Sabato Santo, BAV Barb. Lat. 592

Nata e Pashkëve: Krishti u Ngjall! Vërtetë u Ngjall! Aleluja!

Për shumë Mot këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve, këtë Natë të Shenjtë të Krishtit të Ngjallur, juve, të nderuar besimtarë e shqiptarë, kudo që jeni! Drita, bekimi e paqja e Krishtit të Gjallë qofshin përherë në zemra e në familje tuaja.

R.SH. / Vatikan

Krishti u Ngjall. Vërtet u Ngjall, Aleluja! 

Për shumë Mot këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve, këtë Natë e Shenjtë e Krishtit të Ngjallur,

juve, të nderuar besimtarë , shqiptarë e miq të Radio Vatikanit dhe të Vatican News, kudo që jeni!

Drita, bekimi e paqja e Krishtit të Gjallë qofshin përherë në zemra e në familje tuaja.

E shtuna e Madhe dhe e Shenjtë është dita e cila bashkon të Premten e Madhe të Pashkëve, përkujtimin e Kryqit me ditën e Ngjalljes së Jezu Krishtit. Prandaj po përshkojmë Natën e Shenjtë të Pashkëve,  në të cilën, Kisha i kumton mbarë njerëzimit aktin vendimtar të Mësuesit Hyjnor: fitoren mbi vdekje, pra Ngjalljen e Jezu Krishtit, Shpëtimtar.

Kjo e vërtetë e fesë së krishterë është pika kulmore e tërë Vitit të Liturgjisë Kishtare dhe thelbi i fesë sonë të krishterë, e për këtë arsye solemniteti i Pashkëve quhet me të drejtë festa e të gjitha festave, e kjo Natë tejet e Shenjtë e Pashkëve, ‘nëna e të gjitha netëve, nëna e të gjitha festave’ të krishtera.

Në këtë Natë të Shenjtë, gjithçka përkon, gjithçka përmblidhet e merr kuptim të ri në Dritën Shpëtimprurëse të Jezusit të Ringjallur. Pra, në këtë Natë të Shenjtë të Ngjalljes së Jezu Krishtit, kremtojmë ngjarjen e madhe e vendimtare që ia ndryshoi rrjedhën historisë së njerëzimit: kremtojmë fitoren e Krishtit mbi vdekje e, prej këndej më Krishtin e në Krishtin, edhe ngadhënjimin e njerëzimit mbi të keqen e vdekjen.

Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve kumtojmë fenë tonë në Krishtin e kryqëzuar, të vdekur e të Ngjallur. Kumtojmë shpresën tonë në njerëzimin e shëlbuar e të bërë “bir” të Zotit. Shpallim sot dashurinë që na shpëtoi e që bëri të lindë dashuria tek ne.

Prania në Eukaristi, nata e lutjes në Gjetësemani, falja e armiqve, feja në Krishtin, të Birin e njeriu, përcaktimi mes të mirës e së keqes që çdo njëri duhet të bëj me përgjegjësi të ndërgjegjes së vet, Kryqi i Krishtit, shenjë e dashurisë dhe e lavdërimit. Në këtë vështrim duhet t’i përshkojmë orët e mbrame të Jezusit, jo si një përkujtim thjesht të një riti fetar por të një afërsie të besimit e të liturgjisë pashkore, në dashurinë Ngadhënjimtare të Zotit të Jetës. Duke u Ngjallur, Jezusi i tërheq të gjithë në dritën e Tij dhe ngadhnjen mbi çdo formë të errësirës, pohon Kisha në liturgjinë e Natës së Shenjtë të Pashkëve.

Në një liturgji të pasur me rrëfime e simbole, që përbledhin figurativisht mrekullitë e krijimit, sipas Besëlidhjes së Vjetër e asaj të Re, Kisha na tregon kontrastin e fuqishëm, të përjetshëm, ndërmjet dritës dhe errësirës, duke shpjeguar edhe çka do të thotë ‘dritë’ e çka do të thotë ‘errësirë’. Prej këndej, shpjegon edhe kuptimin e fjalëve “dritë” e “ndriçim”.  Kështu, në Natën pa gjumë të Pashkëve - natë e krijimit të ri - Kisha e paraqet misterin e Dritës me një simbol shumë të veçantë e krejt të përvuajtur: me një qiri Pashkësh. Është drita, që jeton në sajë të flijimit.

Qiriu ndriçon duke shkrirë vetveten. Jep dritë e ngrohtësi, duke dhuruar vetveten. Deri në fund të fundit! Bëhet, kështu, simbol mahnitës i misterit të Pashkës së Krishtit, i cili, duke dhuruar vetveten, na jep Dritën e madhe. Qiriu i Pashkëve pra na kujton edhe se drita e Krishtit është zjarr. Zjarri është forca që i jep trajtë botës; fuqia që shndërron. E, të mos harrojmë, pa zjarr, nuk ka ngrohje. Edhe këtu bëhet i dukshëm misteri i Krishtit. Jezu Krishti, dritë, zjarr, flakë që djeg të keqen, duke e shndërruar, kështu, botën, e të gjithë neve. “Kush është pranë meje, është pranë zjarrit”, tingëllon fuqishëm në Natën e pagjumë të Pashkëve, kjo fjalë e Jezusit, që vjen mes nesh përmes veprës së Origjenit. E ky zjarr është njëherësh edhe ngrohtësi; nuk është dritë e akullt, por dritë në të cilën shkrihen në një ngrohtësia dhe mirësia e Zotit.

Në Vigjiljen e Pashkëve, Kisha na tregon se Krishti mbi Kryq e shkatërroi njeriun e vjetër e mendjemadh, duke e bërë të rilindet si krijesë e re. Ngjallja e Krishtit është dritë e re, që ndryshon botën. Po, njeriu vazhdon të tundohet edhe nga aftësitë e veta dhe rrezikon të qëndrojë në errësirën e horizontit të tij të ngushtë. Kështu, liturgjia e Natës së Shenjtë të Pashkëve na fton të shohim përtej gjërave materiale, të besojmë në Zotin dhe të mirën. Prandaj kemi fenë, që na tregon dritën e Zotit, ndriçimin e vërtetë të jetës. Feja është hyrje e stuhishme e dritës së Hyjit në botë, ajo na hap sytë për shkëlqimin e vërtetë.

Ta lusim, prandaj Zotin, në këtë Natë të pagjumë, të na mbushë plot me gëzimin e Dritës së Tij! Ta lusim që edhe ne të bëhemi mbartës të Dritës së Krishtit të Ngjallur; e që përmes Kishës, shkëlqimi i fytyrës së Krishtit, të hyjë në jetën e botës. Krishti u Ngjall! Vërtetë u Ngjall! Aleluja!

Për shumë mot Pashkët!

 

04 prill 2026, 10:47