Mjeshtri i Madh i Urdhrit të Maltës Fra John T. Dunlap viziton Tiranën
R. Sh. Vatikan
Në fillim, Fra John Dunlap u takua me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, takim gjatë të cilit u përmendën vizitat pararendëse të viteve 2022 dhe 2024. Mjeshtri i Madh i Urdhrit të Maltës vlerësoi lart rolin e Shqipërisë në promovimin e qëndrueshmërisë politike në Ballkanin Perëndimor dhe bashkë-ekzistencën paqësore ndërmjet besimeve fetare në vend.
Po ashtu, Fra John Dunlap pohoi rëndësinë e protokollit të mirëkuptimit ndërmjet Urdhrit të Maltës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, sipas të cilit, Urdhri i Maltës do të japë trajnimin e nevojshëm në fushën e shëndetësisë për vullnetarët e Mbrojtjes Civile të Shqipërisë, gjë që kontribuon në përballimin me sukses të fatkeqësive natyrore në vend.
Më pas, Fra Dunlap u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes z. Niko Peleshi ku u fol rreth temave të bashkëpunimit dhe ndihmës humanitare si mjet diplomatik në shtegun drejt paqes. Pikërisht, ditët në fundit, në Liban, mbeti i vrarë nga bombardimet një vullnetar i Urdhrit të Maltës ndërsa po shpërndante ndihma për të shpërngulurit.
Po ashtu, Fra Dunlap u takua edhe me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili përmendi me mirënjohje bashkëpunimin me Urdhrin Sovran të Maltës dhe uroi që ky bashkëpunim të forcohet më tej në dobi të paqes në Ballkan, veçanërisht në këto kohë luftrash.
Lidhjet historike të shqiptarëve me Urdhrin Sovran të Maltës
Shqiptarët kanë lidhje të thella me Urdhrin Sovran të Maltës. Ky është një urdhër murgjish-kalorës, katolikë që vijnë nga familjet më të përmendura katolike të Evropës.
Këtij urdëri i përkiste Kostantin Kastrioti si edhe Zef Felice Kastrioti, të dy kalorës. I pari, ishte i biri i Alfonso Kastriotit dhe Giulia Caetani. Kostantini, i cili para se të bëhej murg kishte qenë kalorës– por edhe poet e historian i përmendur – u shqua në mënyrë të posaçme gjatë rrethimit të Maltës në vitin 1565, ishull ky ku kishin zënë vend kalorësit e Urdhërit pas rënies së Rodit. Don Kostantin Kastrioti u dha zemër të rrethuarve në ato luftime që të mos lëshonin «rivellino»-n , kullën e lartë vrojtuese që gati kishte rënë në dorë të turqve.
I treti kalorës i këtij urdhri, është murgu Gaspër Bruni, ulqinak. Ku pati marrë pjesë në betejën e Lepantos në flotën papnore e cila komandohej nga princi romak Marco Antonio Colonna. Ai kishte treguar aftësi jo vetëm si kalorës por edhe si detar e komandant saqë Marco Antonio Colonna i besoi drejtimin e anijes kapitene të flotiljes. Kur u kthyen fitimtarë pas betejës së Lepantos (1571), anija kryesore e flotës mori flakë nga një rrufe ndërsa ishte në portin e Kotorrit. Falë aftësive të Fra Gasprit nga Ulqini, shpëtoi i gjithë ekuipazhi, municionet si edhe të gjitha trofetë që u ishin marrë osmanëve në Lepanto.