Papa në Bazilikën e Shën Pjetrit për Meshën në Ditën Botërore të Paqes (nga arkivi) Papa në Bazilikën e Shën Pjetrit për Meshën në Ditën Botërore të Paqes (nga arkivi)

Kalendari i kremtimeve të Leonit XIV nga prilli deri në korrik

Udhëtimi në Afrikë dhe më pas në Spanjë, vizitat në Pompei, Napoli, Lampedusa dhe Pavia në Itali, kremtimet në Vatikan. Këto janë takimet e Papës, të bëra të ditura nga Zyra e Kremtimeve Liturgjike.

R.SH. / Vatikan

Shën Augustini është filli lidhës i takimeve që do ta shohin Leonin XIV të angazhuar mes prillit dhe korrikut. I pari në muajin prill është udhëtimi i gjatë apostolik në Afrikë, i treti i papnisë së tij. I planifikuar nga 13 deri më 23 prill, ky shtegtim i Papës Leoni XIV parashikon ndalesa në Algjeri, vendi ku shenjti i Hiponës, Augustini lindi dhe ishte ipeshkëv. Pasuar nga Kameruni, Angola dhe Guinea Ekuatoriale.

Po në prill, më datë 26, të dielën e katërt të Pashkëve, Papa do të udhëheqë në orën 09:00 në Bazilikën e Vatikanit Meshën me shugurimet presbiteriale (meshtarake). Një muaj intensiv, siç lexohet në kalendarin e kremtimeve liturgjike të udhëhequra nga Leoni XIV dhe të bëra të ditura sot, 30 mars, nga Zyra e Kremtimeve Liturgjike Papnore.

Tre janë takimet e parashikuara në maj. Të shtunën, 2 maj, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, Papa Leoni XIV në orën 17:00 do të kremtojë Meshën me Shugurimet episkopale (ipeshkvore). Gjashtë ditë më vonë – të premten, 8 maj – do të shkojë në Kampania, duke vizituar qytetin e Pompeit dhe Napolit. Në Shenjtëroren e së Lume Mari Virgjër të Rruzares së Shenjtë, në Pompei, e themeluar në fund të viteve 1800 nga shën Bartolo Longo, është parashikuar kremtimi i Meshës në orën 10:30. Kremtim në Vatikan për të dielën e 24 majit, solemniteti i Rrëshajave, në orën 10:00.

Nën shenjën e Augustinit

Në muajin qershor, sërish një homazh për shën Augustinin nga Papa, i cili pasi të ketë përfunduar udhëtimin e tij të katërt apostolik në Spanjë nga 6 deri më 12 qershor, do të jetë në Pavia, Itali, të shtunën, më 20 qershor. Në qytetin e njëqind kullave ruhen reliktet e shenjtit, të sjella në vitin 723 me nismën e mbretit lombard Liutprandi. Mbetjet e tij ndodhen në Arkën e Shën Augustinit brenda Bazilikës së San Pietro in Ciel d'oro. Më 29 qershor, solemniteti i shenjtorëve Pjetër dhe Pal, Leoni do të kremtojë Meshën me bekimin dhe vendosjen e simbolit të Palium për Arqipeshkvijtë e rinj Metropolitë.

Vizita në Lampedusa

Në korrik, një tjetër vizitë baritore është në program të shtunën, më 4 korrik. Papa do të shkojë në Lampedusa, Itali, tokë e mbërritjes së udhëtimeve të shpresës së emigrantëve që nisen nga Afrika për të mbërritur në Evropë. Deti i saj mirëpret edhe trupat e shumë njerëzve që kanë humbur jetën në udhëtimin e rrezikshëm, të ndërmarrë shpesh me mjete lundrimi të improvizuara. Mesha do të kremtohet në orën 10:00, saktësisht 13 vjet pas mbërritjes së Papa Françeskut në ishullin pelagjik, vizita e parë jashtë Vatikanit për Papën argjentinas, i cili aasokohe denoncoi “globalizimin e indiferencës”. Fjalë të thëna për të “zgjuar ndërgjegjet” përpara dramës së njerëzve që ëndërronin një të ardhme më të mirë.

30 mars 2026, 11:20