Në foto: paraqitja e edicionit VI të çmimit "Françesku i Asizit dhe Karl Akutis për ekonominë e vëllazërimit" Në foto: paraqitja e edicionit VI të çmimit "Françesku i Asizit dhe Karl Akutis për ekonominë e vëllazërimit"

Çmimi "Shën Françesku dhe Shën Akutis" për ekonominë në shërbim të vëllazërimit

U paraqit më 3 shkurt në Palazzo Pio, në selinë e «Vatican News», në Romë edicioni i gjashtë i këtij çmimi, i cili u jepet projekteve prodhimtare të hartuara nga sipërmarrës të rinj që vijnë nga skajet e botës. Regjistrimi është i hapur deri më 28 shkurt dhe ceremonia e dorëzimit të çmimeve është caktuar më 16 maj, në Bazilikën e të Çveshurit në Asizi. Kardinali You, prefekt i Dikasterit për Klerin, e përkufizoi atë si "nismë që është burim frymëzimi për shenjtëri".

R.Sh. Vatikan

Nga njëra anë, çmimi nxit ato nisma dhe projekte ekonomike të propozuara nga popullata që jetojnë në skajet e botës. Nga ana tjetër, na jep një shembull të modelit prodhimtar, që bazohet te bashkëpunimi, si alternativë e modelit që synon dominimin, i cili shfrytëzon për së mbrapshti njerëzit dhe burimet e kësaj bote. Ky është qëllimi i dyfishtë i Çmimit Ndërkombëtar "Françesku i Asizit dhe Carlo Acutis për ekonominë e vëllazërimit", i sponsorizuar nga fondacioni i Bazilikës të të Çveshurit në dioqezën e Asizit, Nocera Umbrës dhe Gualdo Tadinos.

Edicioni i gjashtë i Çmimit – përkufizuar si "i veçantë" meqë viti 2026 përkon me përvjetorët e dyfishtë të tetëqindvjetorit të vdekjes së Shën Françeskut të Asizit dhe përvjetorit të njëzetë të vdekjes së Shën Karlo Akutis – u paraqit të martën, më 3 shkurt, në sallën «Marconi» pranë Radio Vatikanit-Vatican News, në Pallatin Pio, në Romë.

Kulmi i vëllazërimit

"Sot duhet ta shohim botën me sytë e Shën Françeskut dhe Shën Carlo Acutis", tha kardinali Lazzaro You Heung-sik, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Klerin, gjatë paraqitjes. Në vitin 2023, ky dikaster ia dha çmimin një fshati në Çad, Afrikë, për një projekt të titulluar "Betlehemi, shtëpia e bukës"për përgatitjen e bukës. "Në kohën tonë", vijoi kardinali, "ne vërejmë shumë mosmarrëveshje dhe plagë të hapura. Po ashtu, ka edhe zgjidhje ekonomike që i shfrytëzojnë për së mbrapshti burimet e rruzullit. Në këtë mjedis, ne duhet të jemi tharm vëllazërie dhe burim frymëzimi për shenjtëri, duke propozuar një model të ri ekonomik për këtë kohë" – përfundoi kardinali You.

Shenjë e prekshme e ekonomisë së re

Imzot Domenico Sorrentino, administrator Apostolik i Dioqezës së Asizit, Nocera Umbras dhe Gualdo Tadinos, i cili në vitin 2021 shkroi një libër të titulluar "Françesku i Asizit dhe ekonomia e vëllazërisë", shpjegoi idenë që qëndron pas çmimit. "Më erdhi në mendje në vitin 2013, kur Papa Françesku erdhi në Asizi për të vizituar Bazilikën e të Çveshurit. Papa ishte mjaft i trishtuar sepse kishte ndodhur një plojë e madhe emigrantësh. Kështu që mendova të jepja një shenjë konkrete të ekonomisë së re, duke i dhënë emrin e Shën Françeskut të Asizit dhe të Shën Karl Akutis, sepse të dy," përfundoi prelati, "e vunë veten në vendin e të varfërve. Dy qasje të ndryshme, por që i bashkon dashuria për vëllezërit".

Bashkëpunim kundër rregullave të mbrapshta të tregut

Atë Giulio Albanese, drejtor i Zyrës për Komunikimin Shoqëror dhe Zyrës për bashkëpunimin misionar midis Kishave të Vikariatit të Romës, duke parë gjendjen e tashme ndërkombëtare, hodhi edhe një herë "idenë e bashkëpunimit", veçanërisht "në një botë të dominuar nga perandoritë, që imponojnë rregullat e tyre, botë ku mbizotëron pesimizmi dhe ku multilateralizmi është në krizë". Ky është qëllimi i kësaj nisme, e cila, "ofron frymëzim dhe paraqet një model të ndryshëm", përfundoi anëtari i komisionit të vlerësimit, Atë Giulio Albanese

Ky çmim njeh dhe vlerëson projekte që vijnë prej cepave më të largët të botës dhe bazohet në kriterin e "inkurajimit veçanërisht të nismave të të rinjve nën 35 vjeç" – shpjegoi Martina Giacomel, zyrtare e Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, Seksionit të Kërkimit dhe Reflektimit.

Projekte që bëhen mundësi punësimi

"Ky çmim nuk lidhet me mirëqenien, por me krijimin e mundësive", shpjegoi Imzot Anthony Figueiredo, bashkërendues i punimeve për këtë çmim, shpjegoi qëllimin e nismës. "Në vitin 2022", vazhdoi ai, "çmimin e fitoi një projekt briketash qymyri të bërë me zambakë uji të tharë dhe lëvozhga kokosi, të propozuara nga një bashkësi në Manile, Filipine. Tashti, kjo bashkësi po punon punon falë kësaj ideje. Në vitin 2025, çmimin e mori India sepse mbështeti nismën e një linje telefonike për të verbërit dhe të shurdhërit". Janë pra, projekte që rriten përmes pjesëmarrjes. "Katër vjet më parë, morëm 30 aplikime nga 15 vende. Vitin e kaluar, morëm 60 projekte nga 50 vende, shumica nga Afrika dhe Azia. Ky projekt është profetik dhe vizionar", përfundoi koordinatori i çmimit ndërkombëtar, "për të shkuar në vendet më të varfra dhe më të harruara".

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet në Asizi më 16 maj

Afati i fundit për dorëzimin e projekteve është 28 shkurti 2026. Aplikimet do të vlerësohen nga një panel prej gjashtë ekspertësh. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet më 16 maj 2026 në Asizi, në ditën e festës së Bazilikës e Varfanjakut. Projekti fitues do të marrë një çmim 50,000 eurosh dhe "mantelin e Françeskut", krijuar nga stilisti Brunello Cucinelli, i cili sjell ndërmend gjestin e ipdeshkvit të atëhershëm të Asizit, Guido, i cili mbuloi Shën Françeskun kur ky çveshi rrobat para babait të tij, Pietro Bernardone. Fituesit do t’i dhurohet gjithashtu një ikonë e Shën Françeskut dhe Shën Carlo Acutis.

04 shkurt 2026, 09:28