Kard. Parolin në Maltë: Shtetet nuk duhet të synojnë sundimin, por të respektojnë sovranitetin dhe dinjitetin
R.SH. / Vatikan
"Sliem", termi maltez për "paqen", e tejkalon konceptin e thjeshtë "të mungesës së konfliktit" për të komunikuar harmoni, pajtim, dashamirësi”. Shqiptimi i tij, e mbi të gjitha praktikimi i tij, kërkon diplomaci e respekt për sovranitetin dhe dinjitetin e secilit, jo "sundim" mbi të tjerët. Ky është konteksti për marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe vendit në "udhëkryqin e Mesdheut", Maltës, të thirrur për të adresuar "çështjet e reja": ruajtjen e paqes dhe fenomenin e migrimit, në një tokë që e priti për herë të parë Shën Palin, "të mbytur në det e të ligështuar". Këto janë temat e trajtuara nga Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, gjatë paraqitjes së vëllimit përkujtimor "Pjetri në Ishullin e Palit. Çaste kthese në Historinë e Marrëdhënieve ndërmjet Maltës dhe Selisë së Shenjtë", që kremton gjashtëdhjetë vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Maltës dhe Selisë së Shenjtë, të lidhura zyrtarisht më 15 dhjetor 1965.
Diplomaci "në shërbim të bashkimit"
Kardinali Parolin duke vizituar Mlatën, vendin evropian, theksoi se përvjetorët nuk janë ushtrime të thjeshta në kujtesë, por më tepër mundësi për të reflektuar mbi kuptimin e marrëdhënieve në dritën e shumë aspekteve: "ndërmjet popujve dhe institucioneve, historisë dhe përgjegjësisë e, në rastin e Selisë së Shenjtë, ndërmjet misionit baritor të Kishës dhe angazhimit të saj ndaj bashkësisë ndërkombëtare". Në fjalimin e mbajtur anglisht, Kardinali Parolin theksoi vlerën thellësisht "relacionare" të misionit të Kishës dhe pranisë së saj në skenën ndërkombëtare dhe kujtoi fjalët e Papës Leoni XIV drejtuar në janar Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë. Duke shëruar të gjymtuarin në Portën e Tempullit, pati vërejtur Papa, Shën Pjetri po bënte një gjest: jo gjest pushteti, por "takimi". Nga kjo perspektivë, shpjegoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, ne e kuptojmë natyrën unike të diplomacisë papnore: nuk është "e orientuar drejt avantazhit ose dominimit", por "në shërbim të bashkimit, e vëmendshme ndaj të gjithë popujve dhe kulturave, respektuese për sovranitetin dhe e frymëzuar nga shqetësimi për dinjitetin e çdo personi".
"Hapja paoline dhe shqetësimi petrin"
Në këtë kornizë radhitet lidhja ndërmjet Maltës dhe Selisë së Shenjtë, që nuk lindi si "akt politik i izoluar", por si shprehje institucionale e një lidhjeje "të lashtë dhe të thellë". Ishulli ka një vend unik në traditën e krishterë, atë të mbytjes së anijes të Shën Palit dhe të "mikpritjes së pazakontë" me të cilën Apostulli i Popujve u prit "si i huaj, i ligshtë e nën vartësi". Histori kjo, që gjatë shekujve ndihmoi në formimin e identitetit maltez në rrëfimin e tij të "mikpritjes, të shërimit e të besimit". Krahas trashëgimisë së Palit, Kardinali Parolin kujtoi bashkëveprimin e vazhdueshëm të Maltës me Selinë e Shenjtë, të shprehur përmes "kujdesit baritor të Romës" dhe shqetësimit për unitetin e fesë. Kjo trajektore e dyfishtë, "hapja paoline dhe kujdesi pjetrin", del qartë nga vëllimi i paraqitur: "mision dhe qeverisje, mikpritje dhe unitet, identitet lokal dhe bashkësi universale".
