Toka e Shenjtë, Ungjill i pestë që fillon në Jordani
R.SH. / Vatikan
Andrea Tornielli
Kur mendojmë për Tokën Shenjte, kur flitet për Tokën Shenjte, është e natyrshme të mendojmë për vendet historike të jetës së Jezusit, në Palestinë e Izrael: Betlehemi, Nazareti, Kafarnao, Jeruzalemi... Por ekziston një vend tjetër ku kujtimet e krishtera janë të shpërndara, vend i denjë për të qenë cak shtegtimi: Jordania. Është tokë, nëpër të cilën populli hebre, i udhëhequr nga Moisiu, shtegtoi drejt vendit të premtimit, ku ndodhën disa ngjarje biblike, e madje edhe ungjillore. Është vendi nga i cili Moisiu mundi të shihte tokën e Kanaanit para vdekjes. Vendi ku Jezusi u pagëzua nga Gjon Pagëzuesi, ku Nazarenasi takoi apostujt e tij të parë, Andreun dhe Pjetrin, ku shëroi e kreu mrekulli.
Në një kontekst të vështirë - mjafton të kujtosh fqinjët, Sirinë, Irakun, Arabinë Saudite, Izraelin dhe Palestinën - Jordania dallohet për stabilitetin e saj dhe bashkëjetesën paqësore të traditave të ndryshme fetare. Të krishterët janë një pakicë, 4 % e popullsisë, dhe e konsiderojnë veten qytetarë të plotë të vendit: drejtojnë shkolla dhe spitale, ndërsa katolikët e ritit latin përfaqësojnë pjesën më të madhe të dioqezës së udhëhequr nga Patriarku Latin i Jerusalemit. Një destinacion popullor udhëtimi për vendpushimet në Detin e Vdekur dhe në Detin e Kuq, veçanërisht për bukurinë e jashtëzakonshme të Petrës, qytetit të lashtë nabatean gdhendur në shkëmb. Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1985, Jordania tani po përpiqet të vlerësojë gjithnjë e më shumë kujtimet e krishtera.
Aqaba dhe Petra
Kisha e Aqabasë, e shekullit të 3-të, cilësohet si ndërtesa më e vjetër në botë e ndërtuar qëllimisht për kremtime të krishtera. Kisha u gërmua nga arkeologët në vitin 1998. Ka të ngjarë që vendndodhja e saj periferike brenda Perandorisë Romake ta ketë shpëtuar nga shkatërrimi gjatë Persekutimit të Madh, i cili shpërtheu disa vjet pas ndërtimit të Kishës në vitin 303, me dekretin e Perandorit Dioklecian. Mbetjet e saj u zbuluan në qytetin bregdetar jordanez me pamje nga Deti i Kuq në qershor 1998, nga një ekip arkeologësh. Stili unik arkitektonik i Kishës ishte menjëherë i dukshëm, duke sfiduar perceptimin e përhapur ndërmjet historianëve se vendet e para të adhurimit të krishterë në Jordani datojnë që nga fundi i shekullit të 4-të. Ky shkrimtar ishte pjesë e një grupi vizitorësh të cilëve iu lejua, në një të dielë pasdite me diell, të kremtonin Meshën ndërmjet atyre rrënojave, të cilat mbrohen nga një tendë me anë të hapura në qendër të një sheshi. Fakti që të krishterëve u lejohet të kremtojnë adhurimin kaq publikisht dëshmon për thirrjen e një vendi me shumicë dërrmuese myslimane, ku bashkëjetojnë besime të ndryshme.
Edhe qyteti madhështor i Petrës ruan kujtime të krishtera, veçanërisht një Kishë bizantine me mozaikë, që datojnë që nga shekujt 5-6, e që përshkruajnë skena të jetës së përditshme dhe të natyrës, duke demonstruar kalimin nga dekorimet pagane - në motive të krishtera. Petra krenohet me një nga pagëzoret më të mëdha të antikitetit, të ndërtuara nga një cisternë para-ekzistuese. Një faltore bazilike ngjitur njihet edhe si "Kisha blu" për shkak të granitit blu me origjinë egjiptiane. Ajo u ndërtua mbi një vend adhurimi më të hershëm nabatean dhe më vonë u shkatërrua nga zjarret dhe tërmetet.
Mali Nebo
Është një majë me bukuri të jashtëzakonshme, që ofron pamje unike të rajonit. Prej këtej mund të admironi Detin e Vdekur dhe Shkretëtirën Judeane, Luginën e Jordanit dhe malet e Judesë dhe të Samarisë. Në ditë të kthjellëta, mund të shihni Jerusalemin dhe rrugën që të çon në Qytetin e Shenjtë. Kujdestaria e Tokës Shenjte është përgjegjëse për zbulimin dhe gërmimet në këtë vend, e, në veçanti, Vëllai Girolamo Mihaic, i cili arriti ta blinte tokën në vitin 1932. Fushatat e gërmimeve, të kryera në vitet 1930 dhe përsëri në fillim të viteve 1960, të ndërprera nga fushatat ushtarake dhe më pas të rifilluara në vitet 1970 nga Atë Michele Piccirillo, zbuluan një trashëgimi unike. Ky vend përmendet si nga shtegtari Egeria, pionier i Tokës së Shenjtë në fund të shekullit të katërt, ashtu edhe nga Peter Iberian, ipeshkvi i ardhshëm monofizit i Gazës. Gërmimet kanë zbuluar thesare, veçanërisht mozaikë bizantinë, të cilët u ruajtën në tërësinë e tyre.
