Homelia e Kardinalit Parolin në shenjtëroren e Zojës Mari në Monte Berico, në kodrën mbi Vicenza, Itali Homelia e Kardinalit Parolin në shenjtëroren e Zojës Mari në Monte Berico, në kodrën mbi Vicenza, Itali

Kard. Parolin: Maria na mëson të shërohemi nga ndjenja e epërsisë që na ndan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, kryesoi sot pasdite, më 8 shkurt, një Meshë solemne në shenjtëroren mariane të Monte Berico-s, mbi Viçenca, për fillimin e Vitit Jubilar Marian dhe të Rilindjes, me rastin e 600-vjetorit të shfaqjes së parë të Zojës Mari. Në homeli ai ftoi të rizbulojmë “atë shkollë autentike humaniteti e cila, duke parë nga Maria, shëron qytetin nga armiqësia shoqërore që vret, si një murtajë, trupin dhe shpirtin”.

R.SH. / Vatikan

Të dielën më 8 shkurt, kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, kremtoi Meshën solemne në Shenjtëroren mariane të Monte Berikos, në Viçenca, Itali, me rastin e hapjes së Vitit Jubilar Marian dhe të Rilindjes, në 600-vjetorin e shfaqjes së parë të Zojës Mari. Në holeminë e Meshës kard. Parolin ftoi besimtarët të rizbulojnë Marinë si një “shkollë të vërtetë të njerëzimit”, e aftë të shërojë shoqërinë nga armiqësia, përçarja dhe ndjenja e epërsisë që shkatërron marrëdhëniet njerëzore.

Kardinali Parolin kujtoi shfaqjen e Zojës Mari në vitin 1426, kur Viçenca ishte goditur nga murtaja, dhe se si, përmes ndërmjetësimit të Marisë Virgjër, qyteti italian përjetoi një shërim të plotë, trupor dhe shpirtëror. Edhe sot, theksoi Sekretar i Shtetit të Vatikanit, njerëzimi ka nevojë për këtë shërim përballë “murtajave” moderne të: egoizmit, përjashtimit dhe padrejtësisë shoqërore.

Sipas Kardinalit Parolinit, Maria na mëson heshtjen e brendshme dhe dëgjimin e Zotit në Krishtin, rrugë që hap “dyer të mbyllura” dhe u jep dinjitet e zë të gjithëve. Vetëm kështu mund të ndërtohet një shoqëri ku ka vend për të gjithë, e bazuar në barazi, solidaritet dhe bashkëndarje.

Në përfundim, kardinali Pietro Parolin nënvizoi se duke parë Marinë, qytetet dhe komunitetet mund të shërohen nga armiqësia shoqërore që, si një murtajë, izolon njerëzit në frikë dhe i ndan nga njëri-tjetri.

08 shkurt 2026, 19:39