2025.10.09 Mesha e Shenjtë për Jubileun e Jetës së Kushtuar 2025.10.09 Mesha e Shenjtë për Jubileun e Jetës së Kushtuar

Të kushtuarit janë fara e paqes aty ku dinjiteti plagoset

Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Institutet e Jetës së Përkushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike bën të ditur letrën e vet me titull "Profecia e pranisë: Jeta e shuguruar aty ku dinjiteti plagoset dhe besimi është në sprovë". Letra bëhet publike pak ditë para Ditës së 30-të Botërore të Jetës së Kushtuar, e cila do të festohet të hënën, më 2 shkurt dhe do të kulmojë me Meshën e kryesuar nga Leoni XIV në Bazilikën e Vatikanit

R.SH. - Vatikan

"Profeci pranie dhe farë paqeje" në rrjedhën e historisë. Të kushtruarit a rregulltarët e rregulltaret në të gjithë botën janë ata të cilëve u kushtohet kjo letër nënshkruar të mërkurën që kaloi, më 28 janar, nga Motra Simona Brambilla, misionare e Consolata-s dhe prefekte e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Institutet e Jetës së Përkushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike; nga proprefekti, kardinali salezian Ángel Fernández Artime, dhe nga sekretarja, Tiziana Merletti, e Motrave Françeskane të të Vobektëve. Letra, e titulluar "Profecia e Pranisë: Jeta e përkushtuar aty ku dinjiteti plagoset dhe besimi sprovohet", po publikohet vetëm disa ditë para Ditës së 30-të Botërore të Jetës së Përkushtuar, e cila do të kremtohet të hënën e ardhshme, më 2 shkurt, Festa e të Paraqiturit të Zotit, dhe do të arrijë kulmin me Meshën e kryesuar nga Leoni XIV në Bazilikën e Shën Pjetrit në orën 17:00.

Një prani që mbetet e gjallë

Drejtuesit e Dikasterit të Selisë së Shenjtë shkruajnë se vitin e kaluar, gjatë udhëtimeve dhe vizitave baritore, iu është bërë një «dhuratë»: ajo e kontaktit me shumë  të kushtuar, dhe se kanë ndeshur me fytyrat e shumë prej atyre që përjetojnë gjendje të prekura nga "konfliktet, paqëndrueshmëria sociale dhe politike, varfëria, mënjanimi, migrimi i detyruar, pakicat fetare, dhuna dhe tensionet", të gjithë elementë që "sprovojnë dinjitetin, lirinë dhe ndonjëherë vetë besimin e njerëzve". Por, vazhdojnë ata, këto janë përvoja që zbulojnë njëkohësisht përmasën "e fortë" profetike të jetës së shuguruar si një "prani që mbetet në këmbë", përkrah popujve dhe individëve "të plagosur", në vende ku Ungjilli jetohet në kushte "të rrezikshme dhe sprovash".

Shenja të Zotit që nuk na braktis

Një "qëndrim" që merr pamje dhe sfida "të ndryshme", ashtu siç ndryshojnë kompleksitetet e shoqërive, sidomos kur jeta e përditshme shënohet nga "brishtësia dhe pasiguria institucionale" apo kur pakicat fetare përjetojnë "presione dhe kufizime", por edhe kur mirëqenia bashkëjeton me "vetminë, polarizimin, format e reja të varfërisë dhe indiferencën". Këtu hyjnë edhe situatat në të cilat "migrimi, pabarazia dhe dhuna e përhapur" sfidojnë bashkëjetesën civile. Në shumë pjesë të botës, "situata politike dhe sociale vë në provë besimin dhe gërryen shpresën", thuhet në letër. Prandaj, prania "besnike, e përulur, krijuese dhe e prujtur" e personave të shuguruar kthehet në "shenjë" të fjalës se "Zoti nuk e braktis popullin e tij".

Çfarë do të thotë "të qëndrosh aty", sipas Ungjilli.

