Kardinali Coccopalmerio: Sinodaliteti nuk është kuptuar ende. Meshtarët dhe laikët duhet të përgatiten si duhet
R. Sh. Vatikan
"Një riinterpretim për barinjtë e shpirtrave, me në qendër katekizmin për besimtarët dhe veçanërisht për anëtarët e strukturave sinodale". Kështu e përmbledh me dy fjalë kardinali Francesco Coccopalmerio librin e tij "Chiesa Sinodale in Cammino", dokumenti përfundimtar i Sinodit të ipeshkvijve 2023-2024. Bëhet fjalë këtu për hulumtim në thellësi të vendimeve të sinodit, botuar nga «Libreria Editrice Vaticana». Ky vëllim i hollë – me një parathënie të kardinalit Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit – interpreton 155 pikat e tekstit, të botuar në përfundim të sesionit të dytë të Sinodit, duke theksuar se temat e diskutuara zbatohen në jetën konkrete të Kishës.
Pyetje: Shkëlqesi, pse donit ta shkruanit këtë libër?
Përgjigje: Libri lindi nga nevoja për të përkthyer në mënyrë baritore dokumentin përfundimtar të Sinodit të Ipeshkvijve, sintezë e punës së dy sinodeve të vitit 2023 dhe 2024. Është një dokument shumë i pasur, por edhe shumë i vështirë për t'u përdorur drejtpërdrejt për konferenca ose katekizëm. Kështu që doja ta rilexoja dhe ta thjeshtoja, veçanërisht për barinjtë e shpirtrave, për famullitarët. Kur një famullitar dëshiron t’i informojë besimtarët e tij, ose anëtarët e Këshillit Baritor të Famullisë, se çfarë do të thotë «sinodalitet» sipas mësimit të Kishës, atëherë mund të përdorë këtë tekst. Vëllimi është ndërtuar rreth disa temave. Për secilën temë, pasazhet më domethënëse të dokumentit rilexohen dhe bëhen reflektime të mëtejshme mbi atë që është lexuar. Shpjegohet, reflektohet dhe zbatohet në jetën reale.
Pyetje: Cilat janë, sipas mendimit tuaj, pikat e forta të dokumentit përfundimtar, të cilin Papë Françesku e ka pranuar gjithashtu si magjister të zakonshëm?
Përgjigje: Papë Françesku i ka dhënë dokumentit rëndësi shumë të fortë doktrinare. Ka disa pika por mund të nxjerr në pah dy. E para është koncepti i sinodalitetit kishtar. Ekzistojnë dy koncepte të sinodalitetit kishtar: njëri i përgjithshëm, tjetri më specifik. Koncepti i përgjithshëm është se çdo veprimtari në Kishë duhet ndërmarrë së bashku, sipas një "përshpirtërie sinodale", domethënë, «unë nuk veproj vetëm, por me të tjerët». Ky koncept, megjithatë, ka të metë se çdo veprimtari në Kishë quhet sinodalitet, duke ngatërruar kështu sinodalitetin me kishtarinë. Koncepti i posaçëm i sinodalitetit kishtar, përkundrazi, ka të bëjë me veprimtarinë e përbashkët të dy kategorive: barinj dhe besimtarë. Këtu përfshihet mbledhja, dialogu, njohja dhe vendimmarrja për të mirën e Kishës. Këto katër veprimtari që kryhen nga barinjtë dhe besimtarët, më pas përfshihen në strukturat e sinodalitetit, si në rastin e një famullie ose në këshillin baritor të famullisë.
Pika e dytë themelore, sipas mendimit tim, është kjo: kur barinjtë dhe besimtarët mblidhen, kuvendojnë, njohin dhe marrin vendime për të mirën e Kishës. Në këtë pikë ndodh ajo që dokumenti e quan «prania e Shpirtit të Shenjtë», duke bërë të dëgjohet zëri i Tij dhe të shfaqen mendimet e Tij.
Pyetje: Ju, Shkëlqesi, përmendni gjithashtu disa deklarata të përgjithshme ose ndoshta edhe disa përsëritje brenda dokumentit. Për çfarë e keni fjalën?
Përgjigje: Gjëra shumë të parëndësishme sepse teksti u hartua shpejt. Me shumë punë, por duke u përpjekur të mos humbasë asnjë nga kontributet. Ndoshta do të duhej të kishte pasur më shumë kohë për një shoshitje më të thellë.
Pyetje: Le të flasim për Sinodin e Sinodalitetit, një proces që Françesku donte ta fillonte "nga poshtë", domethënë nga besimtarët, nga populli i Zotit, nga dioqezat. Sipas mendimit tuaj, sa kohë do të duhet që udhëzimet që dolën në dokumentin përfundimtar të hartuar në Vatikan të gjejnë zbatim konkret në dioqeza dhe në mesin e besimtarëve?
