2023.02.20 Locandine Via Crucis

Një Udhë Kryqi e re në Bazilikën e Shën Pjetrit

E premte, më 20 shkurt, në orën 15:00, në Bazilikën e Vatikanit, do të hapet Udha e Kryqit e krijuar nga artisti i ri zviceran Manuel Andreas Dürr, i zgjedhur pas një konkursi ndërkombëtar që mori më shumë se një mijë aplikime. Në orën 16:00 do të vijojë kremtimi i Udhës së Kryqit.

R.SH. / Vatikan

Në kuadër të iniciativave të promovuara me rastin e VI-qindvjetorit të Dedikimit të Bazilikës së Vatikanit (1626–2026), Fabrika e Shën Pjetrit do të përurojë sot, më 20 shkurt, në orën 15:00, një Udhë Kryqi të re brenda Bazilikës së Shën Pjetrit.

Vepra është krijuar nga artisti i ri zviceran Manuel Andreas Dürr, i cili u zgjodh pas një konkursi ndërkombëtar të shpallur në dhjetor 2023. Konkursi, i hapur pa dallim kombësie, gjinie, moshe ose përkatësie fetare, mori më shumë se një mijë aplikime nga tetëdhjetë shtete të pesë kontinenteve.

Komisioni, i përbërë nga historianë arti, liturgistë dhe përfaqësues të institucioneve vatikanase, pas një seleksioni të parë bazuar në CV-të dhe albume fotografike, ftoi katërmbëdhjetë artistë të paraqesin dy skica, përfshirë atë të detyrueshme për stacionin e dymbëdhjetë – Jezu Krishti vdes në kryq. Pas një vlerësimi të kujdesshëm, propozimi i Dürr u zgjodh njëzëri për ekuilibrin e kompozimit dhe forcën shprehëse me të cilën interpreton misterin e Pashkëve.

Katërmbëdhjetë stacionet e Udhës së Kryqit të Krishtit, të rrethuar nga mjeshtëria e Fabbrica-s, do të ekspozohen gjatë gjithë periudhës së Kreshmës nëpër nefin qendror dhe rreth altarit qendror ‘Confessione’, duke shërbyer për lutjen e besimtarëve dhe vizitorëve. Confessione (Rrëfimi ) është hapësira e shenjtë që hapet përpara altarit kryesor të Bazilikës për të lejuar një pamje të vendit të varrimit të Shën Pjetrit nga lart.

Në orën 16:00, pas një inaugurimi të shkurtër, do të zhvillohet kremtimi i Udhës së Kryqit brenda Bazilikës. Kremtimi do të shoqërojë pjesëmarrësit gjatë katërmbëdhjetë stacioneve të Udhës së Kryqit, në një udhëtim meditimi mbi Mundimet e Krishtit Zot, me lexime, lutje dhe momente heshtjeje, në zemër të hapësirës liturgjike që ruan kujtimin e Pjetrit Apostull.

Me këtë Udhë Kryqi të re, Bazilika e Vatikanit rinovon dialogun midis artit dhe liturgjisë, duke ofruar komunitetit kishtar dhe shtegtarëve një shenjë të dukshme të mënyrës se si bukuria vazhdon të jetë një udhë e privilegjuar për të kundruar misterin e Kryqit të Jezu Krishtit.

20 shkurt 2026, 13:21