Meshtarët në Meshën e Krismës për të Enjten e Shenjtë të kryesuar nga Papa Leoni XIV (@VaticanMedia) Meshtarët në Meshën e Krismës për të Enjten e Shenjtë të kryesuar nga Papa Leoni XIV (@VaticanMedia)

Dikasteri për Klerin: Eukaristia dhe larja e këmbëve, matricë e identitetit të meshtarëve

Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Klerin,, kardinali You Heung-sik, dhe sekretari, Imzot Redaelli, në një mesazh drejtuar meshtarëve, diakonëve dhe seminaristëve, përmbledhin misionin e “njerëzve të dhuruar” në konceptet e flijimit dhe shërbimit: “Jeta është dhuratë që duhet ofruar për t’u shërbyer të gjithëve”. Më pas, ftesa që të mos humbet guximi përpara “vështirësive të kohës sonë, edhe kur terreni duket i thatë”.

R.SH. – Vatikan

"Flijimi" dhe "shërbimi" janë dy fjalët që kardinali Lazzaro You Heung-sik, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Klerin, sot më 2 prill, u dorëzon meshtarëve, diakonëve dhe seminaristëve në një mesazh me rastin e së Enjtes së Shenjtë të Pashkës, si dy tipare dalluese dhe thelbësore të thirrjes së tyre të shenjtë në meshtari. Nga dashuria që Jezusi u dëshmon dishepujve të tij duke u përkulur për t'u larë këmbët – ngjarje që Kisha e kujton sot, ditën e parë të Treditëshit të Pashkëve – “lind thirrja jonë dhe është me këtë dashuri që ne thirremi vazhdimisht të konformojmë mbarë jetën tonë”, saktëson kryeipeshkvi nderit i Daejeon-it. Në Çenakull, shërbestarët e Kishës zbulojnë se nuk "përcaktohen kryesisht nga ajo që bëjmë, por nga dashuria e pafundme me të cilën Krishti na do".

Logjika e dhuratës

“Flijimi”, shpjegon kardinali You Heung-sik, nuk duhet kuptuar e shikuar në kuptimin e “dorëheqjes” apo “mohimit”, por “në të vërtetën e tij të thellë”, domethënë si “dhuratë”. “Njerëzit e shuguruar” janë “të dhuruar”, të thirrur për të ofruar jetën e tyre “që ajo të jetë e gjitha e orientuar drejt dashurisë së Zotit dhe të vëllezërve”. Një jetë që e gjen “burimin” dhe “kulmin” e saj në Eukaristi: altari është vendi ku të shuguruarit lejojnë që të “asimilohen nga Krishti, duke marrë forcën për të shoqëruar, falur dhe ngushëlluar”.

Kjo dashuri, vijon më tej prefekti You Heung-sik, shprehet pastaj “konkretisht” në “shërbim”. “Të jetosh në mënyrë eukaristike – shkruan kardinali You Heung-sik – do të thotë të jetosh në horizontin e dhurimit të vetvetes, duke e bërë jetën tënde një ofertë për të gjithë. Vetëm kështu veprimi ynë baritor do të jetë plotësisht ungjillor dhe frytdhënës”.

Dashuria e Krishtit në Çenakull si themel i meshtarisë

Më 26 qershor 2025, Papa Leoni XIV, kujton kardinali You Heung-sik, në fjalimin e tij drejtuar pjesëmarrësve të Takimit Ndërkombëtar Meshtarë të lumturJu kam quajtur miq”, identifikoi pikërisht te “miqësia me Krishtin” “themelin shpirtëror të shërbimit të urdhëruar” dhe Çenakullin si “burimin e identitetit tonë” tek i cili duhet të kthehemi gjithmonë. Kjo zanafillë nga dashuria e Krishtit e bën meshtarinë jo “një rol për t’u luajtur, por një dhuratë për t’u ruajtur me zemër mirënjohëse dhe plot mahnitje, sepse çdo meshtar është njeri i Fjalës dhe i Eukaristisë, i modeluar çdo ditë nga ajo që kremton”.

Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Klerin fton më pas meshtarët, diakonët dhe seminaristët që të mos humbasin guximin “përballë vështirësive të kohës sonë”, të jenë “mehstarë me zemër të hapur”, “njerëz të bashkësisë”, “dëshmitarë të gëzuar të Ungjillit”. Ai i nxit gjithashtu të jenë “të bashkuar si kler” dhe “në bashkësi me ipeshkvijtë”.

Së fundi, kardinali You i kushton një “mendim të veçantë” “vëllezërve diakonë”, të cilët “në shërbimin bujar dhe diskret e bëjnë të dukshme bamirësinë e Krishtit Shërbëtor”, si dhe “seminaristëve fort të dashur”, duke i inkurajuar ata që të mos kenë “frikë t’ia dhurojnë të gjithë jetën tuaj Zotit”.



02 prill 2026, 17:38