Më tej, dokumenti trajton edhe një reflektim mbi konceptin e "të qenit" ungjillor, i cili nuk është kurrë “i ngurtë”, e aq më pak "kapitullim pa kushte", por "shpresë vepruese", e aftë të nxisë "qëndrime dhe gjeste paqeje" përmes "fjalëve që çarmatosin", pikërisht aty ku plagët e konfliktit duket se e fshijnë vëllazërinë, dhe "marrëdhëniet që dëshmojnë" dëshirën për dialog midis kulturave dhe feve. Duhet të përshkohesh nëpër "vendimet që mbrojnë" të vegjlit edhe kur kjo gjë ka "një çmim për t'u paguar". Duhet "durim" edhe brenda bashkësisë kishtare; "këmbëngulje" në kërkimin e shtigjeve të pajtimit dhe "guxim" në denoncimin e situatave dhe strukturave që mohojnë dinjitetin dhe drejtësinë njerëzore. Në dritën e të gjithë këtyre temave, shprehja "të qëndrosh aty" nuk është thjesht një zgjedhje personale ose e përbashkët, theksojnë hartuesit e letrës, por bëhet një "fjalë profetike për të gjithë Kishën dhe botën".

Shumë anë të një profecie të vetme

Pikërisht "si fara që pranon vdekjen në mënyrë që jeta të lulëzojë", profecia e çdo jete të kushtuar në të gjitha format e saj të larmishme dhe plotësuese, shprehet në aftësinë për të qëndruar në këmbë. Jeta apostolike, për shembull, e bën "të dukshme" një "afërsi të bazuar te puna" që ndihmon dinjitetin e plagosur. Ndërsa jeta në meditim "ruan" nëpërmjet ndërmjetësimit dhe besnikërisë shpresën kur besimi vihet në sprovë. Për më tepër – thuhet në letrën e dikasteri të Selisë së Shenjtë për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike – institutet shekullare e dëshmojnë Ungjillin si një "tharm të hirshëm" në jetën shoqërore dhe profesionale. Po ashtu, edhe «Ordo virginum» manifeston fuqinë e bujarisë dhe besnikërisë që "na hap drejt së ardhmes". Nga ana tjetër, jeta murgare a jeta rregulltare kujton "parësinë e Zotit dhe gjënë thelbësore që çarmatos zemrën". Në larminë e të gjitha këtyre formave, thekson letra, "një profeci e vetme merr formë: të qëndrosh aty me dashuri, pa braktisur askënd, pa heshtje, duke e bërë jetën tënde «fjalë» për këtë kohë dhe për këtë histori".

Duke lulëzuar si fara paqeje

Dhe brenda kësaj "profecie të qëndrimit", një dëshmi paqeje piqet. Kjo kuptohet – pohon dokumenti – si "një udhëtim i përditshëm" i cili përbëhet nga dëgjimi i tjetrit, dialogu, durimi, kthimi i mendjes dhe i zemrës dhe refuzimi i shtypjes së më të fortit. Për këtë arsye, shpjegon dokumenti, jeta e kushtuar, kur i rri afër plagëve të njerëzimit "pa u dorëzuar ndaj logjikës së konfliktit" dhe "pa hequr dorë nga kumtimi i së vërtetës së Zotit për njerëzimin dhe historinë", bëhet "artizane e paqes". Dokumenti përfundon me falënderimin për të gjithë rregulltarët e rregulltaret e jetës së përkushtuar për këmbënguljen e tyre, në vazhdën e Jubileut që u ishte kushtuar pikërisht këtyre, më 10 tetorin e kaluar, si shtegtarë shprese në rrugën e paqes. Po ashtu, në letër, ka edhe një lutje drejtuar Hyjit që Ai të na ndihmojë të "qëndrojmë pa u lëkundur", "të ngushëllojmë" dhe "të fillojmë përsëri", dhe kështu të jemi profeci e pranisë dhe farë paqeje në Kishë dhe në botë.

29 janar 2026, 06:32