Përgjigje: Jemi në fazën e zbatimit të përfundimeve të Sinodit, dhe së pari duhet të kuptojmë se çfarë është sinodaliteti. Sa i nevojshëm do të jetë? Nuk e di, mendoj se kërkesa e parë është që barinjtë e shpirtrave, por edhe besimtarët, duhet ta kuptojnë rëndësinë e sinodalitetit. Shpesh perceptohet si diçka e huaj, por kjo nuk është e vërtetë... Në vend të kësaj, duhet të jetë emocionuese të thuash: "Unë mbarështoj bashkësinë time, famullinë, me kontributin e të gjithë besimtarëve". Zakonisht, bëj një krahasim midis mbledhjes së një këshilli baritor famullitar dhe kremtimit të Eukaristisë. Le të marrim një famullitar që thotë: "Unë kremtoj Meshën, i thërras të gjithë besimtarët në kishë të dielave, dhe kur janë të gjithë të pranishëm, i përshëndes, them disa lutje, por pastaj shkoj të kremtoj Meshën në kriptë ose në kishë. Kur mbaroj, kthehem dhe do të them lamtumirë."
Tani, nëse një famullitar do ta thoshte këtë, ne do të pyesnim: "Je çmendur?!" Pse? Sepse tani e kemi kuptuar plotësisht se kremtimi i Meshës nuk është vetëm yni, edhe nëse është i vlefshëm, por i përket të gjithëve neve, me ju që drejtoni. Nëse nuk është kështu, nuk është një Eukaristi normale, mungon diçka themelore në këtë mes.
Po ashtu, ne duhet të jemi gjithnjë e më të bindur se mbarështimi i Kishës kur bëhet vetëm nga famullitari ose ipeshkvi është si një kremtim i Meshës i kryer vetëm nga meshtari. Të gjithë duhet të marrin pjesë në këtë kremtim, ashtu siç duhet të marrin pjesë të gjithë në Meshë. Nëse është e lehtë të futet ky koncept i sinodalitetit, me siguri do ta përshpejtojmë futjen e sinodalitetit në jetën e Kishës.
Pyetje: Ndonjëherë krijohet përshtypja se sinodaliteti në famulli dhe në kisha vendase vështrohet thuajse si një barrë. Si mund ta shmangim këtë?
Nëse nuk e kuptojmë duke punuar së bashku, sinodaliteti do të ndihet gjithmonë si një barrë, si diçka e pakuptueshme. Duke u kthyer te krahasimi me Eukaristinë, do të ishte sikur famullitari të thoshte: "Më rëndon shumë fakti që jemi të gjithë në kishë dhe festojmë së bashku". Kuptoj, por je pak prapa kohës.
Pyetje: Ju keni marrë pjesë në disa Sinode. Çfarë frytesh shpresoni se do t'i sjellë Kishës ky sinod mbi sinodalitetin, e cila tashmë po ecën drejt Asamblesë Kishtare të vitit 2028?
Unë besoj se gjëja e parë është bindja dhe pasioni për sinodalitetin, dhe më pas edhe forcimi i formimit të laikëve. Laikët duhet të kuptojnë gjithnjë e më shumë se kontributi i tyre është vendimtar dhe se për të dhënë këtë kontribut, formimi në katekizëm, në shpjegimin e realitetit dhe inicimi është i nevojshëm. Kur një fëmijë përgatitet, për shembull, për kungimin ose krezmimin, atij i shpjegohen të gjitha të vërtetat themelore të jetës kishtare. Këto duhet të përfshijnë edhe veprimtaritë e përbashkëta të famullisë. Fëmijët duhet të edukohen për të marrë pjesë në bashkësi, në mënyrë që të kenë dëshirën për ta njohur atë dhe për të bërë diçka për të. Një fëmijë që e pyet veten "Çfarë mund të bëj për famullinë time?" do të ngrinte një çështje shumë interesante, temë shumë e përshtatshme për zhvillimin e katekizmit.
Arsimimi duhet të përditësohet ndjeshëm, edhe për barinjtë e grigjës. Duhet ta rizgjojmë këtë vetëdije tek besimtarët, në mënyrë që ata të ndihen pjesë e një bashkësie dhe të kenë dëshirë për të kuptuar problemet e saj. Duhet që të pyesin: "Çfarë mund të bëj për këtë bashkësi? Si mund të ndihmoj?" Shkurt, ne duhet të kemi një formim, një perspektivë që tanipërtani nuk e kemi.