VATICAN-RELIGION-POPE-SYNOD

Sinodi publikoi Raportet për varfërinë dhe mjedisin, si edhe për poligaminë

Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit publikon Raportet Përfundimtare të Grupit të Studimit Nr. 2, 'Të dëgjojmë britmën e të varfërve dhe të tokës', si edhe atë të Komisionit të Simposiumit të Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës dhe Madagaskarit (SECAM) për 'sfidën baritore të poligamisë'

R.SH. - Vatikan

Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit publikoi sot Raportin Përfundimtar të Grupit të Studimit Nr. 2 mbi temën "Të dëgjojmë britmën e të varfërve dhe të tokës", si edhe atë të Komisionit të Simposiumit të Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës dhe Madagaskarit (SECAM) mbi "Sfidat baritore të poligamisë".

Të dyja Raportet, me larminë e tyre tematike, dëshmojnë udhëtimin sinodal të Kishës: një Kishë që dëgjon, shqyrton, shoqëron dhe, e rrënjosur në Ungjill, nuk pushon kurrë të flasë me çdo burrë dhe grua, duke iu përgjigjur sfidave të kohës. Raportet përfundimtare dhe një përmbledhje e shkurtër në pesë gjuhë janë në dispozicion në faqen e internetit të Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit: www.synod.va. Papa Leoni XIV deshi që botimi i tyre t’i bëjë të njohura frytet e Sinodit për Popullin e Zotit, me frymë transparence. Këto janë dokumente pune dhe Grupet e Studimit, që i përgatitën ato, e përfundojnë mandatin.

Raporti përfundimtar i Grupit të Studimit Nr. 2

Raporti i Grupit të Studimit Nr. 2 bazohet në përgjigjen e pesë pyetjeve kryesore rreth mënyrës se si Kisha mund t'i dëgjojë më mirë britmat e të varfërve dhe të tokës. I rrënjosur në fe, ky dëgjim është pjesë e misionit të Kishës, sipas shembullit të Samaritanit të Mirë. Në parathënie, prefekti i Dikasterit për Zhvillimin e gjithanshëm Njerëzor, kardinali Michael Czerny, thekson se "dëgjimi" përfshin takimin, mirëkuptimin, veprimin dhe mbështetjen shpirtërore për çdo të krishterë, sidomos për të varfrit.

Raporti ngre pyetje për veprimtarinë e Kishës në dëgjimin e të varfërve e të tokës, duke pranuar lidhjen ndërmjet tyre. Ai përshkruan mjetet ekzistuese brenda Kishës, si famullitë dhe organet e Karitasit, duke bërë thirrje që çdo person i pagëzuar të marrë përsipër përgjegjësi bashkë me të tjerët. Ndër propozimet, ngritja e një Observatori Kishtar mbi Aftësinë e Kufizuar. Raporti thekson edhe nevojën për teologë, që vijnë nga bashkësitë më të varfra dhe për programe formimi, që integrojnë takimin e drejtpërdrejtë me periferitë.

Historia e Komisionit të SECAM-it për Poligaminë

Komisioni SECAM u krijua pas Asamblesë së 16-të të përgjithshme e të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, në tetor 2023, gjatë së cilës u kërkua një gjykim teologjik dhe baritor mbi poligaminë. SECAM formoi një ekip ekspertësh nga fusha të ndryshme për të dhënë një përgjigje në këtë drejtim. Projekt-dokumenti iu nënshtrua shqyrtimit të Dikasterit për Doktrinën e Fesë dhe u përmirësua më tej. Dokumenti përfundimtar u paraqit në Asamblenë e përgjithshme të SECAM në Kigali të Ruandës, në gusht 2025.

Përmbledhje e Raportit të SECAM

Raporti i SECAM mbi poligaminë pasqyron kontekstin kulturor, antropologjik dhe teologjik të Afrikës. Ai njeh vlerën e shenjtë të familjes afrikane dhe e vendos poligaminë brenda këtij konteksti, duke theksuar se ndërsa ajo tolerohet në Besëlidhjen e Vjetër, Besëlidhja e Re bën thirrje për monogami. Raporti pohon se martesa e krishterë është teologjikisht monogame.

Në nivelin baritor, SECAM përjashton njohjen e poligamisë dhe këshillon që katekumenët poligamë të mos pagëzohen para se të angazhohen në martesë monogame. Nënvizohet rëndësia e "kujdesit baritor të afërsisë", sidomos ndaj grave të familjeve poligame, duke i ftuar në Kishë ata që ndiejnë vështirësi shpirtërore dhe ekzistenciale.

Përfundimet e Raportit mbi poligaminë

Raporti arrin në përfundimin se, ndërsa poligamia mbetet e pranishme në shoqëritë afrikane, përhapja e saj është e ndryshme nga zona në zonë. Thirrja e Ungjillit për martesë monogame shpesh has rezistencë, për shkak të arsyeve kulturore. Kisha duhet të vlerësojë modele të ndryshme të përfshirjes për marrëdhëniet poligame dhe të kërkojë mënyra të reja për t'u ofruar njerëzve një takim me Krishtin dhe Ungjillin.

Ipeshkvijtë afrikanë theksojnë nevojën në rritje për një baritore, që i ndihmon individët dhe familjet ta kuptojnë martesën si thirrje hyjnore e jo vetëm si marrëveshje shoqërore, thirrje që synon shenjtërimin dhe shëlbimin e bashkëshortëve.

24 mars 2026, 13:50