2026.03.30 Nomina Nunzio Apostolico Monsignor Edgar Peña Parra

Kryeipeshkvi Peña Parra: i lumtur që shërbej në Itali. Në Sekretarinë e Shtetit, aventurë, që më pasuroi

Kryeipeshkvi venezuelian, deri tani Zëvendës i Sekretarisë së Shtetit, u emërua sot nga Papa nunc i ri në Itali dhe San Marino. Ai u dha lamtumirën eprorëve, zyrtarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij me të cilët, që nga viti 2018, jetoi një periudhë "interesante, plot mësime dhe sfida". Vite pune "intensive", ndërmjet Covid dhe vdekjes së Benediktit XVI dhe të Françeskut, edhe me çaste "vështirësish institucionale"

R.SH. – Vatikan

         Përdor imazhin e trenit kryeipeshkvi Edgar Peña Parra, deri tani Zëvendës i Sekretarisë së Shtetit - sot, i emëruar nunc apostolik në Itali dhe në Republikën e San Marinos - për të përshkruar jetën, punën e tij dhe ndryshimet e shumta, që e kanë shoqëruar gjatë viteve. Sot, kryeipeshkvi venezuelian mblodhi bashkëpunëtorët në seksionin e parë të Punëve të Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit për t’i përshëndetur para se të shkojë në selinë e rrugës Po, në Romë, për të marrë detyrën, që i është besuar nga Papa.

Besnikëria dhe përkushtimi ndaj Papës

Kryeipeshkvi Peña Parra e siguron Leonin XIV për "besnikëri, përkushtim dhe lutje", duke i shprehur mirënjohjen e tij për këtë emërim, të cilin, pohoi ai, e sheh si "thirrje të ripërtërirë për shërbim, në bashkim me të e me bindje". I lindur në Maracaibo, në veriperëndim të Venezuelës, kryeipeshkvi ka shkuar kudo në botë, gjatë shërbimit të tij diplomatik në Selinë e Shenjtë, i cili filloi në vitin 1993, si përfaqësues i Papës në nunciaturat e Pakistanit dhe Mozambikut. "Ndonjëherë ndihesha sikur isha në një tren të shpejtë, sepse ashtu lëviz jeta e Kishës. Zoti na bën të hipim në një vagon, na beson një pjesë të udhëtimit dhe na kërkon të kujdesemi për pasagjerët që takojmë". Pastaj arrijmë në një stacion: jo në fund të udhëtimit, por në "një ndalesë" ku "zbresim, ia lëmë pjesën tjetër të udhëtimit të tjerëve dhe ndryshojmë drejtim". E treni vazhdon udhëtimin e tij.

  (@Vatican Media)

Sekretaria e Shtetit: sfidat dhe mësimet

Sekretaria e Shtetit ishte sigurisht "ndalesa më e gjatë", si edhe "një ndalesë intensive dhe interesante, plot mësime dhe sfida". "Një aventurë shumë e bukur, që pasuron", theksoi Peña Parra, pa fshehur faktin se këto vite pune, nganjëherë, kanë qenë "jashtëzakonisht të vështira". Së pari, "sprova globale" e pandemisë Covid-19; pastaj, "dhimbja për vdekjen e Papës së nderit Benedikti XVI"; "ankthi" i sëmundjes së Papës Françesku, që çoi në vdekjen dhe në funeralin e tij, "i cili preku gjithë botën"; "fazat delikate" të Konklavit, që kulmuan "me gëzimin e zgjedhjes së Papës Leoni XIV".

Gjatë këtyre viteve, Zëvendësi për Punët e Përgjithshme përjetoi edhe ato, që i quajti "çaste vuajtjesh institucionale". Sidomos, procedurat e gjata ligjore të lidhura me çështjen e Pallatit të Londrës, të cilat "e ekspozuan Selinë e Shenjtë dhe, në veçanti, Sekretarinë e Shtetit ndaj vëmendjes së paparë mediatike dhe gjyqësore, duke kërkuar rigorozitet, transparencë dhe ndjenjë përgjegjësie".

Universaliteti i Kishës

Në përgjithësi, në të gjitha këto rrethana, "Seksioni i Punëve të Përgjithshme ka qenë i thirrur për të ruajtur, për të koordinuar dhe për të pasur një shërbim të heshtur, shpesh të padukshëm, por thelbësor për jetën e Kishës universale", deklaroi prelati. Duke i shprehur "mirënjohje vëllazërore" Sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin dhe eprorëve të dy Seksioneve të tjera: kryeipeshkvit Paul Richard Gallagher, kryeipeshkvit Jan Paëloëski dhe kryeipeshkvit Luciano Russo, ai iu drejtua një "mendim të veçantë" përfaqësuesve papnorë. Përmes tyre, pati mundësinë ta përjetonte nga afër "universalitetin konkret të Kishës, praninë e saj të gjallë në kombe dhe kultura të ndryshme": "Këtu, brenda këtyre mureve, ndoshta, e kam ndierë katolicizmin si kurrë më parë: gjuhë, ndjeshmëri dhe histori nga çdo pjesë e botës, që takohen dhe harmonizohen në një bashkësi të vetme".

  (@Vatican Media)

Urimet më të mira Zëvendësit të ri, Rudelli

Së fundi, "një mendim vëllazëror" për imzot Paolo Rudelli, i cili do ta pasojë në këtë rol "shumë delikat" dhe, shpresa "që ai ta përjetojë këtë përgjegjësi si kohë hiri". Lamtumira - e pritur me duartrokitje - u huazua nga fjalët e Zëvendësit Giovanni Battista Montini, Papës së ardhshëm të atëhershëm Pali VI: "Ju gjithmonë do të keni këtu, në ata që do të më pasojnë, çka desha t'ju ofroj: vlerësimin më të lartë, mirënjohjen më të thellë, vendosmërinë më të madhe dhe përkushtimin për të punuar me ju për të mirën e botës".

30 mars 2026, 14:35