2021.07.26 simbolo ONU, NEW YORK

Selia e Shenjtë: besimi dhe solidariteti, urgjente në kuadrin aktual ndërkombëtar

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork, kryeipeshkvi Gabriele Caccia, theksoi rëndësinë e luftës kundër diskriminimit, në Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër Islamofobisë. Diskriminimi, nënvizoi, cënon lidhjet "shpirtërore, morale dhe sociale" ndërmjet grupeve të ndryshme fetare. Nevojitet një “alfabetizim dixhital" i ri për të parandaluar përhapjen e urrejtjes fetare në internet

R.SH. – Vatikan

“Diskriminimi dhe dhuna kundër myslimanëve dëmtojnë jo vetëm individët, por edhe indin shpirtëror, moral dhe social të shoqërive në tërësi, duke dobësuar ato lidhje besimi e solidariteti, për të cilat njerëzimi ka nevojë, veçanërisht në kuadrin aktual ndërkombëtar”. Ky është fragmenti qendror i deklaratës së kryeipeshkvit Gabriele Caccia, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, i cili foli dje, më 16 mars, në selinë e OKB-së në Nju Jork, gjatë një takimi të nivelit të lartë për Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër Islamofobisë, organizuar nga Aleanca e Qytetërimeve të Kombeve të Bashkuara dhe nga Misioni i përhershëm i Organizatës për Bashkëpunimin Islamik në Kombet e Bashkuara.

Mbrojtja e lirisë fetare është përparësi

Imzot Caccia - i emëruar më 7 mars nga Papa Leoni XIV si nunc i ri apostolik në Shtetet e Bashkuara - e quajti islamofobinë shenjë të nevojës urgjente për mbrojtjen e lirisë fetare. "Intoleranca, diskriminimi dhe armiqësia" kundër myslimanëve, hebrenjve, të krishterëve dhe ndjekësve të tjerë të feve tradicionale janë pasojë e drejtpërdrejtë e "mosnjohjes" dhe e "mosmbrojtjes" së "lirisë së fesë dhe të besimit". Kjo, sqaroi diplomati i Vatikanit, duke cituar fjalimin e Leonit XIV, mbajtur tetorin e kaluar për fondacionin “Ndihmë për Kishën që vuan”, cënon lidhjet shoqërore, duke mbjellë mosbesim ndërmjet grupeve fetare. "Kur liria e fesë mohohet, njeriu privohet nga aftësia për t'iu përgjigjur lirisht thirrjes së të vërtetës", theksoi prelati. "Ajo që pason si rrjedhojë është shpërbërja e ngadaltë e lidhjeve etike dhe shpirtërore, që i mbështesin bashkësitë; besimi ia lë vendin frikës, dyshimi e zëvendëson dialogun dhe shtypja shkakton dhunë".

Përhapja e shpejtë e diskriminimit në internet

Vëzhguesi i përhershëm në OKB theksoi edhe rolin e internetit në përhapjen e "diskriminimit kundër grupeve fetare". Ai mund të jetë ambient i favorshëm për përhapjen e shpejtë të armiqësive, duke ndikuar negativisht në opinionin publik. Këtij rreziku i duhet bërë ballë me nisma edukative dhe me “alfabetizimin dixhital”, i cili i ndihmon përdoruesit e platformave online të zhvillojnë "mendimin kritik" dhe lirinë shpirtërore.

Shndërrimi i dallimeve në pasuri

Së fundi, imzot Caccia vuri në pah urgjencën e punës për një "dialog të vërtetë ndërfetar", mjet që mund t'i shndërrojë dallimet në "burim për pasurimin" e njëri-tjetrit dhe të sigurojë që "asnjë fe të mos shfrytëzohet, ose të instrumentalizohet". Kryeipeshkvi citoi fjalimin e Papës Leoni XIV, mbajtur më 25 tetorin e kaluar, në 60-vjetorin e deklaratës konciliare “Nostra Aetate”: "Dialogu nuk është taktikë apo mjet, por një mënyrë jetese, rruga e zemrës, që i transformon të gjithë protagonistët e saj, ata që dëgjojnë dhe ata që flasin".

17 mars 2026, 12:24