Sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë, Kardinali Parolin, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në kuadër të takimit për të shënuar 25-vjetorin e Observatorit për Mendim të Pavarur në Romë. Sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë, Kardinali Parolin, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në kuadër të takimit për të shënuar 25-vjetorin e Observatorit për Mendim të Pavarur në Romë.

Kard. Parolin: tensionet ndërmjet Trump dhe Evropës po e keqësojnë klimën ndërkombëtare

I ftuar në takimin përfundimtar me rastin e 25-vjetorit të Observatorit për Mendimin e Pavarur, Sekretari i Shtetit i Vatikanit, kur u pyet nga gazetarët lidhur me tensionet ndërmjet SHBA-së dhe Evropës, u përgjigj se ishte themelore të "diskutoheshin pikat e diskutueshme, por pa hyrë në polemika ose duke krijuar tensione". Lidhur me ftesën e Trump drejtuar Selisë së Shenjtë për të marrë pjesë në Bordin e Paqes, tha: "Po e shqyrtojmë; është pyetje që e kërkon pak kohë për t'iu përgjigjur"

R.SH. - Vatikan

"Tensionet nuk janë të shëndetshme dhe krijojnë një klimë që  e keqëson situatën ndërkombëtare, tashmë serioze. Unë besoj se gjëja e rëndësishme do të ishte eleminimi i tensioneve, diskutimi i pikave të diskutueshme, por pa u angazhuar në polemika ose duke krijuar tensione të reja". Kjo ishte deklarata e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin, në përgjigje të pyetjes së një gazetari lidhur me tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës, në përfundim të takimit "Dialog Ndërkombëtar për t’i lidhur të rinjtë me të ardhmen", organizuar sonte, e mërkurë, 21 janar, si përfundim i kremtimeve me rastin e njëzet e pestë vjetorit të Observatorit për Mendim të Pavarur, në Auditorin Antoniaum të Romës.

Ftesa për Board of Peace në Gaza

Lidhur me Bordin e Paqes në Gaza, kardinali Parolin kujtoi: "Trump po u kërkon vendeve të ndryshme të marrin pjesë. Më duket e lexova në gazetë në mëngjes se edhe Italia po shqyrton nëse do të bashkohet apo jo. E edhe ne e kemi marrë ftesën për Bordin e Paqes në Gaza; Papa e ka marrë atë, e ne po shqyrtojmë se çfarë do të bëjmë. Po e shqyrtojmë më tej. Besoj se është  pyetje që kërkon pak kohë për t'u shqyrtuar dhe për të dhënë përgjigje".

Përsëri në lidhje me Bordin e Paqes në Gaza, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin pohoi se Selia e Shenjtë nuk merr pjesë financiarisht. "Nuk jemi as në gjendje ta bëjmë këtë, por padyshim që jemi në një situatë të ndryshme nga vendet e tjera, kështu që do të jetë një konsideratë e ndryshme. Por unë besoj se kërkesa nuk do të jetë për të marrë pjesë financiarisht".

Respekti për të Drejtën Ndërkombëtare

Lidhur me Donald Trump, i cili deklaroi në Davos se e do Evropën, por nuk i pëlqen drejtimi që po merr, Sekretari i Shtetit të Vatikanit kard. Parolin pohoi: "Ky është këndvështrimi i tij. Mjafton të respektohet e drejta ndërkombëtare. Mendoj se kjo është e rendësishme, por duhet të respektohen rregullat e bashkësisë ndërkombëtare".

Liria e shtypit dhe besimi në shtypin

Së fundmi, në lidhje me lirinë e shtypit, Kardinali Parolin shtoi se "besimi në shtypin është jashtëzakonisht i rëndësishëm", por po aq i rëndësishëm është "përdorimi i përgjegjshëm i shtypit. Mendoj se kjo është fjala: përdorim i përgjegjshëm i shtypit, për të cilin kërkohet të ndërtojë, jo të polarizojë ose të shkatërrojë".

21 janar 2026, 17:37