Jubileu: Grupe shtegtarësh në Vatikan Jubileu: Grupe shtegtarësh në Vatikan

Fjalët e Jubileut të Shpresës, të vlefshme për jetën

Person, popull, shtegtim, lutje, derë shenjte, rrëfim feje, falje; rrugë drejt paqes. Këto janë fjalët paraqitur si përfaqësuese të Jubileut nga Nënsekretari i Dikasterit për Ungjillëzimin, Imzot Graziano Borgonovo, "të denja për t'u ruajtur e edhe për të vazhduar udhëtimin e jetës, tani që Jubileu përfundoi".

R.SH. / Vatikan

"Jubileu i Shpresës ishte përvojë e jashtëzakonshme dhe e mrekullueshme", shkruan zëvendës-sekretari i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin, Imzot Graziano Borgonovo, në një artikull për Alfa & Omega të Dioqezës së Madridit. "Jam i sigurt se të gjithë ata që e jetuan mund ta dëshmojnë këtë nga afër".

Gëzim e dëshmi feje

Nënsekretari Imzot Borgonovo shton se ishte në gjendje të vëzhgonte çdo ditë e me shumë gëzim nga dritarja e zyrës së tij, shtegtarë nga të katër anët e botës, me Kryqin e Jubileut në krye, duke ecur drejt Portës Shenjte. Pamje e jashtzakonshme... Në këtë mënyrë, "populli i krishterë shprehte me gëzim fenë e vet. E ishte e pamundur që turistët, gjithmonë me numër të madh në Romë, të mos e vinin re, ngaqë shumë prej tyre me siguri nuk i njihnin shenjat e traditës së krishterë, ose sepse nuk e kishin zbuluar ende atë e akoma, sepse nuk e frekuentonin më", shkruan Imzot Borgonovo. Në  përpjekjen për t’iu përgjigjur pyetjes “Çfarë kuptimi ka fjala Jubile”, Nënsekretari ofron shtatë fjalë "të denja për t'u ruajtur ndërsa vazhdojmë shtegtimin tonë nëpër jetë, tani që Jubileu përfundoi, i pasuar nga ëndrra për të jetuar një mrekulli tjetër".

Ja edhe shtatë fjalët: person, popull, shtegtim, lutje, portë (e shenjtë), rrëfim, falje. Për të arritur tek paqja!

Njeriu dhe populli në shtegtim

Njeriu dhe populli - dy fjalë që dallohen, por nuk ndahen - kujton Imzot Borgonovo - "Zoti dëshiron të më arrijë dhe askush nuk mund të më zëvendësojë në përgjigjen ndaj Tij". Po unë nuk jam vetëm; nuk mund ta konceptoj veten të izoluar nga vëllezërit e mi në fe. Kështu, çdo shtegtar, edhe nëse kishte arritur vetëm pikën e fillimit të udhëtimit në Piazza Pia, në Romë "ishte i ftuar të bashkohej me të tjerët për të ecur së bashku në rrugën e tyre, pas të vetmit Kryq".

Fjala e tretë - shtegtim - na kujton pikërisht udhëtimin. Por udhëtimi, "udhëtimi i jetës dhe udhëtimi nëpër kohë përmes rrethanave të ekzistencës, pushojnë së përshkruari si endje e thjeshtë - e bëhen shtegtim i vërtetë - kur caku është i sigurt". "Shtegu i mbrojtur për në Sheshin e Shën Pjetrit e ka paraqitur këtë dinamikë në mënyrën më të mirë të mundshme".

Me lutje, në Portën Shenjte

Lutja është fjala e katërt. Njerëzit që ecnin së bashku, si popull, në rrugën e shtegtarit, luteshin. E dëshmonin, duke kënduar, duke medituar dhe duke vazhduar në heshtje. "Kështu, në ecjen jubilare drejt Bazilikës së Shën Pjetrit, e po kështu, në shtegtimin e jetës drejt amshimit".

Portë, Portë e Shenjtë, është fjala e pestë. Kalimi i Portës së Shenjtë është çasti më solemn i një Jubileu. "Unë jam Dera (Gjn 10,7), tha Jezu Krishti për vetveten! Ne nuk e hapëm Portën e amshimit: e hapi vetë Zoti, duke na e dërguar Birin e Tij, Jezu Krishtin. Kjo Derë mbetet gjithmonë e hapur, gjithmonë aty, e gatshme për këdo që nuk i shmanget takimit, që i ofrohet"- thekson Imzot Borgonovo.

Besojma dhe paqja, që vjen nga falja

Një çast tjetër prekës dhe qendror i Jubileut është Besojma - fjala e gjashtë. Përpara Altarit të Rrëfimit, tek këmbët e varrit të Shën Pjetrit, në Bazilikën e Vatikanit, "shtegtarët, duke thënë Besojmën, njohin në Jezusin, siç bëri Simon Pjetri në Cezare të Filipit (krh. Mt 16,16), Birin e Zotit të gjallë".

"Falja është fjala e fundit që dua të përmend këtu", shkruan nënsekretari Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin, Imzot Graziano Borgonovo, duke treguar rrëfyestoret, të vendosura sakaq pranë Altarit të Rrëfimit në Bazilikën e Vatikanit. Atje, shumë shtegtarë kërkuan dhe do të vazhdojnë të "kërkojnë falje për mjerimin e mëkateve të tyre dhe të gëzohen për faljen që Zoti, në mëshirën e Tij, nuk do të lodhet kurrë s’ua dhuruari".

Shpresa e fesë të çon në paqen e dashurisë

"Përvoja e Jubileut përfundoi - e përfundoi edhe Imzot Borgonovo, por  çka këshillojnë këto fjalë, flet për ato realitete që, të kërkuara vazhdimisht nga Zoti dhe të kultivuara me kalimin e kohës, të çojnë në amshim: besimi, shpresa dhe bamirësia.

Shpresa e vogël, e themeluar në fe dhe e shprehur në dashuri, siç do të thoshte poeti i madh Charles Peguy, do të vazhdojë të mbështesë dy motrat e saj më të mëdha". Paqja do të jetë në gjendje të manifestohet, si  dhuratë, brenda dhe përreth nesh.

24 janar 2026, 09:24