Balestrero: Kozmosi dhe njerëzimi, kufi i ri i së mirës së përbashkët
R.SH. – Vatikan
Sot, 1 prill, nga Qendra Kozmike Kennedy në Florida, niset misioni Artemis II i programit hënor Artemis të NASA-s dhe i pari me astronautë në bord. Ai përfshin një ekuipazh prej katër kozmonautësh, që fluturojnë përtej orbitës së Tokës për të kryer një rrotullim të gjerë rreth Hënës, pa u ulur në të. Ky është hapi i ndërmjetëm drejt Artemis III, misionit të tretë, që synon t'i rikthejë astronautët në Hënë, 53 vjet pas misionit Apollo 17, i cili përfundoi më 14 dhjetor 1972. Hapësira kozmike është bërë një temë diskutimi gjithnjë e më e shpeshtë në gjirin e Kombeve të Bashkuara. Vitet e fundit, numri i satelitëve në orbitë është rritur në mënyrë eksponenciale, duke e kthyer Kozmosin në fushë problemesh, që lidhen me gjeopolitikën, sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Për të kuptuar më mirë rëndësinë e misioneve kozmike, Fondacioni “Caritas in Veritate”, i kryesuar nga Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, kryeipeshkvi Ettore Balestrero, ka publikuar një video me temë: "Kozmosi dhe njerëzimi në udhëkryq: një kufi i ri i së mirës së përbashkët". Videoja reflekton mbi arsyet e eksplorimit të universit - duke vënë në dialog shkencën, teologjinë dhe ligjin ndërkombëtar – si edhe mbi parimet, që duhet të udhëheqin marrëdhëniet tona me të dhe me qeniet e tjera njerëzore përballë kësaj vepre të Zotit. Në një intervistë me mediat e Vatikanit, vetë imzot Balestrero shpjegon pse është kaq urgjente për Kishën të reflektojë mbi vendimet politike e normative, që kanë të bëjnë me Kozmosin…
Misioni i Selisë së Shenjtë në Gjenevë dhe Fondacioni “Caritas in Veritate”, i cili punon në bashkëpunim me të, merren me Kozmosin, që është vepër e Zotit dhe i bindet ligjeve të Tij. Hapësira kozmike nuk është as tokë e askujt dhe as fushë pushtimi pa rregulla: vendimet që marrim sot do të kenë një ndikim afatgjatë mbi njerëzimin. Prandaj, Kisha nuk mund të mos jetë e shqetësuar për këtë. Po ta shohim Kozmosin nga një perspektivë etike, duhet ta pyesim veten: "A është e drejtë ta realizojmë vërtet gjithçka, që mund të arrijmë teknologjikisht? Si duhet ta bëjmë këtë? Ç’lloj realiteti dhe rendi duam të ndërtojmë?" Perspektiva e propozuar është etike dhe shumëpalëshe. Hapësira kozmike duhet të mbetet një e mirë e përbashkët, me norma të qarta ligjore që, kur është e nevojshme, të përditësohen me ndjenjë përgjegjësie ndaj gjithë njerëzimit dhe ndaj brezave të ardhshëm. Ky vizion është përforcuar edhe nga dëshmia e një astronauti rreth perceptimit të Tokës nga hapësira. Këtë ndryshim të perspektivës e përjetojnë të gjithë astronautët në hapësirë, sepse Toka duket e vogël, e brishtë, pa kufij apo ndarje, simbol i përkatësisë së përbashkët dhe i përgjegjësisë kolektive. Ky imazh bie ndesh me ndarjet dhe konfliktet e vërejtura në Tokë.
Pra, edhe Kozmosi është një shtëpi e përbashkët dhe ka rregulla për t'u respektuar. Çfarë kontributi të veçantë mund të japë doktrina shoqërore e Kishës për ta orientuar zhvillimin e hapësirës kozmike drejt së mirës së përbashkët?
Mesazhi qendror i Kishës është se nuk duhet ta shndërrojmë hapësirën kozmike në xhungël. Ajo duhet të eksplorohet me përgjegjësi, solidaritet dhe respekt për të mirën e brezave të tashëm e të ardhshëm. Duhet të mos lejojmë që të bëhet teatër i konkurrencës së egër dhe, akoma më keq, i konfliktit. Është themelore të respektohet dhe të përforcohet Traktati mbi Hapësirën jashtë Atmosferës, i cili e përcakton Kozmosin si një "provincë të përbashkët të njerëzimit", që duhet të përdoret në interes të të gjithëve.
A ekziston rreziku i militarizimit të hapësirës kozmike?
Sigurisht. Edhe pse armët e shkatërrimit në masë janë të ndaluara, llojet e tjera të armëve dhe të veprimtarive armiqësore, disa prej të cilave janë tashmë të pranishme, mbeten të mundshme. Gjithashtu, disa shtete po i afrohen lëshimit të armëve në orbitë dhe e gjithë kjo rrit paqëndrueshmërinë ndërkombëtare, dobëson besimin e ndërsjellë dhe e transformon hapësirën nga një "provincë e njerëzimit" në një teatër tjetër konflikti. E një konflikt në hapësirëdo të kishte pasoja globale, që janë të vështira për t'u kontrolluar. Këtu në Gjenevë, thuhet se një luftë në Kozmos nuk mund të fitohet kurrë dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë. Për këtë arsye, shumë zëra po bëjnë thirrje për t’i forcuar rregullat, transparencën dhe bashkëpunimin që të ruhet përdorimi i tij paqësor.
Si mund të transformohet konkurrenca kozmike në një mekanizëm pozitiv për të mirën e të gjithëve? Si mund t'i shërbejë Kozmosi dinjitetit njerëzor në Tokë?
Konkurrenca duhet të balancohet me bashkëpunimin. Ajo duhet të orientohet drejt qëllimeve paqësore dhe të ketë si rezultat përfitime të përbashkëta e partneritete ndërkombëtare. Ekuilibri ndërmjet konkurrencës dhe bashkëpunimit ndihmon në parandalimin e përdorimit të hapësirës kozmike si të ishte mall, duke keqësuar pabarazitë ekzistuese. Ajo mund të kontribuojë konkretisht në të mirën e përbashkët, për shembull në emergjenca, në kujdesin shëndetësor, në bujqësi dhe në komunikime.
Si mund të ecin shkenca dhe feja krah për krah në këtë fushë të kërkimit kozmik?
Shkenca dhe feja mund të ecin së bashku dhe ta forcojnë reciprokisht njëra-tjetrën. Shkenca shpjegon “si”-në, feja orienton “pse”-në, duke favorizuar përdorimin e përgjegjshëm të progresit. Selia e Shenjtë, për shembull, mund dhe duhet të luajë një rol në debatet e vazhdueshme mbi hapësirën kozmike, sidomos ato ndërqeveritare. Ajo, me misionet e saj në Gjenevë, Nju Jork dhe Vienë, promovon një kornizë etike të përqendruar në dinjitetin njerëzor, në dialogun shumëpalësh dhe në përgjegjësinë e përbashkët, duke pohuar se Kisha inkurajon punën e vërtetë kërkimore-shkencore. Nuk duhet të harrojmë se Selia e Shenjtë ka një nga observatorët astronomikë më të vjetër që ekzistojnë, Specola Vaticana, të themeluar në formën aktuale nga Papa Leoni XIII në vitin 1891, edhe për të konfirmuar se Kisha, siç thuhet në motu proprio që themeloi Observatorin, nuk është kundër shkencës së vërtetë, asaj me baza, madje, e inkurajon dhe e promovon me gjithë angazhimin e mundshëm.