Leoni XIV përshëndet Atë Cristobál Fones, drejtor i Rrjetit botëror të lutjes së Papës Leoni XIV përshëndet Atë Cristobál Fones, drejtor i Rrjetit botëror të lutjes së Papës

"Të lutemi, për t'u kthyer në zemrën e botës": busulla e Papës për vitin 2027

Drejtori i Rrjetit Botëror të Lutjeve për vitin 2027 paraqet e komenton mendimet dhe ndjetet e lutjeve që Leoni XIV ia beson veprës papnore për vitin e ardhshëm.

R.SH. / Vatikan

Ndjetet, besuar nga Ati i Shenjtë Leoni XIV Rrjetit të tij Botëror të Lutjeve për vitin 2027, paraqiten si shtegtim shpirtëror dhe baritor, i aftë për të prekur, njëkohësisht qendrën e jetës së krishterë dhe kufijtë më konkretë të botës bashkëkohore. Mishërojnë një bindje të thjeshtë: kur Kisha lutet me besnikëri, mëson të shikojë me sytë e Krishtit dhe të shërbejë me dashurinë më të kthjelltë, më të duruar e më të guximshme.

Në një kohë nxitimi, polarizimi e ndjenje ligshtie përballë problemeve, në dukje të mëdha, këto qëllime lutjeje nuk na propozojnë arratisje. Përkundrazi, na edukojnë me një lutje, që na hap sytë, na zgjeron zemrat e ia rikthen dinjitetin jetës sonë të përditshme. Si busull, na prijnë muaj pas muaji drejt sfidave që ndërlikohen: jeta e brendshme, kujdesi, dinjiteti njerëzor, bukuria, puna, teknologjia, kujtesa mirënjohëse, e ardhmja e të rinjve, shtëpia jonë e përbashkët, misioni i komuniteteve, mikpritja e emigrantëve, thirrja e familjes...

 Një vit, që fillon tek burimi: rizbulimi i fuqisë së lutjes

Janari vendos gurin e themelit: "zbulimin e fuqisë së lutjes". Nuk është  teknikë a burim për t'u "ndjerë më mirë", por takim personal me Zotin që e shndërron zemrën e, prej andej, prek historinë. Ky qëllim i parë lutjeje i ndriçon të gjithë të tjerët: nëse lutja është e vërtetë, nuk na mbyll; na shndërron. Na mëson të dallojmë, të zgjedhim të mirën e mundshme, të ruajmë shpresën kur zgjidhjet nuk janë të menjëhershme. Kisha, që lutet kështu, nuk bëhet më e vogël: bëhet më e gatshme, më e mëshirshme, më e lirë.

 Të kujdesemi, për ata që kujdesen: fytyra e dhimbshme e Kishës

Në shkurt, shikimi ynë ngulet tek ata që e mbartin në heshtje jetën: ata që kujdesen për shëndetin e plotë të të tjerëve. Të lutesh për "kujdesin e atyre që kujdesen", do të thotë të pranosh një fakt të dukshëm e, ndonjëherë, edhe të harruar: ka thirrje - profesionale, familjare dhe komunitare - që e dhurojnë vetveten çdo ditë, në mënyrë që të tjerët të mund të jetojnë. Ky qëllim lutjeje na fton t’i mbështesim vërtet ata që provojnë dhimbje e brishtësi, në mënyrë që të mund të hapin shtigjet e shërimit të brendshëm dhe shpresës me durim, urti dhe forcë. Na mëson të kuptojmë edhe se kujdesi nuk është vetëm shërbim: është formë konkrete dashurie e shkollë humanizmi.

