Patriarku Athenagoras I, majtas, me Papën Pali VI, djathtas Patriarku Athenagoras I, majtas, me Papën Pali VI, djathtas

«Të shlyerit e mallkimeve», gjashtëdhjetë vjet mbas deklaratës së përbashkët

Në një konferencë në Romë, kardinali Kurt Koch dhe mitropoliti Job Getcha i Pisidisë diskutuan rreth përçarjes njëmijëvjeçare midis Kishës Katolike dhe Ortodokse, si dhe rreth Deklaratës së Përbashkët të vitit 1965 nga Patriarku Athenagoras dhe Papa Shën Pali VI, deklaratë që u tregoi dy kishave shtegun e bashkimit.

R.Sh. Vatikan

Në imagjinatën popullore, viti 1054 shënon çastin kur Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse u ndanë përfundimisht. Sipas rrëfimit të përhapur gjerësisht, ishte në këtë pikë që Kisha e Lindjes dhe ajo e Perëndimit – të cilat kishte shekuj që po largoheshin ndërmjet tyre – shpallën njëra-tjetrën si «anatemë», domethënë «të mallkuar», gjë që shkaktoi ndarjen që vijon ende sot.

Vetëm gati njëmijë vjet më vonë, pikërisht në vitin 1965, prijësit e të dy Kishave – Papa Pali VI dhe Patriarku Athenagoras I i Kostandinopojës – më në fund shprehën keqardhjen e tyre për ngjarjet e vitit 1054 nëpërmjet një deklarate të njohur gjerësisht si “Shlyerja e mallkimeve”.

Pa mallkime, pa përçarje

Kjo deklaratë ishte tema e konferences së zhvilluar, dje, më 21 janar, në “Œcumenicum”, Institut i studimeve ekumenike në Universitetin Papnor të Shën Tomë Akuinit në Romë, me titullin «60-vjetori i shlyerjes së mallkimeve: Shërimi i së kaluarës dhe bashkimi i të krishterëve».

Në konferencë morën pjesë kardinali Kurt Koch, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve dhe kryepeshkopi Job Getcha, mitropolit i Pisidisë, në Turqinë e sotme, kryetarë të Komisionit të Përbashkët Ndërkombëtar për Dialogun Teologjik midis Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse.

Megjithatë, siç theksoi drejtuesi i takimit, Atë Hyacinthe Destivelle, në fjalën e tij hyrëse, emri i konferencës ishte paksa i gabuar, pasi në të vërtetë «nuk ka pasur kurrë mallkime të ndërsjella dhe si pasojë, nuk ka pasur kurrë as shlyerje të tyre». Duke folur për agjencinë «Vatican News» pas këtij takimi, mitropoliti Job Getcha u shpreh edhe më qartë kur tha se në vitin 1054 «mund të ketë pasur një ndërprerje të bashkimit» ndërmjet dy Kishave, por «nuk pati përçarje».

Kishat motra

Po atëherë, çfarë ndodhi në vitin 1054?

Në fjalimin e tij, kardinali Koch shpjegoi se ajo që dorëzuan legatët e Kishës latine të Romës në Kostandinopojë nuk ishte një anatemë, pra mallkim, kundër Kishës Bizantine në përgjithësi, por një bulë shkishërimi kundër tre personave të veçantë, përfshirë Patriarkun Mihal Cerularius. Kur Patriarku dhe sinodi i tij u përgjigjën disa muaj më vonë, ata gjithashtu dorëzuan një dokument shkishërimi i cili ishte i kufizuar vetëm për disa individë, në këtë rast, legatët papnorë.

Për më tepër, theksoi kardinali Koch, në kohën kur bula origjinale e shkishërimit u shpall në Kostandinopojë, Papa që e kishte urdhëruar atë, Leoni IX, kishte vdekur prej disa muajsh, që do të thotë se ai dokument nuk kishte më «asnjë vlerë kanonike».

Kështu, ka një «dallim themelor» ndërmjet ngjarjeve të vitit 1054 dhe deklaratës së vitit 1965, tha kardinali, sepse në rastin e parë, deklaratat e ndërsjella kufizoheshin te një grup i kufizuar personash. Ndërsa në vitin 1965, deklarata e përbashkët theksoi lidhjet ndërmjet dy Kishave.