Sot është e mundur të dallohen mbetjet e Bazilikës së parë, që daton në vitin 430 pas Krishtit, ndërtesat manastirore të ndërtuara në vitet pasuese, Bazilika e re, madhështore, nga shekulli i 16-të, që kulmoi në një ndërtesë me tri absida, një pagëzimore të lashtë dhe më pas, bazilikën e shekullit të 6-të dhe Kapelën e Hyjlindëses. Gjatë shekujve, strukturat kanë qenë subjekt i shembjes së shkaktuar nga tërmetet. Që nga viti 2016, shtegtarët janë mirëpritur në bazilikën e rindërtuar me mjeshtëri duke përdorur dru, i cili menjëherë nxjerr në pah elementët e lashtë pa i mbingarkuar me ato moderne.
Machaerus
Në këtë mal, ndodhej fortesa Hasmoneane, e ndërtuar në vitin 90 para Krishtit nga Mbreti Aleksandër Jannaeus. Garnizoni ushtarak u shkatërrua nga Romakët dhe në vitin 30 para Krishtit, Herodi i Madh nisi të ndërtonte një pallat-fortesë atje, për të kaluar dimrin. Edhe prej këtu, ka një pamje unike. Mbetjet e zbuluara flasin për një pallat që shtrihej thellë në mal dhe ishte i rrethuar nga një fshat për shërbëtorët. Nga ky vend, Herodi i Madh udhëtonte rregullisht në Detin e Vdekur për shërim. Sipas traditës, Gjon Pagëzuesi u mbajt i burgosur brenda këtyre mureve dhe pikërisht këtu Herod Antipasi ia plotësoi Salomesë dëshirën për t’ia prerë kokën. Fortesa u shkatërrua nga Mbreti Areta IV në vitin 37 pas Krishtit dhe, më në fund, u rrafshua përdhe nga Romakët në vitin 71.
Pagëzimi i Jezusit
Vendi më i rëndësishëm ungjillor është sigurisht ai ku u bë pagëzimi i Jezusit, "Betania përtej Jordanit", qytet në Ungjillin e Gjonit, i njohur në shekujt e parë të epokës së krishterë si Bethabara dhe sot Al-Maghtas, në arabisht "pagëzim" ose "zhytje". Duket gjithashtu në Hartën e famshme të Madabës (një tjetër vend që duhet parë në Jordani), i krijuar në mozaik në shekullin e 6-të. Dëshmi të rëndësishme arkeologjike e konfirmojnë këtë. Ndërmjet fundit të shekullit të 5-të dhe fillimit të shekullit të 6-të, Perandori Bizantin Anastasius I Dikhor ndërtoi Tempullin e parë kushtuar Gjon Pagëzuesit. Ndërtesa përshkruhet nga shtegtarët e kohës. Bazilika e Trinisë së Shenjtë u ndërtua më vonë këtu, kishë të paktën 27 metra e gjatë dhe më shumë se 15 metra e gjerë. Gërmimet përreth zbuluan shpella, shenjtërore, mozaikë, dysheme mermeri për eremitë dhe një pagëzimore të madhe në formë kryqi. Aty pranë u zbuluan edhe mbetje të lidhura me kujtimin e Elisë profet. Zona u shpall Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2015. Vendimi për të ruajtur vendin pa asnjë ndërhyrje pushtuese është gjithashtu mbresëlënës, siç shpjegon Rustom Mkhjian, drejtor i Vendit të Pagëzimit: vetëm struktura të lehta prej druri mbulojnë disa nga këto vende.
Kard. Pizzaballa: një Sakrament i tetë
"Toka Shenjte", pohon Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jerusalemit, "është Ungjill i pestë”. Gjithashtu më pëlqen ta quaj një lloj sakramenti të tetë, sepse na lejon të përjetojmë një takim fizik dhe të prekshëm me Jezusin. Gjithkush mund të jetë i krishterë i përsosur pa shkuar në Tokën Shenjte, por nëse dikush shkon në Tokën Shenjte, feja e krishterë bëhet më e fortë dhe më konkrete...".
Nga Jordania, Kardinali Pizzaballa e bën këtë thirrje për t’i shpeshuar shtegtimet. Ftesë, kjo, për shtegtarët, për të prekur me duar gurët që dëshmojnë jetën e Jezusit dhe për t’u takuar me gurët e gjallë, të përfaqësuar nga bashkësitë e sotme të krishtera: “I inkurajoj të gjithë të vijnë në Tokën e Shenjtë për ta jetuar këtë përvojë të mrekullueshme të takimit me Jezu Krishtin dhe njerëzimin e tij”.