 Dinjiteti i jetës njerëzore përballë kulturës së prodhimit

Marsi thellon më tej një urgjencë vendimtare: "respektin për dinjitetin e jetës njerëzore". Në garen ku produktiviteti duket se mat vlerën e njerëzve, lutja na riedukon për të njohur dinjitetin unik dhe të papërsëritshëm të çdo jete, duke nisur nga jeta jonë dhe duke u shtrirë tek të gjithë: tek fëmija i palindur, i sëmuri, i moshuari, ata që nuk "japin fryt", ata që nuk përshtaten, ata që jetojnë rrugash. Lutja për këtë qëllim është kërkim i hirit të Zotit për ta parë secilin si njeri që meriton të duhet, të mbështetet dhe të mbrohet, jo të vlerësohet “për rezultate”

 Bukuria, që e bën njeriun-njeri: arti si dhuratë

Prilli hap një dritare të ndritshme: "Artin, si dhuratë që humanizon". Në një botë përplot me stimuj e, paradoksalisht, të varfëruar në kundrime, arti mund të rizgjojë mrekullinë dhe të lartojë shpirtin. Ky qëllim nuk idealizon: na kujton se bukuria e mirëfilltë nuk është arratisje; është formë e së vërtetës që na pajton me krijimin dhe na ndihmon ta marrim me mend, në të dukshmen, një Mister më të madh. Ta mirëpresësh artin si dhuratë, do të thotë ta bëjmë kulturën vend takimi, dialogu dhe shprese të përbashkët.

 Punë dinjitoze dhe aleancë ndërmjet breznive

Maji hyn në jetën shoqërore me një kërkesë konkrete: "mundësi pune për të gjithë". Zhvillimi teknologjik, i vetëm, nuk e garanton drejtësinë. Prandaj, lutja bëhet kriter dhe angazhim: që inovacioni të hapë shtigje për punë dinjitoze dhe bashkëpunimi ndërmjet brezave të forcojë të ardhmen në të cilën çdo njeri të mund të kontribuojë me talentet e tij, për të mirën e përbashkët. Këtu, prekim një plagë, por edhe një premtim: dinjiteti keqësohet, kur puna mungon ose degradohet; ndërsa kur kujdesemi për të dhe orientohemi drejt së mirës, ​​ struktura shoqërore dhe shpresa ndërtohen.

 Inteligjenca artificiale: urtia për ta vënë teknologjinë në shërbim të njerëzimit

Qershori bën thirrje për "një përdorim të mirë të inteligjencës artificiale". Qëllim lutjeje veçanërisht në përkim me kohën: teknologjia mund ta përmirësojë jetën, por edhe mund ta çnjerëzojë, nëse ndahet nga etika dhe respekti për njeriun. Lutja nuk ka të bëjë me frikën nga progresi; ka të bëjë me kërkimin e aftësisë dalluese, në mënyrë që zhvillimi të jetë gjithmonë në shërbim të dinjitetit njerëzor. Është edhe thirrje për përgjegjësi: nuk mjafton që "mund" të bëhet diçka; ka rëndësi nëse është e dobishme për qeniet njerëzore, nëse mbron më të ligshtit, nëse promovon drejtësinë, të vërtetën dhe lirinë.   

Urtia e gjyshërve dhe të moshuarve, kujtim që mbështet udhëtimin

Korriku na rikthen një pasuri që ndonjëherë bëhet e padukshme: gjyshërit dhe të moshuarit. Ndër ta, Kisha gjen një thesar feje, besimi dhe urtie. Të lutesh për këtë qëllim, do të thotë të mund të vlerësosh kujtesën e gjallë, durimin, perspektivën dhe qetësinë e fituar me kalimin e kohës. E edhe të kërkosh që bashkësitë tona të mos organizohen vetëm për forcë, por edhe për bujari dhe përkatësi: askush nuk duhet të ndihet "i huaj" në familjen e Zotit.

 Të rinjtë dhe thirrja, Krishti si shok udhe

Gushti shikon drejt së ardhmes me butësi dhe realizëm "thirrjen e të rinjve". Në një kulturë që shumëfishon zgjedhjet, por ndonjëherë i zbraz nga kuptimi, lutja kërkon që të rinjtë ta njohin Jezu Krishtin si shok udhe, të cilit mund t'ia hapin zemrat. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me vendime "profesionale" ose "funksionale", por edhe me zbulimin e një thirrjeje që e plotëson jetën, ndriçon dëshirat e thella dhe e bën të frytshme lirinë. Ky ndjet përfshin të gjithë bashkësinë: shoqërimin pa imponim, propozimin pa presion, dëgjimin me respekt dhe ofrimin e hapësirave, ku është e mundur shoshitja.

