Vatikani dhe diplomatët i bëjnë jehonë thirrjes së Papës për një paqe "të çarmatosur"
R.SH. – Vatikan
Paqja “e çarmatosur dhe çarmatosëse” e dëshiruar nga Papa Leoni XIV u kundërvihet “militarizimit” të mendimeve dhe fjalëve, duke promovuar një fe që nuk manipulohet për të arsyetuar dhunën. Ky është qëndrimi i Selisë së Shenjtë i shprehur nga kryeipeshkvi imzot Ettore Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, gjatë Kremtimit të 17-të Ndërfetar Vjetor për Paqen, të mbajtur të mërkurën e kaluar, më 28 janar. Eventi, i organizuar në Kishën e Shën Nikollës së Flüe dhe i bashkërenduar me dioqezën e Lozanës, Gjenevës dhe Friburgut, mblodhi rreth 300 pjesëmarrës, mes të cilëve diplomatë, ambasadorë dhe udhëheqës fetarë, për të reflektuar mbi mesazhin e Papës për Ditën Botërore të Paqes 2026. Mes pjesëmarrësve ishte edhe kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku latin i Jeruzalemit.
Përgatitja për pajtim dhe bashkëpunim
Në fjalimin e tij të mirëseardhjes, kryeipeshkvi Imzot Balestrero e përshkroi kremtimin si një kundër-rrëfimi ndaj logjikës së dhunës dhe konfliktit. "Një paqe 'e çarmatosur dhe çarmatosëse' fiton pa pushtuar dhe nuk përgatitet për betejë, por për pajtim dhe bashkëpunim", pohoi ai, duke u kërkuar diplomatëve t'i rezistojnë “militarizimit” të mendimeve dhe fjalëve, si dhe duke ftuar besimtarët të kundërshtojnë "format e blasfemisë" ku feja manipulohet për të arsyetuar dhunën.
Mospranimi i luftës si normalitet
Kardinali Pizzaballa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos dorëzohet përballë dhunës. "Të heqësh dorë nga paqja do të thotë të pranosh luftën si gjuhë normale në marrëdhëniet njerëzore dhe ndërkombëtare", deklaroi Patriarku i Jeruzalemit. "Pranimi i mesazhit të Papës nuk është optimizëm naiv, por një shpresë kërkuese". Duke reflektuar mbi Tokën e Shenjtë, Kardinali Pizzaballa nënvizoi se armëpushimet e vetme nuk mjaftojnë: "Nuk ka paqe të qëndrueshme pa drejtësi, por nuk ka drejtësi të vërtetë nëse tjetri nuk njihet si person, dhe jo si mjet apo pengesë".
Hapat humanitarë drejt paqes
Një deklaratë e lëshuar në emër të presidentes së Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Mirjana Spoljaric, dhe e lexuar nga zëvendëspresidenti Giles Carbonnier, kujtoi ekzistencën e 130 konflikteve të armatosura aktive në botë dhe paralajmëroi për dobësimin e respektimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare. "Nëse duhet të bëjmë njëqind hapa drejt paqes, të parët janë hapat humanitarë", thuhej në deklaratë. "Respektimi i së drejtës humanitare shpëton jetë njerëzish dhe ruan rrugët për t'u kthyer te paqja".
Lutja universale
Reflektimet e udhëheqësve të krishterë, hebrenj, myslimanë dhe budistë, të ndërthurura me muzikën e koreve filipinase dhe afrikane të famullisë kishtare të Shën Nikollës së Flüe, nënvizuan universalitetin e komunitetit ndërkombëtar të mbledhur në Gjenevë. Kremtimi u përmbyll me lutjen e Shën Françeskut të Asizit, të udhëhequr nga ipeshkvi i dioqezës së Lozanës, Gjenevës dhe Friburgut, Imzot Charles Morerod.