Papa në audiencë me Princin Albert II të Monakos (@VATICAN MEDIA) Papa në audiencë me Princin Albert II të Monakos (@VATICAN MEDIA)

Po shqyrtohet një udhëtim i Papës në Principatën e Monakos

Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë u ka konfirmuar disa agjencive të lajmeve se Leoni XIV mund të vizitojë për vetëm një ditë në fund të marsit shtetin e vogël që laget nga Bregu i Kaltër. Ky do të ishte udhëtimi i dytë i Papnisë, i pari i një Pape, në epokën moderne, në Principatë.

R.SH. / Vatikan

Në studim një udhëtim I Papës në Principatën e Monakos. Kështu bëri të ditur Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë në përgjigje të kërkesës nga disa agjenci lajmesh. Ky udhëtim do të ishte për një ditë në fund të marsit. Nëse konfirmohet, ky do të ishte udhëtimi i dytë i Papës Leoni XIV që nga fillimi i Papnisë së tij dhe vizita e parë e një Pape në Principatën e Monacos në historinë moderne.

Shtegtimi i parë i Papës Leoni XIV jashtë Italisë u realizua në Turqi dhe Liban nga 27 nëntori deri më 2 dhjetor 2025. Pikërisht gjatë fluturimit të kthimit, duke iu përgjigjur një pyetjeje të një gazetarje lidhur me udhëtimet e ardhshme, Leoni XIV pati shprehur dëshirën për të udhëtuar në Algjeri për të vizituar vendet e Shën Augustinit, por gjithashtu edhe për të vazhduar dialogun ndërmjet botës katolike dhe botës myslimane. “Sigurisht – pati thënë Ati i Shenjtë – do të më pëlqente shumë të vizitoja Amerikën Latine”, duke iu referuar pastaj Argjentinës dhe Uruguajit, të cilat shpresojnë në një udhëtim të Papës, si dhe Peru, vend në të cilin Robert Prevost ka qenë fillimisht misionar dhe më pas ipeshkëv.

Pikërisht më 17 janar, Papa Leoni XIV pati pritur në audiencë princin e Monaco-s Alberti II, i cili më pas pati bisedime në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit. Takimi – siç njoftoi atëherë Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë – u përqendrua në marrëdhëniet e mira bilaterale ekzistuese dhe në kontributin e Kishës Katolike në jetën sociale të Principatës. Me kardinalin Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Selisë së Shenjtë, dhe me imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatën Ndërkombëtare, u bisedua gjithashtu edhe për çështje ndërkombëtare, me një vëmendje të veçantë për paqen dhe sigurinë.

10 shkurt 2026, 16:35