Kthesë e plotë ekologjike: drejtësi dhe kundrim

Shtatori këmbëngul në "kthesën e plotë ekologjike". Nuk është temë paralele: ka të bëjë me mënyrën e jetesës, të konsumimit, të prodhimit dhe të lidhjes me njëri-tjetrin. Lutja për këtë qëllim përkon me drejtësinë dhe kundrimin: mbrojtjen me përgjegjësi të krijimit, por edhe të mësuarit për ta kundruar si rrugë drejt një jete më të harmonishme e më mirënjohëse. Kur krijimi nuk është më objekt përdorimi dhe kthehet në dhuratë, etika dhe përshpirtëria jonë ndryshojnë.

 Bashkësitë e krishtera misionare rrezatojnë Ungjillin

Tetori i vendos famullitë, komunitetet dhe grupet e krishtera në të vërtetën e tyre më të thellë: në qendra të shtrirjes misionare. Misioni nuk është veprimtari ndërmjet të tjerave; është mënyra e jetës së një komuniteti të gjallë. Të lutesh për këtë, do të thotë të kërkosh hirin për të formuar dishepuj, për të mbështetur proceset, për të shëruar plagët, për të edukuar në fe dhe për t'iu afruar të tjerëve me përvujtëri. Një bashkësi që rrezaton, nuk e bën këtë për propagandën, por për koherencën e një jete të transformuar.

 Emigrantët e të zhvendosurit, Familja Shenjte, ngushëllim e shoqëri

Nëntori na vë përball njërës nga shenjat më të dhimbshme e më vendimtare të kohës sonë: integrimin e migrantëve. Ky qëllim lutjeje na kujton Familjen Shenjte në shtegtimin e saj të jashtëzakonshëm: pamje, që na ndihmon të kuptojmë se askush nuk emigron nga tekat dhe se feja e krishterë nuk mund të jetë indiferent ndaj gjendjes së vështirë të të tjerëve. Të lutesh për këtë qëllim, do të thotë të kërkosh bashkësi të afta për të mirëpritur me dinjitet, solidaritet dhe integrim të vërtetë: jo vetëm me ndihmë, por edhe me përkatësi; jo vetëm "mirëpritje", por njohje të të drejtave, historive dhe kontributeve.

 Familja: vatër ku kultivohen feja, shpresa e dashuria

Dhjetori e kurorëzon vitin me një qëllim lutjeje që e mbështet jetën e Kishës dhe të shoqërisë: "Thirrja e krishterë e familjes". Kërkojmë që familjet tona të jenë dëshmitare të gjalla të Ungjillit, shtëpi ku kultivohen feja, shpresa dhe dashuria. Në rrethana brishtësie, lodhjeje dhe presionesh të shumëfishta, ky qëllim nuk idealizon: mbështet. Na fton të shoqërojmë, të shërojmë, ta fillojmë gjithçka duhet filluar, nga e para. Familja, me bukurinë dhe luftën e saj të përditshme, mund të shndërrohet në një "laborator" të vogël vëllazërie, ku mësohet për të dashur me të vërtetë.

 Të lutemi me Papën, muaj pas muaji

Këto ndjete lutjeje nuk janë krijuar që të mbahen në listë, por që të bëhen shtegtim i përbashkët. Prandaj, Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës, na fton të "lutemi me Papën" çdo muaj, të udhëhequr nga videot, audiot dhe burimet e tjera të fushatës të disponueshme në: www.popesprayer.va

 Viti 2027 qoftë, për të gjithë, kohë lutjeje, që shndërron; shprese, që organizohet në gjeste konkrete; Kishe që, në mes të botës, mëson të dojë gjithnjë e më thellë.

nga Ati Cristóbal Fones, S.J. 

30 janar 2026, 18:50