Imzot Gallagher: marrëveshjet janë ura për të kapërcyer ndarjet, jo mure për të mbrojtur privilegjet
R.SH. - Vatikan
Diplomacia "duhet të vazhdojë të ndriçojë rrugën e solidaritetit dhe miqësisë brenda bashkësisë ndërkombëtare". Këto janë temat që arqipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare theksoi në fjalimin e tij, më 30 janar, në Sllovaki, gjatë vizitës për kremtimin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Themelore me Selinë e Shenjtë. Në takimin me Ministrin e Jashtëm Juraj Blanár, përfaqësuesi i Vatikanit imzot Gallagher e përshkroi miqësinë midis dy vendeve si "të frytshme dhe të fortë" dhe përsëriti se cilët janë gurët themelorë ku do të vazhdojnë të bazohen marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe. Prelati shprehu kënaqësinë e tij për njohjen e arritjeve të vendit, si brenda territorit të vet (në ruajtjen e vlerave familjare, promovimin e barazisë dhe mbrojtjen e mirëqenies së brezave të ardhshëm) ashtu edhe më gjerë, përmes kontributit të tij të vazhdueshëm në bashkësinë ndërkombëtare, në promovimin e dialogut, ndërtimin e besimit dhe nxitjen e paqes dhe qëndrueshmërisë midis shteteve.
Rindërtimi i besimit në botën tonë, mbuluar nga terri i luftës
"Bota jonë është errësuar nga luftërat, konfliktet dhe ligështia e institucioneve shumëpalëshe. Në këtë botë të grimcuar dhe të polarizuar," vërejti përfaqësuesi i Vatikanit në Bratislavë, "shpresa duket e largët dhe e pakapshme. Megjithatë, mbetet thirrja për ndërtimin e besimit, (dhe aty ku ka dështuar, të rindërtojmë, të vijojmë me dialogun dhe të ndjekim rrugët që çojnë drejt paqes së qëndrueshme."
Pasi shqyrtoi vizitat e Papëve Gjon Palit II dhe Françeskut në familjen evropiane, si dhe atë të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit Pietro Parolin tre vjet më parë, dhe, njëkohësisht, ato të krerëve të shteteve sllovake në Vatikan – e fundit, më pak se dy muaj më parë – Gallagher kujtoi se si partneriteti është konsoliduar në një angazhim të përbashkët për të mirën e përbashkët, të frymëzuar nga misioni ungjillëzues i Shenjtorëve Ciril dhe Metod. Një histori që, siç ripohoi prelati, nxjerr në pah një të vërtetë themelore që Selia e Shenjtë e mbështet në të gjitha nismat e saj dypalëshe: "Marrëveshjet kanë si qëllim të bëhen ura për të kapërcyer ndarjet, jo mure për të mbrojtur privilegjet".
Mbrojtja dhe nxitja e dinjitetit njerëzor
"Marrëveshjet si e jona respektojnë misionet e dallueshme si të Shtetit ashtu edhe të Kishës, duke mundësuar bashkëpunimin që i sjell dobi shoqërisë në tërësi", vazhdoi arqipeshkvi Gallagher. "Ato promovojnë dialogun dhe inkurajojnë mirëkuptimin e ndërsjellë". Në themel të kësaj, theksoi prelati, është qëllimi për të promovuar bashkimin ndonëse jemi të ndryshëm, "duke bërë thirrje për njohjen, mbrojtjen dhe promovimin e dinjitetit të çdo individi, në mënyrë që të gjithë të mund të ndjekin zhvillimin integral njerëzor dhe të arrijnë përmbushje autentike".
Ndihmë për refugjatët ukrainas
Prelati gjithashtu kujtoi disa projekte sociale që ka ndërmarrë Kisha Katolike në Sllovaki, veçanërisht në fushat e arsimit dhe solidaritetit. Këtu përfshihet Universiteti i Ružomberok dhe institucionet e shumta të bamirësisë si «Caritas», i cili, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet vendore dhe shoqërinë civile, ndihmon mijëra njerëz. Vëmendje e veçantë u kushtohet të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara, të pastrehëve dhe familjeve në nevojë. Gallagher përmendi gjithashtu angazhimin e atyre që ndihmojnë refugjatët, veçanërisht atyre nga Ukraina, përsa i përket ushqimit, strehimit, këshillimit, kurseve të gjuhës dhe ndihmë për integrimin. Ai theksoi gjithashtu punën e punonjësve të të rinjve, duke nxitur një "qytetari të përgjegjshme bazuar te besimi dhe shërbimi". Këto përpjekje, të frymëzuara nga vlerat e drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe përgjegjësisë morale, e shtrijnë ndikimin e tyre përtej kufijve të Sllovakisë.
Pa kulturën e takimit, rrezikojmë të mposhtemi.
Së fundmi, duke kujtuar thelbin e Mesazhit të Leonit XIV për Ditën Botërore të Paqes, përfaqësuesi i Vatikanit përsëriti drejtimin në të cilin Selia e Shenjtë synon të vazhdojë, atë që Papë Françeskut i pëlqente ta quante "kultura e takimit" dhe "arti i së mundshmes" kur binte fjala te diplomacia. "Ashtu si Selia e Shenjtë promovon vazhdimisht bashkëjetesën harmonike ndërmjet njerëzve dhe bashkësive brenda shteteve", përfundoi ai, "duke mbrojtur dinjitetin dhe lirinë e çdo personi, po ashtu është e palëkundur në mbështetjen e parimeve dhe vlerave që mbështesin marrëdhëniet paqësore midis kombeve, me respekt të plotë për sovranitetin e secilit. Pa këto themele, bashkësia ndërkombëtare rrezikon t'i nënshtrohet një logjike pushteti, në të cilën shtetet më të cënueshme janë të parat që vuajnë."