Bazilika e Shën Pjetrit Bazilika e Shën Pjetrit

Vëllazëria e Shën Piut X refuzon dialogun me Selinë e Shenjtë. Shugurimet ripohohen

Në një letër drejtuar Kard. Fernández, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, Eprori i përgjithshëm i Vëllazërisë Shën Piu X Pagliarani thotë se nuk ka mundësi ta fillojë dialogun "teologjik" i propozuar nga Selia e Shenjtë, duke pasur parasysh se "tekstet e Koncilit nuk mund të korrigjohen, as legjitimiteti i reformës liturgjike, të vihet në dyshim". Në pamundësi për të arritur marrëveshjen mbi doktrinën, konfirmohet vendimi për të shuguruar ipeshkvij të rinj, më 1 korrik.

R.SH. / Vatikan

Jo propozimit për dialog "specifikisht teologjik" paraqitur nga Selia e Shenjtë, sepse në çdo rast as tekstet e Koncilit II të Vatikanit dhe as legjitimiteti i reformës liturgjike nuk do të viheshin kurrë në dyshim.

Po për shuhgurimet e ipeshkvijve të rinj, planifikuar për 1 korrik. 'Vëllazëria Meshtarake Shën Piu X' u përgjigj me një letër nga Eprori i saj i Përgjithshëm, dom Davide Pagliarani, drejtuar Kardinalit Víctor Manuel Fernández, Prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë, pas takimit të tyre në Vatikan, më 12 shkurt. Në një deklaratë të mëvonshme, kard. Fernández e quajti takimin  "të përzemërt" dhe "të sinqertë". Më pas njoftoi se u kishte propozuar anëtarëve të Vëllazërisë Meshtarake Shën Piu XX të fillonin "një dialog specifik teologjik" me "metodologji shumë të saktë, në lidhje me çështjet, ende të pa sqaruara mjaftueshëm". Ky propozim u shoqërua me një kërkesë për të pezulluar shugurimet ipeshkvore shpallur më 2 shkurt, sepse kjo "do të nënkuptonte  ndërprerjen vendimtare të bashkësisë kishtare (skizmë) me pasoja të rënda për Vëllazërinë në tërësi".

Një javë më parë, dom Pagliarani njoftoi se do t'ua paraqiste propozimin e Vatikanit anëtarëve të Këshillit të përgjithshëm të Vëllazërisë dhe pohoi se "është caktuar koha e nevojshme për ta vlerësuar atë". Dje, më 18 shkurt, mbërriti përgjigja drejtuar Kardinalit Fernández, nënshkruar nga pesë anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm.

Propozimi për Dialog

Në letrën drejtuar Kardinalit Fernández, eprori i të ashtuquajturve Lefebvrianë (nga emri i Ipeshkvit Marcel Lefebvre, i cili themeloi shoqatën në vitet 1970, në kundërshtim me reformat e Koncilit II të Vatikanit), nga njëra anë shprehu kënaqësinë për "hapjen e re të dialogut", si "përgjigje pozitive" ndaj sugjerimit për një "diskutim" doktrinor që ai vetë e kishte paraqitur tashmë në janar 2019, në "një çast të qetë e paqësor, pa presionin a kërcënimin e shkishërimit të mundshëm".

Nga ana tjetër, dom Pagliarani e hodhi poshtë propozimin e Selisë së Shenjtë, sepse një proces i përbashkët dialogu nuk mund të "arrijë në përcaktim të përbashkët të asaj që do të përbënte 'minimumin e nevojshëm për bashkim të plotë me Kishën Katolike'", pasi "tekstet e Koncilit nuk mund të korrigjohen, e as legjitimiteti i reformës liturgjike, nuk mund të vihet në dyshim".

"Koncili II i Vatikanit" thekson dom Pagliarani, "nuk është përmbledhje tekstesh të interpretueshme lirisht: ai u pranua, u zhvillua dhe u zbatua gjatë gjashtëdhjetë viteve nga Papët e njëpasnjëshëm, sipas udhëzimeve të sakta doktrinore e baritore. Ky interpretim zyrtar shprehet, për shembull, në tekste të rëndësishme si Redemptor hominisUt unum sintEvangelii gaudium dhe Amoris laetitia. Duket edhe në reformën liturgjike, kuptuar në dritën e parimeve të riafirmuara në Traditionis custodes (Mbrojtësit e traditës). Të gjitha këto dokumente tregojnë se korniza doktrinore dhe baritore brenda së cilës Selia e Shenjtë synon të vendosë çdo diskutim, tashmë është e përcaktuar".

Shugurimet e konfirmuara

"Për këto arsye - shton dom Pagliarani - në vetëdijen e përbashkët se nuk mund të arrijmë në marrëveshje mbi doktrinën, më duket se e vetmja pikë mbi të cilën mund të takohemi, është ajo e bamirësisë ndaj shpirtrave e ndaj Kishës".

Kreu i Vëllazërisë Meshtarake Shën Piu X (FSSPX), i cili nuk e njeh legjitimitetin e ritit liturgjik të Kishës katolike romake, që rrjedh nga reforma liturgjike - deklaron se nuk mund ta pranojë "perspektivën dhe objektivat për të cilat Dikasteri i Vatikanit për Doktrinën e Fesë propozon rifillimin e dialogut në këtë pikë; e as, njëkohësisht, shtyrjen e datës së 1 korrikut". Prandaj, shugurimet e ipeshkvijve të rinj konfirmohen si "nevojë konkrete dhe afatshkurtër për mbijetesën e Traditës".

Komunikata e Kardinalit Fernández

Ashtu siç e kujtoi në deklaratën e tij të 12 shkurtit, Kardinali Fernández deklaroi: "Është ripohuar nga Selia Apostolike se shugurimi i ipeshkvijve pa mandatin e Atit të Shenjtë, i cili ka fuqi supreme të zakonshme, të plotë, universale, të menjëhershme dhe të drejtpërdrejtë (krahaso Kodin e së Drejtës Kanonike, kan. 331; Kushtetuta Dogmatike Pastor Aeternus, kapitujt I dhe III) do të nënkuptonte një ndërprerje vendimtare të bashkësisë kishtare (skizmë), me pasoja të rënda për Vëllazërinë Meshtarake Shën Piu X  në tërësi (Gjon Pali II, Letra Apostolike Ecclesia Dei, 2 korrik 1988, nr. 3 dhe 5c; Këshilli Papnor për Tekstet legjislative).

20 shkurt 2026, 11:51