Sadoqë deklarata e përbashkët e vitit 1965 nuk solli bashkim të menjëhershëm, tha kardinali Koch, ajo solli “eklesiologjinë e dy Kishave Motra», që do të thotë se të dyja Kishat e konsiderojnë njëra-tjetrën si të ligjshme dhe shprehin dëshirën për të mësuar nga njëra-tjetra. Ky qe një hap i parë i domosdoshëm në udhëtimin ekumenik, u shpreh kardinali Kurt Koch dhe një ditë do të pasohet nga hapi tjetër i bashkimit eukaristik.

Sinodi, primati dhe fjala «filioque»

Në fjalimin e tij, Mitropoliti Job i Pisidisë theksoi punën e mirë të shumë historianëve nga të dyja Kishat, Katolike dhe Ortodokse, të cilët kanë hedhur më shumë dritë në përceptimin kolektiv të «skizmës» së vitit 1054.

Ndër ta është edhe Martin Jugie, meshtar dhe studiues katolik francez, lindur në vitin 1878, i cili, tha Mitropoliti Job, pati argumentuar se shkishërimi i ndërsjellë i vitit 1054 nuk ishte fillimi i një skizme midis dy Kishave, por përkundrazi «përpjekja e parë e dështuar për t’i dhënë fund».

Mitropoliti Job theksoi gjithashtu formulimin e fuqishëm të Deklaratës së Përbashkët të vitit 1965, në të cilën si Papa Pali VI ashtu edhe Patriarku Athenagoras I deklaruan qëllimin e tyre për t'i “shlyer këto shkishërime”.

Më tej, Mitropoliti Job nënvizoi përparimin që është bërë në zgjidhjen e dallimeve teologjike ndërmjet Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse, veçanërisht në çështjen e sinodit dhe primatit. Ai gjithashtu theksoi qëndrimin e Papëve të mëvonshëm për të mos përmendur në mledhje ekumenike fjalën «filioque» të Besojmës – e cila qe shkaku kryesor i fërkimeve historike midis Kishave. Po ashtu Mitropoliti Job Getcha e përkufuzoi vendimin e Papës Leoni XIV për të hequr këtë fjalë nga lutja e Besojmës gjatë lutjes mbrëmësore ekumenike në Romë në shtator të 2025 si shenjë e një «shprese të madhe».

Në të vërtetë, theksoi Mitropoliti Job, është bërë aq shumë përparim në nivel institucional saqë përparësia kryesore tani duhet të jetë që ky përparim të pranohet më gjerësisht. Bashkimi ndërmjet dy Kishave – nënvizoi prelati i lartë i Kishës Ortodokse – do të vijë vetëm kur mbarë kleri dhe laikët ta dëshirojnë dhe të punojnë për bashkimin, jo vetëm autoritetet e larta kishtare.

Termat e çështjes "Filioque

Quhet “çështja e Filioque” mosmarrëveshja e lindur midis Kishës së Lindjes dhe Kishës së Perëndimit pas përfshirjes së termit Filioque (shqip: "dhe nga Biri"), pikërisht në versionin latin të nenit të tretë të fesë të Besojmës së Kostandinopojës së vitit 381, me të cilin synohet të dëshmohet se Shpirti rrjedh nga Ati «dhe nga Biri».

Termi Filioque, mbi bazën e një tradite teologjike të dëshmuar nga Etër të shumtë të Kishës së Perëndimit — mes të cilëve Ilari, Ambrozi, Augustini dhe Leoni i Madh, të cilët pohonin se Shpirti Shenjt rrjedh (procedit) amshueshëm nga Ati dhe nga Biri — u përfshi në simbole të ndryshme të fesë që nga shekulli V dhe, më pas, edhe në Simbolin nikaeno-kostandinopolitan, sigurisht që nga fundi i shekullit VIII, siç dëshmojnë aktet e koncileve të Akuilesë në vitin 796 dhe të Akuisgranës (Achen) në vitin 809; ndërsa, përfshirja në versionin liturgjik latin të Besojmës daton vetëm në vitin 1014.

22 janar 2026, 11:18