E Diela e Pashkëve (Viti A): dita e parë e krijimit të ri
R.SH. / Vatikan
Maria Magdalenë shkoi te varri "ndërsa ishte ende errësirë". Ky shënim i zakonshëm kohor nuk është thjesht kronologjik: tregon gjendjen shpirtërore. Drita e re e krijimit ka nisur, e pra shikimi njerëzor lodhet ende për ta parë. Ringjallja tashmë është realitet, por zemrat njerëzore nuk arrijnë ta perceptojnë menjëherë.
Guri i përmbysur, shenja e parë e një realiteti të ndërprerë, nuk e krijon sakaq fenë, përkundrazi, nxit një interpretim të dhimbshëm racional: korpi është marrë, Zoti është shlyer edhe nga kujtesa. Nga ky keqkuptim, lindin nxitimi e tensioni, që e përshkojnë gjithë historinë dhe ia shënojnë ritmin. Maria, Pjetri dhe dishepulli, që Jezusi e donte, vrapojnë, sikur zemrat e tyre ta kishin ndjerë se atje, në atë varr të zbrazët, diçka vendimtare ishte në rrezik, edhe pse nuk mund ta thoshin akoma se çka ishte!
Gjoni e përshkruan këtë garë me një finesë të rrallë tregimtare, duke treguar dy mënyra të ndryshme për t’u përballuar me misterin: shtysa e dashurisë, e cila mbërrin e para dhe ndalet në prag, dhe autoriteti i reflektimit, i cili mbërrin më vonë, hyn, vëzhgon, e kërkon të kuptojë.
Trupi nuk është brenda varrit, por as çrregullimi i një grabitjeje. Pëlhurat prej liri shtrihen me kujdes, qefini ëshë ende i mbështjellë në të njëjtin vend. Skenë e heshtur, e palëvizshme, e pezulluar, e pikërisht për këtë arsye kuptimplote, sikur t'i fliste zemrës, më shumë sesa syve.
Gjoni këmbëngul që ta shohë, por bën dallimin delikat ndërmjet niveleve të ndryshme të shikimit. Maria sheh, e flet sipas logjikës së zisë; Pjetri sheh e reflekton, por mbetet i bllokuar në një kuptim të paplotë; Gjoni, dishepulli i dashur, nga ana tjetër, sheh dhe beson. Ai nuk e sheh të Ringjallurin, nuk e dëshmon drejtpërdrejt ngjarjen, por e kap, në atë rregullim kanavacash, pamundësinë e një shpjegimi thjesht njerëzor. Kështu e lejon zemrën të shkojë përtej mendjes. E, në atë akt të thjeshtë, të heshtur, lind feja!
Feja e Pashkve nuk lind nga një provë spektakolare, por nga një shenjë diskrete, që kërkon interpretim; jo nga prova dërrmuese, por nga vështrimi që e shndërron vetveten. Varri i zbrazët nuk e tregon ende gjithë historinë; ungjilltari vëren maturisht se "ende nuk e kanë kuptuar Shkrimin", duke na kujtuar se Ngjallja e Krishtit nuk është ringjallje e thjeshtë, por krijim i ri, kalim rrënjësor drejt jetës së plotë, që vetëm takimi me të Ngjallurin mund ta bëjë plotësisht të kuptueshme.
Në fillim të Pashkëve, Gjoni i ofron Kishës të të gjitha kohërave një përvojë themelore: besimi lind shpesh në dritën e diellit, mes shenjave të paplota dhe interpretimeve të brishta, rritet aty ku dashuria pranon të mos zotërojë gjithçka, por përkundrazi të ndalojë, të shikojë e të besojë.
Ngjallja e Jezu Krishtit është dita e parë e krijimit të ri, të jetës së re, dhe si në agimin e botës, drita është tashmë aty, edhe nëse njerëzimi duhet ende të mësohet ta njohë e ta shohë. Është dritë që nuk të verbon, por të fton një hap të ngadaltë dhe të vëmendshëm, një shikim që di të presë, duke ia hapur zemrën mrekullisë së heshtur të jetës së re.