Në foto: imz. Ettore Balestrero, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së OKB-së. Në foto: imz. Ettore Balestrero, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së OKB-së.

Imzot Balestrero: "Vështirësitë e OKB-së pasqyrojnë krizën e multilateralizmit"

Pas alarmit për një falimentim të mundshëm të OKB-së të ngritur nga António Guterres, Sekretar i Përgjithshëm, Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë praaë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, arqipeshkvi Ettore Balestrero shpjegoi për mediat e Vatikanit se gjendja po keqësohet: "Është një krizë strukturore. Është e dhimbshme të mendosh për shkurtimet e ndihmës humanitare që tashmë janë shumë."

R.Sh. Vatikan

Nga Gjeneva, ku arqipeshkvi Ettore Balestrero është vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe  organizatave të tjera ndërkombëtare, paralajmërimi i ngritur nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres për një kolaps të mundshëm financiar të OKB-së nëse shtetet anëtare nuk i shlyejnë menjëherë kontributet e tyre të papaguara, tingëllon si një kambanë alarmi shqetësuese. Kjo nuk është hera e parë që Guterres ka tërhequr vëmendjen për këtë problem. Në fund të vitit të kaluar i dërgoi Asamblesë së Përgjithshme një raport të posaçëm rreth gjendjes financiare të OKB-së. Por kriza është përkeqësuar me kalimin e kohës. Pasiguria po rritet dhe zbatimi i programeve po rrezikohet.

A mendoni vërtet se një falimentim i OKB-së është i mundur?

Nuk dua të mendoj se kjo mund të ndodhë. Por është një sinjal paralajmërues gjithnjë e më i fortë, është krizë strukturore. Sfidat më të mëdha janë vonesat në operacione, zbatimi i programit dhe mirëmbajtja e misioneve paqeruajtëse, pagesa e pagave të stafit dhe punësimi i stafit të ri. Për shembull, tashmë duket se po bëhet realitet një shkurtim prej 15% në buxhetin e operacioneve paqeruajtëse. Është e dhimbshme të mendosh për shkurtimet e ndihmës humanitare, të cilat tashmë janë bërë dhe do të bëhen edhe më të mëdha. Varësia e tepërt nga vetëm nga një grusht politikanësh e bën problemin e parave edhe më serioz.

A nuk ju duket se kriza financiare që ka hasur OKB-ja në të vërtetë pasqyron krizën e multilateralizmit?

Sigurisht. Ajo është simptomë e një shqetësimi të madh dhe i një krize të thellë, e cila ka shumë aspekte të ndryshme. Për shembull, paraliza e institucioneve multilaterale përballë luftës, një garë e re armatimesh, prishja e sistemit të çarmatimit të krijuar nga OKB-ja menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Më 5 shkurt, skadoi «New START», traktati ndërkombëtar mbi reduktimin e armëve bërthamore i nënshkruar nga SHBA-të dhe Rusia. Dhe pastaj ka edhe aspekte të tjera si fundi i ligjit të drejtë në favor të ligjit të më të fortit dhe politikat ekonomike proteksioniste. Shkurt, në fund të Luftës së Dytë Botërore, doli në pah një mirëkuptim i qartë që sanksiononte paligjshmërinë e luftrave, gjë që ka funksionuar deri tani. Por pas 80 vitesh, raporti i fuqisë ka ndryshuar: vendet janë të shqetësuara, qoftë për të ruajtur pozicionin e tyre ose për të fituar pushtet më të madh, nga të gjitha pikëpamjet. Tashpërtash, Kombet e Bashkuara përfaqësojnë një botë që nuk ekziston më dhe nuk është në gjendje t’u përgjigjet si duhet sfidave të kohës sonë.

Kriza e multilateralizmit duket gjithnjë e më e dukshme dhe e theksuar. A mund ta shpjegoni arsyen?

Arsyeja kryesore është ndryshimi i raportit të fuqisë dhe i drejtpeshimit ndërkombëtar. Pastaj ka edhe shkaqe të tjera. Para së gjithash, humbja e ngadalshme dhe gërryerja e besimit në vetë idenë e së mirës së përbashkët të ndërsjellë: marrëdhëniet ndërkombëtare po shumëzohen gjithnjë e më shumë me zero. Kështu, besimi se rregullat e përbashkëta të institucioneve multilaterale mund t'i shërbejnë vërtet të gjithëve po venitet, dhe iluzioni mbizotërues është se siguria dhe zhvillimi mund të arrihen vetëm.

Dhe pastaj vijnë pabarazitë...

Të cilat po zgjerohen gjithnjë e më shumë, jo vetëm brenda vendeve individuale, por edhe midis kombeve. Edhe kjo gjithashtu minon besimin te multilateralizmi. Kur kaq shumë pjesë të mëdha të popullsisë së botës e përjetojnë globalizimin si një përjashtim sesa një mundësi, atëherë rregullat multilaterale duken shumë të largëta, me sa duket të hartuara më shumë për interesin e disave sesa për të mirën e të gjithëve.

Cili është qëndrimi i tashëm i Selisë së Shenjtë rreth nevojës për multilateralizëm?

Këtë e shprehu Papa Leoni XIV së fundi në fjalimin e tij drejtuar trupit diplomatik. Papa tha se ne jetojmë në një botë që përballet me sfida të ndërlikuara. Dhe në këtë botë, organizatat ndërkombëtare duhet të nxisin dialogun dhe të ndihmojnë në ndërtimin e një planeti më të drejtë. Kombet e Bashkuara duhet të jenë më efektive në ndjekjen e politikave që synojnë bashkimin e familjes njerëzore, jo ideologjitë apo interesat afatshkurtra dhe të njëanshme. Qëndrimi i Selisë së Shenjtë është ky: multilateralizëm do të thotë të gjesh një vend që kombet të takohen dhe të angazhohen në dialog, por për t'u angazhuar në dialog, siç përsëriti Papa, duhet të biem dakord për fjalët dhe konceptet. Nëse fjalët humbasin kontaktin me realitetin dhe vetë realiteti bëhet i diskutueshëm, atëherë mirëkuptimi bëhet i pamundur.

Reformimi i OKB-së duket gjithnjë e më i nevojshëm. Por kush duhet ta bëjë këtë?

Varet nga shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe mbi të gjitha, ajo që nevojitet është vullneti i mirë dhe ndjenja e së mirës së përbashkët. Ndarja e pushtetit nuk duhet të ndodhë pa një ndarje të përgjegjësive për të mirën e të gjithëve. Duhet respektuar para së gjithash dinjiteti i çdo qenieje njerëzore.

07 shkurt 2026, 08:04