Dom Kolë Dedaj Dom Kolë Dedaj

Dom Kolё Dedaj: jemi miq e vëllezër tё Krishtit Ngjallur

"Të qenit nxënës, Jezusi i shton një shkallë tjetër afërsie, atë të miqësisë. «Ju jeni miqtë e mi». E Jezusi nuk ndalet këtu, por i afron nxënësit dhe miqtë e tij akoma më shumë. Në kryq, Jezusi sheh se «përbri kryqit qëndronin nëna e tij e nxënësi që e donte, i tha nënës: “Grua, qe, yt bir!”». Me këtë Jezusi nxënësin dhe mikun e tij që e donte dhe që i mbeti besnik deri tek kryqi, e në të të gjithë nxënësit e tjerë që e ndjekin me besnikëri, i lartëson tashmë si bij të Marisë e vëllezër të vet"

R. SH. - Vatikan

Me rastin e festёs sё  Pashkëve, Dom Kolё Dedaj, nga dioqeza Prizren-Prishtinë, na përcjell itinerarin e ecjes, sipas Ungjijve, tё njё ndjekësi tё Jezusit, i cili prej nxënësi behet miku e deri vëllai i Mësuesit Hyjnor. Të shohim së bashku procesin e kёtij zhvillimit duke u bazuar tek Ungjilli sipas Gjonit. Ta dëgjojmë reflektimin e Dom Kolё Dedajn kushtuar Pashkёve të Krishtit të Ngjallur:

Dom Kolë Dedaj

Dom Kole Dedaj: nxënës, mik, vëlla

Kur lexojmë me vëmendje Ungjijtë, shohim se përveç personazhit kryesorë Jezusit kemi edhe shumë personazhe të tjerë. Ndër këto personazhe më të spikaturit janë nxënësit e Jezusit. Kam dëshirë që të shohim së bashku procesin e zhvillimit të një ndjekësi të Jezusit duke u bazuar tek Ungjilli sipas Gjonit. Nëse presim edhe këtu një thirrje të nxënësve, sikurse e gjejmë tek Ungjijtë sinoptik, pra te Mt 4,18-22, te Mk 1,16-20 apo te Lk 5,1-11, do të mbesim të zhgënjyer, sepse nuk do të gjejmë një të tillë.

Tek Gjoni nxënësit e parë janë ata që, të mësuar nga Shën Gjon Pagëzuesit «Qe, Qengji i Hyjit!», e lënë mësuesin e tyre të mëparshëm për të shkuar tek Jezusi (shih Gjn 1,29-42). Prej këtu fillon një rrugëtim me kreshta e lugje që do t’ua ndryshojë jetën përgjithmonë. Termi mathētēs, -ou, ho nënkupton një person që zë mend përmes udhëzimeve të një mësuesi, apo dikë që ndjek mësimet e dikujt (krh Gjn 13,35). Në shqip e hasim të përkthyer si nxënës dhe gjendet tek Gjoni 78 herë. Kjo karakteristikë do të shoqërojë të gjithë ndjekësit e Jezusit prej fillimit e deri në fund të Ungjillit. Nxënës ishin të gjithë, prej Pjetrit e deri tek Juda. E nganjëherë nuk ka nevojë as për emër, por mjafton thjesht cilësia si p.sh. «...nxënësi që [Jezusi] donte...» (Gjn 19,26) apo ende më thjeshtë «nxënësi tjetër» (Gjn 20,2).

Te Gjoni 13 Jezusi përul vetveten, dhe me një akt dashurie marramendëse, «deri në pikën e fundit» (Gjn 13,1), ua lanë këmbët nxënëseve të vet. Kështu këta nxënës janë të ftuar të zënë mend prej Mësuesit dhe Zotërisë së tyre (krh. Gjn 13,14-15). Ky është urdhri i ri i dashurisë, i zbatuar me vepra e pastaj i thënë edhe me fjalë, në bazë të së cilit «të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit» e mi (Gjn 13,31-35). Të qenit nxënës, Jezusi i shton një shkallë tjetër afërsie, atë të miqësisë. «Ju jeni miqtë e mi» (Gjn 15,14) thotë Jezusi, nëse ne e mbajmë urdhrin e tij. Pastaj vijon «Nuk ju thërrasë më shërbëtorë,» – në fakt Jezusi asnjëherë nuk i quan të tillë, por nxënësit e kuptojnë veten në atë mënyrë – «sepse shërbëtori nuk di çka bën zotëria i tij; unë ju quajta miq, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim» (Gjn 15,15).

E Jezusi nuk ndalet këtu, por i afron nxënësit dhe miqtë e tij akoma më shumë. Ndërsa Jezusi tradhtohet, mohohet prej nxënësve të tij, gjykohet dhe gjendet fajtorë prej popullit, kryepleqve dhe Pilatit e në fund dënohet me vdekje me kryqëzim (Gjn 18-19) mbledh fuqitë e tij të fundit për të lartësuar nxënësit e tij. I ngujuar në kryq, sheh se «përbri kryqit [...] qëndronin nëna e tij, pastaj motra e nënës së tij, Maria e Klopait dhe Maria Magdalenë. Jezusi kur pa nënën e vet dhe, pranë saj, nxënësin që donte, i tha nënës: “Grua, qe, yt bir!”» (Gjn 19,25-26).

Me këtë Jezusi nxënësin dhe mikun e tij që e donte dhe që i mbeti besnik deri tek kryqi, e në të të gjithë nxënësit e tjerë që e ndjekin me besnikëri, i lartëson tashmë si bij të Marisë e vëllezër të vet. Të njëjtën gjë të thënë, jo më tërthorazi, por haptas e gjejmë tek Gjoni 20 pasi që Jezusi të ngjallet prej së vdekurish. Pasi Maria Magdalenë e gjen varrin bosh, gjë që e vërtetojnë edhe Pjetri edhe nxënësi tjetër dhe kthehen pastaj në shtëpi, ajo ndalet aty duke e kërkuar akoma. Aty i shfaqet Jezusi i ngjallur dhe i thotë Marisë “...shko te vëllezërit e mi e thuaju: Po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, tek Hyji im e Hyji juaj” (Gjn 20,17). «Është e para herë», komenton dom Simoni, «që Jezusi apostujt i quan: “vëllezër”».

Të gjithë ne e bëjmë këtë rrugëtim. Të gjithë ne jemi të ftuar që, edhe pse nxënës të Jezusit, të lejojmë që Ai të na afroj më tepër afër vetvetes duke na bërë miq e vëllezër të tij. Uroj që këto Pashkë të lume të na bëjnë më të hapur ndaj ftesës së Jezusit për miqësi e vëllazëri, por të na bëjnë të hapur edhe ndaj njëri-tjetrit. Urime e për shumë mot Pashkët!

 

 

06 prill 2026, 10:06