Portreti i Shën Gjon Henri Njumanit, në Oratorin e Birmingamit Portreti i Shën Gjon Henri Njumanit, në Oratorin e Birmingamit

Kard. Roche: Shën Newman, një shembull i jashtëzakonshëm i kërkimit të së vërtetës që ndriçon dhe shpëton

Kardinali Roche, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, shpjegon vendimin e Papës për të përfshirë Shën John Henry Newmanin në kalendarin e Ritit Romak të Kishës më 9 tetor, datë përkujtimi liturgjik, fakultativ: "Përfshirja e këtij përkkujtimi na ndihmon të sodisim Shën John Henry Newmanin si një njeri të udhëhequr nga 'drita e mrekullueshme' e hirit të Zotit për të gjetur paqe në Kishën Katolike".

R.Sh. Vatikan

Më 1 nëntor 2025, Papa Leoni XIV kremtoi Solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve në Sheshin e Shën Pjetrit në prani të përfaqësuesve të botës arsimore që kishin ardhur në Romë për Vitin e Shenjtë. Me atë rast, ai e shpalli Shën John Henry Newmanin Doktor të Kishës dhe "bashkëpajtor, së bashku me Shën Tomë Akuinin, të të gjithë atyre që marrin pjesë në procesin arsimor" (Papa Leoni XIV, homili).

Dikasteri i Vatikanit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve ka nxjerrë një Dekret, në emër të Atit të Shenjtë Leoni XIV (Nr. Prot. 760/25, datë 9 nëntor 2025, data e festës së kushtimit të Bazilikës Laterane), me anë të të cilit Shën John Henry Newman, meshtar dhe doktor i Kishës, u regjistrua në Kalendarin e Përgjithshëm Romak më 9 tetor, si datë përkujtimi liturgjik fakultativ. Së bashku me dekretin, tekstet që do të futen në të gjithë kalendarët, në Mesharin Romak, në Liturgjinë e Orëve dhe në Martirologun Romak janë botuar në latinisht. Tani u takon Konferencave Episkopale të vendeve të ndryshme të përkthejnë, miratojnë dhe  – pas njohjes nga ky Dikaster i Vatikanit – të botojnë tekstet liturgjike për këtë kremtim, siç kërkohet nga normat në fuqi (krh. Letrën Apostolike në formën e një «Motu Proprio», Magnum principium).

Përfshirja e Shën John Henry Newmanit në kalendarin e përgjithshëm romak, pas shpalljes së tij si Doktor i Kishës Universale, synon ta paraqesë atë si një shembull të jashtëzakonshëm të kërkimit të vazhdueshëm të së vërtetës që ndriçon dhe shpëton. Në homilinë e tij gjatë Meshës kur u zhvillua riti i shpalljes së Shën Gjon Henri Njumanit Doktor i Kishës, Papa Leoni XIV kujtoi se "referenca ndaj errësirës që na rrethon na sjell ndërmend një nga tekstet më të famshme të Shenjtit... himnin 'Më udhëhiq, o dritë e mirë'". Ati i Shenjtë Prevost vazhdoi: "Është detyra e edukimit t'u ofrojë këtë dritë të mirë atyre që përndryshe mund të mbeteshin në prangat e hijeve, veçanërisht të pesimizmit dhe frikës. Prandaj, do të doja t'ju thoja: le të harrojmë justifikimet që nxjerrim për të ngritur duart përjetë si dorëzim dhe mungësi force, dhe le të përhapim arsyet e mëdha për shpresë në botën bashkëkohore." I ndjeri Papa Françesku, në enciklikën e tij «Dilexit nos», theksonte gjithashtu një fakt tjetër domethënës në jetën e Shën John Henry Newman, i cili "zgjodhi si moto të tij shprehjen 'Cor ad cor loquitur' – 'Zemra i flet zemrës', sepse, përtej çdo dialektike, Zoti na shpëton duke u folur zemrave tona nga Zemra e tij e Shenjtë. E njëjta logjikë nënkuptonte që për Gjon Njuman, një mendimtar i madh, vendi i takimit më personal me veten dhe me Zotin nuk ishte leximi apo reflektimi, por dialogu i lutjes, zemër më zemër, me Krishtin e Gjallë dhe të pranishëm" (nr. 26).

