Skelat mbi Gjykimin e Mbram të Mikelanxhelos Skelat mbi Gjykimin e Mbram të Mikelanxhelos

Gjyqi i Mbram: montohen skelat për restaurimin

Filluan skelat për pastrimin dhe mirëmbajtjen e jashtëzakonshme të Gjyqit të Fundit të Mikelanxhelos, në kapelën Sikstine. Puna, besuar Laboratorit të Restaurimit, do të zgjasë afërsisht tre muaj. Kapela Sikstine do të mbetet e hapur gjatë punimeve.

R.SH. / Vatikan

Nisi puna në skelën për mirëmbajtjen e jashtëzakonshme të afreskeve të Gjyqit të Fundit - a të Mbram - në Kapelën Sistine, në Vatikan. Ngjarja u njoftua për shtyp nga Muzetë e Vatikanit.

Tridhjetë vjet pas "restaurimit të shekullit"

I njoftuar që verën e kaluar, projekti i pastrimit - pak më shumë se tridhjetë vjet pas "restaurimit të shekullit" që zbuloi nuancat e shkëlqyera të kryeveprës së Mikelanxhelos - u bë i nevojshëm "për shkak të pranisë së një mjegulle të bardhë të përhapur", shpjegon Paolo Violini, kryetar i Laboratorit të Restaurimit të Pikturave dhe Materialeve prej Druri të Muzeve të Vatikanit. Kjo e fundit u shkaktua "nga depozitimi i mikropjesëzave të substancave të huaja mbartur nga lëvizjet e ajrit të cilat, me kalimin e kohës, zbutën kontrastet e kiaroskuros dhe uniformuan ngjyrat origjinale të afreskut".

Kapela Sikstine, gjithnjë e hapur

Gjatë tre muajve të restaurimit, Kapela Sikstine do të mbetet e hapur, duke vazhduar të mirëpresë besimtarët dhe vizitorët. Restauruesit do të punojnë pas një kanavace me definicion të lartë, që riprodhon afreskun e famshëm. Skelat do të mbulojnë gjithë sipërfaqen, duke i lejuar ekipit të rivendosë ngjyrën dhe cilësinë origjinale të dritës.

Projekti mbështetet nga Kapitulli i Floridës i Mbrojtësve të Arteve në Muzetë e Vatikanit dhe, përveç Laboratorit të Restaurimit, përfshin Kabinetin e Kërkimit Shkencor, Zyrën e Konservatorit dhe Laboratorin Fotografik të Muzeve të Vatikanit.

Monitorim i vazhdueshëm

Në vazhdimësi me ndërhyrjen e konservimit të përfunduar në vitin 1994 nën mbikëqyrjen e drejtorit të përgjithshëm të atëhershëm Carlo Pietrangeli dhe të kryer nga restauruesi kryesor Gianluigi Colalucci, pikturat e Cappella Magna, gjatë viteve ishin objekt i hetimit dhe i monitorimit të vazhdueshëm nga Muzetë e Vatikanit, të nevojshëm për të vlerësuar gjendjen e konservimit në dritën e fluksit të lartë ditor të vizitorëve. Programi i mirëmbajtjes parandaluese për të gjithë kompleksin dekorativ nisi nga Laboratori i Restaurimit për të hequr sistematikisht depozitat e grumbulluara me kalimin e kohës. Deri tani, këto operacione janë kryer çdo vit, natën, me ndihmën e platformave të lëvizshme, dhe kanë përfshirë muret me lunetat e Michelangelo-s, serinë e Papëve dhe skenat e mëdha të shekullit të pesëmbëdhjetë.

Kryevepra, që të mbush me "habi e mrekulli"

Tani është radha e murit të madh dhe të famshëm pas altarit, porositur Michelangelo-s në vitin 1533 nga Papa Klementi VII dhe nisur nën Palin III. Me 180 metrat katrore të sipërfaqes së pikturuar dhe 391 figurat që e gjallërojnë, puna u përfundua në vjeshtën e vitit 1541. Më 31 tetor të atij viti, Papa kremtoi lutjet Mbrëmësore solemne në prani të një kryevepre që, siç kujton Giorgio Vasari, "të mbush me habi dhe mrekulli".

02 shkurt 2026, 17:21