrutua si xhandar në Vatikan. Pasi u sëmur nga tuberkulozi, pas një periudhe të gjatë shërimi, u transferua në Guvernatorat, derisa Luciani, ipeshkvi i tij në Vittorio Veneto, i cili i njihte nënën dhe gruan e tij, pasi kishte shuguruar vëllain e saj, Don Mario Dall'Arche, e donte në krah. Në të vërtetë, gjatë Koncilit II të Vatikanit, kishte vepruar si shofer i tij në Romë e madje kishte darkuar në shtëpinë e tij.
Gjithmonë i veshur në mënyrë të përsosur, me atë elegancë të përmbajtur që nuk është mburrje, Angelo Gugel ruajti rezervën që kërkonte roli delikat, i besuar edhe pas daljes në pension. Jepte rrallë intervista. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Shën Gjon Palit II, botoi disa kujtime në numrin e posaçëm përgatitur nga L'Osservatore Romano për të kremtuar përvjetorin. "Më dridheshin këmbët kur më thirrën përsëri në apartament pas vdekjes së Gjon Palit I", shkroi me këtë rast, duke përshkruar thirrjen në Pallatin Apostolik nga Papa "i ardhur nga larg". "Por klima e besimit e krijuar nga Ati i Shenjtë e nga Imzot Stanislaus dhe motrat rregulltare më bënë të ndihesha 'si në shtëpi'", shkroi, duke kujtuar edhe sekretarin personal të Wojtyła-s, tani Kardinal Dziwisz, dhe motrat rregulltare polake që e ndihmuan.
Duke rrëfyer 27 vitet që kaloi me Gjon Palin II, të mbushura me aktivitete, takime dhe udhëtime, Angelo Gugel kujtoi kryesisht ndërkombëtaret në pesë kontinente, por edhe ato më intime, siç ishin ditët e pakta të pushimeve në Cadore ose Valle d'Aosta, gjatë të cilave edhe Gugel do të hiqte kostumin dhe kravatën e tij të pashmangshme të errët dhe do të vishte pulovra dhe pantallona malore. "Ruajtja e vetvetes lidhur me punën time, madje edhe brenda familjes sime, ishte normale. Kur dilnim privatisht me Atin e Shenjtë, edhe anëtarët e familjes sime e mësuan nga gazetat", shtoi ai, e vazhdoi të kujtonte çdo çast të sulmit të 13 majit 1981, nga vrima e plumbit, te Papa i shtrirë në dysheme në hyrje të ndërtesës së Shërbimeve Shëndetësore të Vatikanit, deri te vrapimi në drejtim të Spitalit romak Gemelli.
Në një intervistë të vitit 2018 me Corriere della Sera, Gugel tregoi dy anekdota: "Dy ditë pas zgjedhjeve, zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, Giuseppe Caprio, telefonoi Guvernatoratin në orën 11:30 të paradites e tha: 'Z. Gugel duhet të paraqitet në apartamentin privat të Papës ashtu siç është veshur'. U ngjita në katin e sipërm të Pallatit Apostolik. Këmbët më dridheshin. Kishte vetëm prelatë polakë; "Isha i vetmi që flisja italisht".
Një aftësi e dobishme për të ndihmuar Papën e ri në shqiptimin e saktë të fjalimeve të para në gjuhën italiane. «Mbeta i habitur kur mëngjesin e 22 tetorit 1978, para se të shkonte në Sheshin e Shën Pjetrit për fillimin solemn të papnisë, Ati i Shenjtë më thirri në studion e tij dhe më lexoi homelinë që do të mbante pak më vonë: “Mos kini frikë! Hapni, madje, hapni gjerësisht portat për Krishtin! Mos kini frikë! Krishti e di çfarë ka brenda njeriut. Vetëm Ai e di!”. Më kërkoi t'i vija në dukje shqiptimet e gabuara në italisht dhe me laps shënonte vendin se ku duhej të rrinin theksat. Dy muaj më vonë, duke takuar ish-kolegët e mi të Xhandarmerisë, ai tha një fjali që më la pa mend: “Nëse gaboj theksin e ndonjë fjale, 50 për qind është faji i Angelos”, dhe më buzëqeshi».
Po në atë intervistë, Angelo Gugel kujtoi kohën kur gruaja e tij Maria Luisa priste vajzën e tyre të katërt, të cilën do ta quanin Carla Luciana Maria për nder të Papës Lucianit dhe Papës Wojtyla. Gjatë shtatzënisë, tregon ai, "lindën probleme shumë serioze me mitrën. Gjinekologët Bompiani, Forleo dhe Villani në Poliklinikën Gemelli, e përjashtuan mundësinë e vazhdimit të shtatzënisë.
Një ditë, Gjon Pali II më tha: "Sot e kremtova Meshën për gruan tënde". Më 9 prill, Maria Luisa u çua në sallën e operacionit për një prerje cezariane. Me të dalë, Dr. Villani komentoi: "Dikush duhet të jetë lutur shumë". Ndërsa në certifikatën e lindjes, shkroi "7:15 e mëngjesit", ora kur Mesha e mëngjesit e Papës ishte në Sanctus. Në mëngjes, Motra Tobiana Sobotka, eprore e motrave rregulltare që shërbenin në Pallatin Apostolik, e informoi Papën se Carla Luciana Maria kishte lindur. "Deo gratias", tha Wojtyła. E, më 27 prill, deshi ta pagëzonte ferishten në kapelën private.