Në tekstet liturgjike për këtë kremtim, kjo përzgjedhje na zbulon thelbin e udhëtimit shpirtëror të Shenjtit Gjon Njuman: Zoti e udhëhoqi atë me "dritën e tij të mirë" derisa arriti paqen e Kishës së tij. Udhëtimi i tij bëhet një frymëzim dhe një burim lutjeje edhe për ne, që dëshirojmë t’u ikim hijeve për të arritur dritën e plotë të së vërtetës.

Leximet biblike të propozuara për ditën e përkujtimi liturgjik të festës së Shën Gjonit Njuman synojnë të ndriçojnë disa tipare të jetës të këtij shenjti. Leximi i parë, i marrë nga Libri i Siracidit, paraqet një njeri i cili, me vullnetin e Zotit, është i mbushur me frymën e dëgjimit (krh. Sir 39:8-14). Psalmi (Ps 39:2 dhe 4ab, 7-8a, 8b-9, 10). Me refrenin e tij – "Ja, unë po vij, o Zot, për të bërë vullnetin tënd" – i jep zemër njerëzve të shprehin, si shenjti, dëshirën për të jetuar në bindje të plotë ndaj vullnetit të Zotit, edhe në situata të vështira. Fragmenti i Ungjillit, të cilit i prin brohoritja me të cilën bashkësia njeh dhe mirëpret të vetmin Atë në qiell dhe të vetmin Zot, Krishtin (krh. Mt 23,9b, 10b), është marrë nga Ungjilli sipas Mateut (Mt 13,47-52). Në këtë pjesë, Mbretëria e Hyjit krahasohet me një rrjetë të hedhur në det që zë çdo lloj peshku. Vetëm ata që bëhen dishepuj mund ta kuptojnë shëmbëlltyrën e Mbretërisë së Qiellit, duke u bërë kështu si një zot shtëpie që "nxjerr nga thesari i tij gjëra të reja dhe të vjetra". John Henry Newman, anglez, u bë dishepull i së vërtetës së Zotit: për këtë arsye ai u bë për bashkësinë e besimtarëve një doktor i fesë, i aftë të nxirrte nga thesari i saj gjëra të reja dhe të vjetra.

Në Liturgjinë e Orëve, pas shënimit hagjiografik, leximi i dytë i Zyrës së Leximeve përmban një fragment nga «Apologia pro Vita Sua», një vepër e shkruar nga Shenjti Njuman në vitin 1864. Në të, ai rrëfen përvojën e tij të kthimit në katolicizëm, duke e krahasuar atë me një anije që hyn në port pasi lë pas një det të stuhishëm.

Së fundmi, Martiriologu romak e vendos eulogjinë për Doktorin e Shenjtë Njuman, të parën midis Shenjtorëve që përkujtohen më 9 tetor. Përfshirja e këtij kremtimi në Kalendarin e përgjithshëm romak na ndihmon të kundrojmë Shën John Henry Newmanin si një prelat të udhëhequr nga "drita e mrekullueshme" e hirit të Zotit për të gjetur paqe në Kishën Katolike. Kontributet e tij me rëndësi të madhe teologjike dhe ekleziologjike, si dhe kompozimet e tij poetike dhe devocionale, vazhdojnë të frymëzojnë udhëtimin shpirtëror dhe intelektual të besimtarëve, ndërsa kërkimi i tij i vazhdueshëm për t’u ikur hijeve dhe për të arritur plotninë e së vërtetës mbetet një shembull i ndritshëm për çdo dishepull të Jezu Krishtit.

 

03 shkurt 2026, 13:17