Ndërmjet pavarësisë e Koncilit II të Vatikanit
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndodhi në një çast historik, të përshkruar si "vendimtar" nga Kardinali Parolin. Më në fund Malta kishte fituar pavarësinë dhe Selia e Shenjtë ishte angazhuar, pas Koncilit II të Vatikanit, për të ripërcaktuar "kuptimin e saj lidhur me praninë e Kishës në botën moderne". Nën Papën Shën Palin VI, përfaqësimi diplomatik u njoh si shprehje konkrete e asaj që ai e përcaktoi në Letrën e tij Apostolike, të lëshuar si Motu Proprio, "Sollicitudo omnium Ecclesiarum", si "përgjegjësi atërore e Papës për të gjitha Kishat". Në këtë këndvështrim, nunci apostolik është njëkohësisht përfaqësues diplomatik dhe "urë baritore": i akredituar pranë Shtetit, por edhe shenjë e dukshme e bashkimit me Kishën lokale.
Angazhimi historik maltez ndaj mikpritjes
Në Maltë, vërejti Kardinali Parolin, ky vizion gjeti zbatim "veçanërisht koherent". Gjatë gjashtë dekadave, marrëdhëniet dypalëshe u zhvilluan brenda një kuadri të aftë për të mbrojtur institucionet demokratike dhe, njëkohësisht, lirinë e Kishës. Marrëveshjet në fusha të tilla si arsimi, martesa, prona kishtare dhe formimi teologjik tregojnë se si "bashkëpunimi ndërmjet Kishës dhe Shtetit, kur bazohet në respekt të anasjelltë dhe qartësi të kompetencave, i shërben të mirës së përbashkët e jo komprometimit të saj". Përvoja malteze të jep edhe një mësim më të gjerë: "rëndësinë e një Shteti nuk e përcakton madhësia gjeografike". Pavarësisht shtrirjes së tij të vogël territoriale, ishulli ishte në gjendje të jetojë "një thirrje të hapur ndaj botës së jashtme", e theksuar nga vendndodhja e tij në qendër të asaj që romakët e quanin Mare Nostrum, duke vepruar si urë ndërmjet brigjeve veriore dhe jugore të Mesdheut. "Qëndresë" dhe "angazhim i qëndrueshëm ndaj mikpritjes" që rikumbojnë "thellësisht me etikën diplomatike të Selisë së Shenjtë".
Rileximi i së kaluarës, për të vepruar urtisht
Në një botë të prekur nga fragmentimi dhe konflikti, deklaroi Kardinali Parolin, paqja ndërtohet me durim, nëpërmjet "dialogut dhe dëgjimit". Fjala malteze sliem mund të bëhet, pra, edhe sot "parim udhëzues për marrëdhëniet ndërkombëtare". Vëllimet përkujtimore si Pjetri në Ishullin e Palit, shtoi ai, e ruajnë kujtesën jo si "nostalgji ose vetvlerësim", por si “burim gjykimi”, "duke na lejuar të lexojmë të tashmen në dritën e një të kaluare të jetuar dhe kuptimplote", dhe të përballojmë sfidat e sotme me "urti dhe liri" më të madhe shpirtërore. Duke i bërë jehonë fjalëve që Shën Pali VI ua kushtoi arkivistëve kishtarë në vitin 1963: "Është Krishti ai që punon në kohë dhe që e shkruan, pikërisht Ai, historinë e Tij, në mënyrë që copat tona në letër të jenë jehonë dhe gjurmë të këtij kalimi të Zotit Jezus në botë".
Marrëdhëniet e bamirësisë e të vërtetës
Megjithatë, marrëdhënia ndërmjet Maltës dhe Selisë së Shenjtë, duke mbetur brenda sferës letrare, nuk është "kapitull i mbyllur". Prania e Nunciaturës Apostolike na kujton se "diplomacia, kur frymëzohet nga shqetësimi i vërtetë për individët dhe popujt, mund të mbetet humane, etike dhe mbartëse shprese". Në të vërtetë, ajo vazhdon të zhvillohet dhe t’i përballojë sfidat bashkëkohore: nga migrimi, te lidhja shoqërore; nga kujdesi për krijimin te ndryshimi teknologjik, tek ruajtja e paqes në kontekstin e "një rendi të brishtë ndërkombëtar ".
Sekretar i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin përfundoi duke rikujtuar pamjen "e thjeshtë por të përzemërt" të Shën Palit, të mirëpritur "me dashamirësi në Maltë", ashtu si pasardhësit e Pjetrit që erdhën në ishull. "Ky takim i qëndrueshëm i Pjetrit e i Palit në tokën malteze vazhdoftë të frymëzojë marrëdhënie që shquhen nga e vërteta dhe bamirësia, respekti dhe bashkëpunimi, dhe nga angazhimi i përbashkët për dinjitetin e personit njerëzor".